Reçica: Zëri i Vasfijes theu heshtjen që na përcolli për shumë vite

19 tetor 2018 | 16:47

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka pritur të premten në takim Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.

Ministri Reçica ka përgëzuar Krasniqi-Goodman për kurajon dhe vullnetin për të rrëfyer ngjarjen e saj, duke u bërë zëri që theu heshtjen që na përcolli për shumë vite.

“Zëri yt është zëri i të gjitha atyre motrave dhe nënave tona që ndër shekuj kanë heshtur me gjëmën e tyre”, ka deklaruar ministri.

Ministri Reçica ka thënë se në kuadër të përpjekjeve institucionale, Qeveria ka themeluar komisionin për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.

“Kjo është e pakta çfarë mund të bëjmë dhe jemi të vetëdijshëm që nuk është e mjaftueshme. Nevojitet guximi ynë qytetarë dhe moral që të mos heshtim, të ngrisim zërin, ta themi të vërtetën me zë”, është shprehur ministri Reçica.

Gjatë takimit, në mënyrë simbolike ministri Reçica dhe kryetarja e komisionit qeveritar për verifikim dhe njohjen e statusit të të dhunuarve gjatë luftës në Kosovë, Minire Begaj, i dhanë Krasniqi-Goodman vendimin mbi njohjen e statusit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të premten ka pritur përfaqësues…