Reagim i KMDLNj-së: Mashtrimi i radhës i mashtruesit Dik Marti!

12 prill 2022 | 16:29

Jo rastësisht në këtë kohë “rrodhi” një informatë se sajuesi i një raporti të rremë pas së cilës dhunshëm u themelua Gjykata Speciale kundër luftës dhe kundër UÇK-së, Dik Marti qenka vënë nën mbrojtje të rreptë policore të Zvicrës shkaku se po rrezikohet nga BIA e Serbisë që ka planifikuar ta ekzekutojë përmes vrasësve profesionistë për ta fajësuar pastaj Kosovën dhe shqiptarët për këtë vrasje, si hakmarrje personale ndaj senatorit mashtrues nga Zvicra, ish-zëvendësuesit të përfaqësuesit të Zvicrës në Këshillin e Evropës për tetë vite dhe pastaj, thuaja aq kohë edhe përfaqësues i rregullt i këtij shteti. Realisht, ky raport që ka bartur firmën e Dik Martit ka qenë raport i përfaqësuesit të Rusisë në Këshillin e Evropës, Konstatin Kosachev e që tani është njeri i besueshëm i Putinit dhe i ranguar në 5-shën më me ndikim në Rusi.
Raporti i një mashtruesi si puna e Dik Martit ka qenë i programuar që të shkaktojë tërmet në opinionin ndërkombëtar sepse, si gjetje kryesore ishte trafikimi me qenie njerëzore dhe nxjerrja e kundërligjshme e organeve të serbëve, romëve dhe shqiptarëve që, si pengje lufte janë dërguar në territorin e Shqipërisë për t’i dërguar ato organe në shtete tjera për transplantim. Kjo gjetje monstruoze ka qenë përcaktuese që të formohet Gjykata Speciale dhe, në këto rrethana askush në Kosovë nuk ka pasur guxim ta kundërshtojë seriozisht përveç se kanë votuar kundër në ditën e votimit në vitin 2015 në Kuvendin e Kosovës. Atëbotë edhe disa pjesëtarë të “shoqërisë civile” thyenin këmbët në përpjekje që të gjejnë ndonjë organ eventual të nxjerrë kundërligjshëm në “Shtëpinë e Verdhë”, shtëpia e Katuçëve në fshatin Rripe të Shqipërisë ndonëse një ekip hetues i UNMIK-ut nuk kishte gjetur asgjë të dyshimtë kur kishte bërë hetime pikërisht në atë fshat dhe për të njëjtin motiv. Pasi u themelua Gjykata Speciale e cila substancialisht e dhunon sistemin e drejtësisë në Kosovë ndonëse deklarativisht është pjesë e këtij sistemi, akuza për trafikim me qenie njerëzore dhe trafikim me organe të nxjerra kundërligjshëm të serbëve, romëve dhe shqiptarëve që kanë bashkëpunuar me Serbinë, ka rënë krejtësisht dhe nuk përmendet më që e tregon qëllimin e keq dhe manipulativ, për shkaqe materiale apo politike të mashtruesit Dik Marti që, së bashku me Karla del Ponten dhe Hose Pablo Barajabar, me ndihmën substanciale të Rusisë dhe Serbisë ishin përcaktues për themelimin e kësaj gjykate raciste që në plane afatgjata e dëmton shumë Kosovën, shqiptarët dhe luftën e UÇK-së.
Dik Marti asnjëherë nuk ka qenë i rrezikuar fizikisht nga shqiptarët kurse imuniteti e ka mbrojtur dhe e mbron nga një hetim penal për një raport të porositur, të pavërtetë dhe qëllimkeq. Shpërthimi, si bombë mediale e kërcënimit të Dik Martit nga BIA serbe ka krijuar gjithashtu një shpërthim euforik te shqiptarët dhe pritje se tani do të ndryshojnë gjërat e që nuk do të ndodhë aq më parë që roli i ndyrë e Dik Martit ka përfunduar me çastin kur është votuar Gjykata Speciale.
Institucionet e Kosovës nuk duhet fare të merren me Dik Martin sepse nuk fitojnë asgjë nga kjo për faktin se duke u marrë me këtë persona skajshmërisht amoral në planin profesional, vetëm sa e faktorizojnë më shumë.
Deputetët që e kanë votuar nën masa të dhunshme themelimin e Gjykatës Speciale duhet urgjentisht ta thërrasin një mbledhje të Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohej për mandatin e kësaj gjykate dhe keqpërdorimet flagrante në fushën e të drejtave të njeriut që ua bënë të akuzuarve , të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Ky është roli dhe mandati kushtetues i deputetëve të Kosovës e jo të merren me një diversion medial siç është kërcënimi për jetë i një mashtruesi, ndoshta edhe bashkëpunëtori i BIA-së, Dik Marti. Gjykata Speciale po keqpërdor të drejtat e të arrestuarve, po ndanë drejtësi selektive të motivuar në baza etnike si dhe përgjegjësi ekskluzivisht në baza etnike. Duhet të kërkohet përgjegjësi nga kjo gjykatë apo, nëse nuk i nënshtrohet përgjegjësisë duhet t’i hiqet cilësimi se është pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe të shndërrohet në një Gjykatë krejtësisht Ndërkombëtare edhe formalisht shkaku se 100% edhe është ndërkombëtare. Të drejtat e njeriut funksionojnë sipas parimit të universalitetit e jo të reciprocitetit andaj edhe kjo gjykatë duhet t’i përmbahet këtij parimi duke ndarë dhe siguruar drejtësi për të gjitha viktimat pavarësisht përkatësisë etnike sikur edhe duke kërkuar përgjegjësi penale për të gjitha ata që kanë përgjegjësi për krime që janë në përgjegjësi të kësaj gjykate, pa bërë asnjë dallim në baza etnike. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sidomos ata që e kanë votuar themelimin e kësaj gjykate kanë përgjegjësi institucionale, shtetërore, njerëzore, morale, ligjore, historike dhe personale të nisin një kërkesë për punën dhe mandatin e kësaj gjykate ndryshe do ta kenë përgjegjësi për dëmet që iu janë shkaktuar të arrestuarve, familjeve të tyre dhe Kosovës sepse kanë krijuar një mekanizëm që i amniston krimet e Serbisë në Kosovë duke mos i ndjekur ato. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit duhet të ndiqen dhe gjykohen pa bërë asnjë dallim. Lëreni Dik Martin, këtë kufomë morale dhe merruni me përgjegjësitë reale që i keni duke kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë ata që kanë planifikuar, kanë bërë apo nuk kanë penguar krimet, duke mos bërë asnjë dallim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar për…