Reali sonte përballet me Cityn
Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve zhvillohet sonte (e martë) në mes të Real Madridit dhe Manchester Cityt. Kjo përballje për shumë njohës të futbollit është edhe një finale e parakohshme në ligën më të fortë të futbollit në botë.
Kampionët në fuqi të Realit shënuan katër gola në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Chelseat dhe nuk pranuan asnjë gol, duke konfirmuar fuqinë që ka ky klub në këtë garë. Në anën tjetër, edhe Pep Guardiola me Cityn treguan fuqinë ndaj Bayern Munchenit, duke e eliminuar me rezultat të përgjithshëm 4-1.
Reali e fitoi Kupën e Mbretit, por tashme e ka të humbur garën për titull në La Liga, sepse Barcelona është bindshëm e para. Ky dështim në kampionat do të jetë një motiv më i madh për “mbretërit” ta kërkojnë kurorën e 15 në Ligën e Kampionëve, por kjo s’do të jetë aspak e lehtë për faktin se City është duke shkëlqyer në këtë edicion dhe është në garë për “tripletën”. Këto dy skuadra janë përballur edhe në edicionin e kaluar.
City fitoi me shtatë gola në “Etihad” (4-3), por Reali e përmbysi duke fituar në ndeshjen kthyese në “Bernabeu” me rezultat 3-1. Mungesat e Realit në këtë ndeshje janë Militao dhe Mendy, kurse Cityt pritet t’i mungojë Nathan Ake.
Formacionet e mundshme:
Real Madrid: Courtois; Carvajal, Rudiger, Alaba, Camavinga; Valverde, Kroos, Modriq; Rodrygo, Benzema, Vinicius Jr.
Manchester City: Ederson; Walker, Dias, Akanji; Stones, Rodri; Silva, De Bruyne, Gundogan, Grealish; Haaland.
/Epoka e re/



