Recension /Saga e lirisë dhe e dijes në romanin “Zogu i Agut të Bardhë”

24 qershor 2025 | 12:02

Shkruan: Avni Dehari

Romani “Zogu i Agut të Bardhë” i shkrimtarit Fatmir Gjestila është një libër tepër tërheqës, shumë i veçantë dhe me vlerë të madhe kombëtare. Që në titull lexuesi sheh se ka të bëjë me një vepër letrare të ngjizur me brumë kombëtar dhe të veshur me petk të mrekullueshëm artistik, që në çdo faqe kumbon nga dashuria për atdhe.
Fjalët, që përbëjnë titullin e romanit, “zogu” dhe “agu i bardhë” në mënyrë metaforike paralajmërojnë ardhjen e lirisë së shumëpritur dhe shpërfaqin gëzimin dhe kënaqësinë e saj, që ngjason me fluturimin e zogut në hapësirën e pafund të nënqiellit dhe me cicërimën e tij magjike që na e deh shpirtin, sidomos në pranverë.
Temën, që e trajton në këtë roman, shkrimtari e merr nga përpjekjet e pareshtura të popullit tonë për të jetuar i lirë në trojet e veta. Liria, që është kryemotivi i kësaj vepre letrare, ka çmim të lartë, që fitohet, mbrohet e kultivohet me sakrifica të mëdha, deri edhe me jetë.

Ujqit me lëkurë qengji

Ardhacakët e egër e vrasës, soji e sorollopi i tyre “vrasësit syakull”, siç i portretizon autori pushtuesit sllavë, si lakmitarë të pashoq, nuk lënë gurë pa lëvizur për t’u ngulitur e për t’u bërë zot në trojet tona. Ata së pari shfaqen në viset arbërore si hordhi, që vijnë nga viset e largëta e të ftohta të uritur, të lodhur nga udha e gjatë dhe të rrëgjuar sa s’ka ku shkon më keq. Duke u shtirur si “paqësorë”, përfitojnë nga bujaria e vendësve që i pranon në tokën tonë të pëlleshme, që si siç thotë autori, erëmonte nga frutat e pemëve e të vreshtave.
Të veshur si ujq me lëkurë qengji për pak kohë ardhacakët e egër nisën të lakmojnë arat, kopshtet dhe kullat e kreshnikëve dhe të banorëve vendës. Disa vjet pasi kalojnë dimrin e parë si të huaj ndër ne ikin tinëzisht për t’u rishfaqur herë pas here me britma çjerrëse e me vringëllima armësh mbi popullin tonë, që në kohë më të vështira i kishte mbajtur edhe me bukë.
Kreshnikët dhe banorët vendës duke luftuar me trimëri të madhe ia dalin t’i vrasin shumicën e ardhacakëve të egër, por ata me ndihmën e vrasësve siakull të strukur ndër male, që vrasin tinëzisht barinj, fëmijë, burra, gra e pleq, pasi shtohen, ia mësyjnë sërish vendit tonë. Edhe pse vendësit i luftojnë me trimëri, para vërshimit si valë deti të ardhacakëve të egër e vrasës, shtrëngohen të tërhiqen për t’u mbrojtur në kullat e tyre.

No description available.

Arti që rrafshon kufijtë

Vendi ku vendoset ngjarja e romanit është mjedis tipik shqiptar edhe pse emrat e viseve të tij, me ndonjë përjashtim, nuk përkojnë me toponiminë e sotme. Qyteza e Lumbardhit, Rrafshnalta e Diellit, Malet e Epërme, Malet e Poshtme, Mali i Orës së Dijes, Lajthishta e Orëve, Mali i Shkreptimave, Shkëmbi i Gjelbër, Ujëvara e Borës e ndonjë tjetër, janë vende emrash, shumica të sajuar me mjeshtëri të rrallë nga shkrimtari, që i vendos në hapësirën e atdheut tonë, që në roman nuk i njeh kufijtë, që armiqtë me dhunë të paparë na i kanë vënë për të na mbajtur më lehtë nën thundrën e tyre dhe për të na keqtrajtuar deri në shfarosje. Sikur kufijtë e hapësirës tokësore autori nuk i njeh edhe kufijtë kohës, në të cilën artistikisht shtrihet e zhvillohet ngjarja e romanit që nga paraqitja e parë e ardhacakëve të egër e vrasës e deri në luftën çlirimtare të Kosovës, në fillim të së cilës bie në altarin e lirisë Kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare ― Adem Jashari me 57 anëtarë të familjes së ngushtë e të gjerë
Emrat gjeografikë Shqipëri, Kosovë, Kukës, Tropojë, Dukagjin, Drenicë e të tjerë, edhe pse nuk i hasim askund në roman, ia dalim shumë lehtë t’i zbulojmë te toponimet qyteza e Lumbardhit, Ujëvara e Borës, Rrafshnalta e Diellit e të tjerë.

