Refleksion: Çfarë është më e rëndësishme se qeveria?

28 dhjetor 2018 | 19:27

Prof. Lisen Bashkurti

Sot përjetuam një ndryshim të thellë të qeverisë tonë. Pjesa më e madhe e kabinetit qeveritar ndryshoi. Ky ndryshim erdhi si rezultat i veprimeve dhe lëvizjeve sociale të mëdha që nga protesta e kuksianeve deri tek lëvizja masive kombëtare e studentëve, që nga reagimet e minatorëve deri tek ato të naftëtarëve, që nga protesta e Astirit deri tek ajo e diasporës dhe emigrantëve.

Mbi të gjitha lëvizja shoqërore më tronditëse është ‘lëvizja e heshtur’, ose ndryshe lëvizja e largimeve masive nga Shqipëria e qindra mijëra të rinjve, intelektualëve dhe profesionistëve jetikë për vendin tonë dhe ekonominë e tij.

Baza e gjithë këtyre aksioneve dhe lëvizjeve shoqërore është kriza ekonomike dhe pasojat sociale mbi shtresat e ulëta dhe të mesme të shoqërisë shqiptare. Kriza ekonomike dhe pasojat sociale nga njëra anë kanë rritur pakënaqësitë, nga ana tjetër kanë ulur ndjeshëm besimin tek politika përgjithësisht dhe te qeveria posaçërisht.

Ndryshimet e përbërjes së kabinetit synojnë pikërisht të adresojnë këto dy sfida: uljen e pakënaqësive shoqërore dhe ngritjen e besimit te qeveria Rama. Heqja e ministrave ekzistues ishte racionale: për shkak të dështimeve në sektorët që kanë drejtuar, por edhe për shkak të perceptimeve dhe akuzave në rritje për afera korruptive. Ardhjet e reja ngelen për t’u parë.

  1. As partia, as burokracia, por cilësia

Emërimi i emrave të rinj erdhi nga dy burime: nga partia, pra nga politika dhe nga burokracia,  pra nga establishmentet e të njëjta dikastereve apo agjencive të ndryshme ekzekutive.

Më shume sesa nga partia dhe burokracia koha thërret për nga cilësia. Për këtë nuk kemi prova dhe fakte të mjaftueshme e njohura publikisht për ta vërtetuar.

Sikundër e pranoi vetë në fjalët e tij plot kundërthënie, kryeministri Rama, një pjesë e reformave të ndërmarra kanë ngelur në letër, pra të paimplementuara. Dhe kjo për shkak të paaftësive, papërgjegjshmërive dhe mungesës së integritetit.

Nga ana tjetër, vendi pret të hapen negociatat për anëtarësim në BE. Këto negociata janë sfidë kryekëput cilësie. Janë 35 kapituj për t’u negociuar. Kërkohen 35 ekipe negociuese me aftësi të larta të standardit evropian, ekspertë të ligjit, të aquis communitaires, ekspertë të fushave të kërkuara sipas kapitujve, zotërues të gjuhëve evropiane dhe me aftësi diplomatike negociuese. Nevojiten mbi një mijë e pesëqind ekspertë të gatshëm të përballen me një proces negocimi që do të zgjasë jo më pak se dhjetë vjet.

E mbi të gjitha administrata publike, në nivele qendrore dhe vendore, sikundër edhe aktorë të tjerë shtetërorë dhe jo shtetërorë, përfshirë shoqërinë civile, grupet e interesit nevojiten të jenë të përgatitura dhe të gjithëpërfshira në procesin e negocimit me BE-në. Cilësia mbetet përcaktuese në këtë aspekt. As partia e as burokracia, por cilësia.

  1. Jo qeveria, por parimet qeverisëse

Presidenti me idealist i ShBA-ve, Uillson njëqind vjet më parë theksonte se në demokraci më shumë rendësi se qeveria kanë parimet qeverisëse. Këto parime janë sanksionuar në Traktatin e BE-së.

Së pari, parimi i legjitimitetit. Ky parim ka të bëjë jo vetëm me rrugën e ardhjes në pushtet me votë të lirë dhe të ndershme, por edhe me mënyrën e qeverisjes, që lypet të mbetet demokratike dhe me integritet. Legjitimiteti nuk fitohet njëherë e përgjithmonë. Ai fitohet e humbet varësisht nga mënyra e ardhjes, por edhe nga mënyra e qeverisjes. Legjitimitetin e vendosin çdo dite qytetarët me mendimet, qëndrimet dhe veprimet e tyre.

Së dyti, parimi i transparencës. Ky parim ka të bëjë me administrim të financave publike, të projekteve publike, të aksesit të informimit publik si dhe të komunikimit permanent me opinionin publik dhe medial. Transparenca është oksigjeni i jetës politike e shoqërore në demokraci, është ajo që përbën diferencë të thellë me regjimet jodemokratike.

Së treti, parimi i përgjegjshmërisë, ose ndryshe i llogaridhënies. Ky parim nis nga kryerja e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore deri tek mbajtja e premtimeve dhe zotimeve përpara qytetarëve. Çdo cent i taksapaguesve lypet të raportohet çdo ditë e në çdo sektor dhe nga çdo individ që ka përgjegjësi publike. Llogaridhënie në çdo kohë, për çdo gjë, e para gjithkujt.

Së katërti, parimi i gjithëpërfshirjes. Ky parim buron nga natyra e sistemit demokratik. Baza e gjerë e pushtetit, e politikëberjes, e vendimmarrjes, e ligj-formimit, e ligj-zbatimit përbejnë bazamentin e qëndrueshmërisë politike, ekonomike, sociale dhe institucionale ne sistemin demokratik funksional. Kooperimi institucional, konsensusi politik, kombinacioni qeverisës, kohezioni social janë mekanizmat përmes të cilëve realizohet parimi i gjithëpërfshirjes.

Nëse qeverisjes demokratike te një vendi i mungojnë këto katër parime themelore evropiane atëherë asnjë lloj ndryshimi politik, kabinetesh apo individësh nuk sjellin ndryshime të vërteta cilësore në jetën politike, ekonomike e sociale, në dimensionet e brendshme dhe në ato të jashtme të shtetit.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Tina Laco Disa fjalë për Librin “Vražiji Posao -…