Reagojnë opozita dhe shoqëria civile: Kryeministri antiamerikan, Kosova nuk mundet pa mbështetjen e ShBA-së

29 janar 2023 | 16:36

“Me trajtim nga shteti nikoqir që është larg më brutal se që mund të perceptohet në kryeqendër”, kështu i ka raportuar ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli, ministres së Jashtme, Donika Gërvalla në raportin e punës për një vit në krye të kësaj ambasade në lidhje me raportet mes Kosovës dhe ShBA-së, të cilin e ka siguruar Gazeta Nacionale.

Ky raport i ambasadorit Dugolli i forcon deklarimet e fundit nga opozita dhe nga një pjesë e shoqërisë civile se raportet mes ShBA-së dhe Kosovës janë përkeqësuar me ardhjen e Albin Kurtit kryeministër.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka theksuar se kjo është fotografia e marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, që sot drejtohet nga Vjosa Osmani e Albin Kurti.

“‘Trajtim nga shteti nikoqir që është larg më brutal se që mund të perceptohet’. Kjo është fotografia e marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës tonë, që sot drejtohet nga Vjosa Osmani e Albin Kurti. Ky është i vetmi tregim që s’kemi besuar e pritur se do ta dëgjojmë ndonjëherë. Por ja që po ndodhë e po shpaloset përpara syve tanë”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.

Ai ka thënë se degradimi i raporteve me SHBA-të, për Kosovën nënkupton një gjë të vetme: rrugën pa krye në drejtim të gabuar historik, politik e shtetëror. “Për këtë gjendje, s’ka koment. Ka vetëm adresë dhe autorë: Vjosa Osmani dhe Albin Kurti”, ka pohuar Tahiri, raporton “Epoka e re”.

“Një kryeministër antiamerikan, nuk mund t’i kryej detyrat kushtetuese”, kështu thotë analisti politik, Halil Matoshi.

“Kurti më në fund e pranoi me gojë të vet se ka përplasje me amerikanët! ‘Amelika. Amelika’ nuk paskësh qenë vetëm shtrembërim cinik i emrit të shtetit sponzor të lirisë së Kosovës, nga vet ai, por mëshefje e karshillëkut të tij me “hegjemoninë qëllimmirë” (Habermas), ShBA-në”, ka theksuar Matoshi.

Sipas tij, Kurti e hapi ‘Kutinë e Pandorës’ kur tha: “Amerikanët nuk më ftuan në takimin për Asociacionin!” “E liderit që e izolojnë amerikanët, do të duhej t’ia kthenin kurrizin edhe kosovarët. Porse, Kurti në masë të madhe ka arritur t’ua tjetërsojë realitetin atyre, duke u dhënë për këmbim një realitet paralel virtual që shtetin e trajton si diçka personale, madje ai i ka personalizuar edhe raportet me presidentin serbian Aleksandar Vuciq dhe me aleatët e Kosovës!? Prandaj ai duhet të ndalet sot. Kryeministri Kurti e di me saktësi se presionin ndërkombëtar që ka ra mbi të, e kanë përjetuar të gjithë paraardhësit e tij. Porse mban qëndrim të padrejtë dhe abuziv ndaj tyre. Tashti, i izoluar nga aleatët e Kosovës, Albin Kurti i mbushur mllef, po bëhet i rrezikshëm, madje perëndimorët po e cilësojnë si një egomaniak kokëfortë”, ka shkruar Matoshi në “Facebook”.

Profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi F. Smajljaj, ka theksuar se shteti ynë është krijuar, është duke u konsoliduar ndërkombëtarisht, falë mbështetjes së ShBA-së.

Ai thotë se mbështetja e ShBA-së është e domosdoshme për shtetin tonë. “Institucionet tona duhet të refuzojnë asociacionin që e dëmton funksionimin dhe qëndrueshmërinë e shtetit, në bashkëpunim me ShBA-në. Qasjet tjera refuzuese të asociacionit, sidomos ato në frymën antiamerikane, janë të dëmshme, dhe të paqëndrueshme, të llojit të krekosjes se do t’i heqim vetë barrikadat në veri të para disa javëve. Shteti ynë mundet pa secilën parti politike, e pa secilin politikan/e, por nuk mundet pa mbështetjen e ShBA-së”, ka shkruar në “Facebook” Smajljaj.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit dhe raportet me Amerikën.

“Sa respekt, dashuri e përkushtim po tregoni për Martin Berishajn, me pas treguar veç pak për politikën amerikane, shumë më mirë do i kishte punët, Republika e Kosovës”, ka shkruar në “Facebook” Kryeziu.
Ai ka thënë se ekzistojnë disa praktika të njohura përmes të cilave luftohen OJQ-të, duke tentuar t’u dëmtohet reputacioni publik i tyre. “- duke i akuzuar si jo patriotë, tradhtarë dhe të angazhuar kundër interesave të shtetit, duke i akuzuar për mbështetje financiare nga shtete të huaja dhe si agjentë të këtyre shteteve, duke i ngacmuar dhe duke tentuar të ju ekspozoni jetën e tyre private, duke i akuzuar dhe sajuar lidhje e interesa me parti të caktuara kundër demokracisë, duke i ndjekur dhe i hetuar për vepra penale ose taksa mbi akuza të sajuara nga pushteti etj..”, ka thënë ai.

Duke theksuar tutje se jo qeveria zyrtarisht, por partia në pushtet dhe partizanët e saj prej kohësh kanë sajuar armiqtë e Kosovës.

Kryeziu ka treguar se Viktor Urban, kryeministri hungarez, bëri ligje pothuajse të njëjta me ato të Rusisë, përmes të cilave reduktoi hapësirën qytetare, kryesisht angazhimin e OJQ-ve dhe njerëzve që përkonin në këto organizata. “Në vitin 2014, pas fitores së tij të dytë, pothuajse të pakonkurrentë, ai identifikoi armiqtë e tij kryesorë si ‘liberalët’ nga Perëndimi dhe i përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara Amerikane dhe OJQ-të si agjentë të huaj. Madje ai bëri ligje dhe rregulla që secili aktivitet, raport, analizë nga OJQ-të që nuk janë instrument i kontrolluar nga pushteti i tij edhe janë të mbështetura nga donacione të këtyre shteteve, të shkruajnë së janë të mbështetura nga fonde të huaja. Në të kundërtën do të ndiqen dhe dënohen. Pra të vetëshkruajnë se janë tradhtarë dhe agjentë të shteteve të huaja. Tek ne ende s’janë krijuar këto ligje e rregulla, por kaherë është investuar në këtë mendësi. Jo qeveria zyrtarisht, por partia në pushtet dhe partizanët e saj prej kohësh kanë sajuar armiqtë e Kosovës. OJQ-të tradhtare e politikat Amerikane edhe atë të BE-së, armiqësore e kundër interesave të Republikës së Kosovës?!”, ka shkruar Kryeziu.

Edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi ka reaguar tashmë në kohën kur përplasjet mes qeverisë Kurti dhe Amerikës janë shtuar më shumë.

Krasniqi ka shkruar në “Facebook” se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja Kosovën mund ta mbajnë në kontroll pa pasur partneritet me Qeverinë e Kosovës.

Ai ka thënë se kjo mundësohet me marrëveshjen ushtarake-teknike të 9 qershorit 1999 dhe rezolutës 1244.

“ShBA-të përkatësisht NATO-ja Kosovën mund ta mbajnë nën kontroll dhe në sferën e vet edhe pa partneritet me qeveritë e Kosovës. Këtë gjë ua mundëson në mënyrë absolute Marrëveshja Ushtarake-Teknike e 9 qershorit 1999 dhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e 10 qershorit 1999, të cilat nuk e kanë asnjë afatizim dhe faktikisht asnjë kufizim të imponimit të vullnetit e pushtetit”, ka shkruar Krasniqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rinia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot Konventën e 7-të…