Dija – arma më e fuqishme në luftën për liri

Lufta për liri në roman, që nga faqet e para e deri në fund, zhvillohet me armë dhe me dije (arsimim). Këto dy vlera sublime në këtë vepër shëmbëllejnë me vëllezërit siamezë, që nuk gjallojnë pa njëri‐tjetrin. Për këtë arsye, kur pushtuesi e pamundëson vijimin e mësimit në objektet publike, mendarët, si mendarja Leditë dhe mendari Ermir, për fëmijët hapin mësonjëtoret në kullat e banorëve. Këto mësonjëtore ta kujtojnë procesin mësimor paralel, që shqiptarët në Kosovë në vitet 90′ e zhvillonin në shtëpitë private, meqë pushtuesi serb i udhëhequr nga kasapi i Ballkanit, shqiptarëvrasësi Millosheviq, dhunshëm ua pati mbyllur shkollat.
Revista “Zogu i Agut të Bardhë”, në këtë roman luan rol të pazëvendësueshëm për përhapjen e dijes. I vetëdijshëm për ndikimin e saj, kur ardhacakët e egër e ndalojnë atë, kujto masat e pushtuesit serb për ndalimin e shtypit në gjuhën shqipe në Kosovë, kreshniku Sydrin me mbështetjen e pakursyer të fëmijëve të tij Agut, Eartës dhe Dijes, të nënës së tyre Zana e Ujëvarës së Borës, të zogjve të bardhë, të Shqiponjës së Madhe, të zanës Ora e Dijes, me përkushtim i vihet punës për përgatitjen e revistës dhe për shpërndarjen e saj. Nën masat e rrepta të pushtuesit, kur mungon edhe lënda e parë, kreshniku Sydrin për fëmijët e mësonjëtoreve “Drita e Dijes”, “Flaka e Maleve”, Flatrat e Shqiponjës” shkrimet i shtyp në petalet e luleve me ngjyra vezulluese dhe të llojllojshme, që magjishëm shndërrohen në pergamena me të cilat lidhet revista “Zogu i Agut të Bardhë”.
Në romanin “Zogu i Agut të Bardhë” rëndësinë e arsimimit në kohë paqe dhe në kohë lufte Fatmir Gjestila e shpërfaq para lexuesit jo me këshilla moralizuese, por përmes veprimeve konkrete.
Kreshniku Sydrin dhe të gjithë ata që e ndihmojnë atë për përhapjen e dijes, ua ofrojnë fëmijëve revistën, që në faqet e veta ngërthen legjenda, përralla, gojëdhëna, këngë të fëmijëve, që burojnë nga gurra e pasur popullore. Me të dhe me librat e fletoret, që prodhohen në Malin e Orës së Dijes, fëmijët në mësonjëtore pajisen me dije, armën më të fuqishme që njeh njerëzimi, që e përdorin në shërbim të çlirimit, të mbrojtjes dhe të përparimit të kombit e të atdheut. Mu për këtë mendaret dhe mendarët, që furnizohen me libra, fletore, me lapsa nga pendët e shqiponjave dhe me revistën “Zogu i Agut të Bardhë”, nuk sprapsen t’i mësojnë fëmijët nëpër mësonjëtore, qofshin ato publike a private, dhe pse përndiqen, vriten e masakrohen pamëshirshëm nga ardhacakët mizorë.
Që nga fillimi e deri në fund të këtij romani hasim shembujt konkretë me të cilët Fatmir Gjestila e thekson dukshëm rëndësinë e arsimimit. Misioni fisnik i mbështetjes së mësonjëtoreve, ku kultivohet dija, e bën Zonjën e Madhe ta falë nga dënimi me vdekje, siç kishte vendosur, kreshnikun Sydrin, që duke rënë në dashuri me Zanën e Ujëvarës së Borës kishte shkelur kodin moral të zanave.
Rëndësia e arsimimit theksohet fuqishëm edhe në rastin kur kreshniku Sydrin, në karakterin e të cilit zbulojmë shëmbëlltyrën e mësuesit martir Shaban Jasharit, babait të Adem Jasharit, që para grahmës së fundit i lë porosi të birit, Agut, të shkojë te Mali i Orës së Dijes, ku do ta gjejë të përgatitur për fëmijët e mësonjëtoreve revistën “Zogu i Agut të Bardhë”.
Ideja, që si fill i kuq përshkohet që nga fillimi e deri në fund të ngjarjes së këtij romani përmes mjeteve artistike, nxjerr në pah se arsimimi i një populli në luftën për liri është armë e dorës së parë të dalë zot në vete.

Flijimi që solli lirinë

Romani që fillon me luftën që në ditët e para kundër ardhacakëve të egër e vrasës ― të pushtuesve sllavë – përfundon në mënyrë të natyrshme me luftën që zhvillohet në kullën e kreshnikut Aden – Komandantit Legjendar, Adem Jasharit. Në këtë luftë, që solli lirinë e Kosovës, përkrah kreshnikut Aden luftojnë kreshniku Sydrin me të gjithë anëtarët e familjes së tij, Kalorsi Fluturues (Artoni) dhe Shqiponja e Madhe.
Fusha e Madhe ku zhvillohet luftë e ashpër për liri është Kosova, ndërsa Lisnaja e Epërme është vetë Prekazi, ku tok me kreshnikun Aden në altarin e lirisë bie duke luftuar e duke kënduar edhe kreshniku Sydrin, në portretin e të cilit shohim mësuesin e luftëtarin e lirisë Shaban Jasharin, dhe luftëtarët e tjerë të kësaj familjeje që me këngë në gojë kanë rënë në luftë kundër pushtuesit.
Personazhet e romanit “Zogu i agut të Bardhë” si kreshniku Sydrin, Kalorësi Fluturues (Artoni), Zonja e Ujëvarës së Borës, që bashkëshorti Sydrin, i njohur ndryshe edhe me emrin Flokëbora, e thërret me dashuri Diellëz, fëmijët e tyre Agu (Agenori), Earta, Dija, kreshniku Aden, Shqiponja e Madhe, mendari Ermir, mendarja Leditë, Ora e Dijes, etj., gjithë forcën fizike dhe aftësinë mendore e vënë në shërbim të përpjekjeve mbinjerëzore për t’i shporrur përgjithmonë pushtuesit barbarë nga trojet tona të trashëguara që nga kohërat më të lashta.

Personazhet reale nën vellon e krijesave mitologjike

Në romanin “Zogu i Agut të Bardhë” zanat dhe fëmijët e tyre, edhe pse janë qenie mitologjike i takojnë etnosit tonë. Ato brengosen për fatin e luftëtarëve të lirisë, të mbështetësve të procesit mësimor, dhe u ndihmojnë atyre në situatat të rënda e të rrezikshme. Në saje të tyre kreshnikët, luftëtarë të lirisë dhe misionarë të arsimimit, edhe kur marrin plagë vdekjeprurëse nga ardhacakët e egër e vrasës shërohen a ringjallen dhe vihen sërish në ballë të luftës për liri. Sakrifica për liri, për atdhe e për dije i bën ata të përjetshëm edhe pas grahmës së fundit, si kreshnikun Sydrin, që pasi bie në altarin e lirisë, autori e vendos në Malin e Orës së Dijes, ku me disa burra e gra vazhdon t’i përgatitë shkrimet për revistën “Zogu i Agut të Bardhë”.
Lukunia e ardhacakëve me prijësin Sygogla janë gdhendur e janë tipizuar në mënyrë të përkryer. Ata shfaqen si njerëz të egër, bukëpërmbysë, tinëzakë, vrasës të pashpirt të burrave, të grave, të pleqve dhe të fëmijëve, madje edhe të foshnjave në bark të nënave.
Mjedisi natyror ku veprojnë personazhet e romanit “Zogu i Agut të Bardh” është mjedis i mrekullueshëm kreshnikësh, që e hasim në këngët epike të Mujit e të Halilit. Veshja e tyre, madje edhe armët, si kamat, shpatat e të tjera, pastaj kuajt, me të cilët udhëtojnë e shkojnë në luftë, janë plotësisht të ngjashëm me ato që i përdornin e me të cilat shërbeheshin edhe Muji e Halili.

Zgjimi i fjalëve të fjetura

Thesari gjuhësor, që autori e përdor në këtë roman i ka rrënjët në oqeanin e së folmes popullore, që është shumë e pasur me figura stilistike dhe me nuanca të larmishme kuptimore.
Autori ka mëritë të madhe për kultivimin e gjuhës që e bën qoftë gjatë rrëfimit të ngjarjes, qoftë në monologët a dialogët e personazheve. Me sukses të rrallë ai ia del që disa fjalë, si “përlojëse” (fjalë tallëse), “përmal” (përpjetë), “mendar” (që e përdor për mësues – njeri që përhap dijen, mençurinë) e disa të tjera t’i nxjerrë nga fondi i fjetur dhe t’i fusë në rrjedhën e lumit të gjuhës sonë.
Edhe fjala “mësonjëtore”, që autori e përdor për shkollat e fëmijëve, e ka peshën e vetë në këtë mes. Përdorimi i kësaj fjale, që në kohën e rilindjes kombëtare ka emërtuar shkollat tona të para, aspak nuk e zbeh përdorimin e sinonimit të saj “shkollë”. Përfshirja më e dendur e fjalës “mësonjëtore”, që është edhe më shqip, krahas fjalës “shkollë”, nuk e varfëron, por e pasuron fondin aktiv të gjuhës sonë edhe për një fjalë, që po të vepronte secili në këtë mënyrë nuk është pak.
Romani “Zogu i Agut të Bardhë” i Fatmir Gjestilës si një dhuratë e çmuar për lexuesin tonë radhitet ndër veprat më të mira të letërsisë në gjithë hapësirën tonë kombëtare.

Prishtinë, 24. 6. 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej vitesh, Samsung Electronics ka krijuar pajisje të dizajnuara sipas…