Rektori Kosumi inkurajon studentët të punojnë në hulumtime

11 janar 2018 | 15:47

Në universitetin publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur prezantimi i rezultateve të hulumtimit me temën, “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në anamoravë”, organizuar nga Fakulteti i Edukimit të UKZ-së.

Në këtë organizim përpos rektorit dhe stafit të UKZ-së, ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Heset Sahiti, drejtorë të drejtorive të arsimit në komunat e Anamoravës, drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme të kësaj ane, si dhe studentë të UKZ-së.

Rektori Bajram Kosumi në fjalën e tij ka përgëzuar studentët dhe profesorin e Fakultetit të Edukimit për punën e bërë.
Ai ka thënë se nga ky hulumtim përpos universitetit përfiton komuna dhe shoqëria në përgjithësi. Sipas tij, këto hulumtime mund të përdoren edhe për nevojat e tregut të punës.

Rektori Kosumi ka inkurajuar studentët dhe profesorët që të vazhdojnë të punojnë në këto hulumtime të cilat janë të nevojshme edhe për përgatitjen e tyre profesionale.

Nga ana e tij zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, në emër të ministrit Shyqyri Bytyqi ka përshëndetur punën e grupit punues, deri sa ka thënë se politikat e MASHT-it janë të orientuara në arsimin gjithëpërfshirës.

Ai ka thënë se arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor është një prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Një sistem arsimor i avancuar, gjithëpërfshirës dhe cilësor është një objektivë parësore e Kosovës për të ndërtuar standardet e një shoqërie demokratike, e cila investon në të ardhmen e saj”, ka thënë Sahiti.

Kurse profesori i Fakultetit të Edukimit në UKZ Mensur Neziri, ka prezantuar punën e hulumtimit, “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në anamoravë”.
Sipas tij, ky hulumtim është kryer në komunën e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe Ferizajt, ku janë marrë të dhënat për 30.9 % e mësimdhënës nga klasa I – V.

Në pyetjen e hulumtimit për mësimdhënësit se a janë të gatshëm të hartojnë plan individual i cili është i mbështetur në nevojat e nxënësve, 42% prej tyre janë deklaruar ‘PO’, ndërsa rreth 21% nuk janë të gatshëm të bëjnë një gjë të tillë.
Në pyetjen se, në klasën tuaj a keni ndonjë nxënës që kërkon trajtim apo kujdes të veçantë? 54% e mësimdhënësve janë deklaruar ‘PO’.

Kurse numri i nxënësve që kërkon trajtim apo kujdes të veçantë në klasë janë 1 deri 3 nxënës. Nëse marrim një mesatare nga mostra e përzgjedhur, numri i nxënësve me nevoja të veçanta në ciklin fillor, klasa I – V në Anamoravë është rreth 54% nxënës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës…