
Reçica: Kryetari Agim Aliu me vizion dhe guxim po e shndërron Ferizajn në një shembull të zhvillimit urban
Ferizaj ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit urban me përurimin e nënkalimit më të madh dhe më të veçantë në Republikën e Kosovës.
Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, i cili vlerësoi këtë projekt si një hap të madh për qytetin dhe një rezultat të drejtpërdrejtë të angazhimit të kryetarit të komunës, Agim Aliu.
“Ky investim madhor është rezultat i punës dhe përkushtimit të Kryetarit Agim Aliu, i cili me vizion, guxim dhe angazhim të pandalshëm po e shndërron Ferizajn në një shembull të zhvillimit urban”, ka deklaruar Reçica.
Ai shtoi se nënkalimi do të lehtësojë qarkullimin, do të rrisë sigurinë dhe do të sjellë frymë modernizimi në qytet. Reçica gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për realizimin e projekteve të mëdha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Urime të gjithë qytetarëve për këtë projekt madhështor,” përfundoi ai.