Reagon ‘Caritas’-i zviceran: Ne financohemi nga donacionet ndërkombëtare

03 qershor 2022 | 11:20

“Caritas”-i zviceran ka reaguar pasi është përmendur si palë në një aferë korruptive, ku sipas PDK-së është e përfshirë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla si dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.

Sipas PDK-së, fjala është për një memorandum bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Damkës dhe “Caritas”-it zviceran, në bazë të së cilës buxheti i shtetit shpenzohet kundërligjshëm në shumën prej 1 milion e 40 mijë euro.

“Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove”, kanë thënë nga PDK-ja para pak ditësh.

E “Caritas”-i në një komunikatë për media nuk ka folur konkretisht për akuzat e bëra nga PDK-ja, por se ka treguar qëllimin e ekzistimit të kësaj organizate si dhe punët e saj.

“Me këtë deklaratë duam të sqarojmë se ‘Caritas’-Zvicër është një shoqatë e pavarur ndërkombëtare me seli në Lucern/Zvicër. Ne jemi anëtar i rrjetit ndërkombëtar ‘Caritas’. ‘Caritas’-i i Zvicrës pranon rreptësisht parimet humanitare ndërkombëtare si humanizmi, neutraliteti, paanshmëria dhe pavarësia. Qëllimi kryesor i ‘Caritas’-it të Zvicrës është luftimi dhe zhdukja e varfërisë. ‘Caritas’- Zvicër ofron ndihmë emergjente në fatkeqësi dhe është i përfshirë në mënyrë aktive në shumë programe në mbarë botën”.

“Me programet e tij në bashkëpunimin zhvillimor, ‘Caritas’- Zvicër mbështet 20 vende në fushën e të ardhurave, ndryshimeve klimatike dhe migrimit. Kosova është një nga vendet me fokus. Aktualisht, ‘Caritas’- Zvicër punon në bazë të strategjisë së bashkëpunimit me Kosovën 2021 – 2025. Në Kosovë, dega e ‘Caritas’-it të Zvicrës është e regjistruar si OJQ ndërkombëtare që nga viti 1999. Gjatë 22 viteve të ndihmës sonë për Kosovën, ‘Caritas’- Zvicër ka arritur shumë rezultate, siç është mbështetja në procesin e rindërtimit të Kosovës dhe mundësimi i njerëzve që të kthehen në shtëpitë e tyre. Në të njëjtën kohë kemi përkrahur shumë kosovarë në Zvicër”, është thënë në reagimin e “Caritas”-it.

Më tutje, kjo organizatë ka thënë se financimet i merr me shumicë nga donatorët ndërkombëtarë.

“‘Caritas’-Zvicër, aktualisht është i angazhuar në mënyrë aktive në fushat e të ardhurave, migrimit dhe ndryshimeve klimatike në Kosovë. Ne marrim financime me shumicë nga donatorët ndërkombëtarë për të arritur këto rezultate. Ne vlerësojmë që Kosova – në nivel qendror dhe komunal – kontribuon në këto projekte të financuara ndërkombëtarisht për një ndikim më të madh. ‘Caritas’ – Zvicër operon sipas standardeve më të larta të cilësisë, duke përfshirë qeverisjen, transparencën dhe pajtueshmërinë, dhe zbaton programin e tij të bashkëpunimit ndërkombëtar me një nivel të lartë profesionalizmi dhe efikasiteti. Jemi të bindur se programi i Kosovës është i dizajnuar mirë dhe i përshtatur sipas nevojave të popullatës kosovare”, është thënë në këtë reagim.

Ndaj akuzave të PDK-së, ka reaguar edhe ministrja Gërvalla, e cila ka thënë se nuk ka keqpërdorur asnjë cent.

Ndryshe, sipas PDK-së, Ministria e Zhvillimit Rajonal, jo vetëm që nuk ka autorizim ligjor, por është shprehimisht e ndaluar me legjislacionin në fuqi që shpenzimi i buxhetit shtetëror të bëhet në mënyrën siç është vepruar në këtë proces, e mbi të gjitha, të nënshkruhet marrëveshje për ndarje fondesh publike me një organizatë joqeveritare, pa pasur shpallje publike e pa iu nënshtruar një gjë e tillë kritereve për çfarë shteti ka shpallur si interes me atë shpallje.

Në lidhje me këtë çështje kanë nisur edhe hetimet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të zhvillojë sfidat e radhës në Ligën e…