Remi e shpjegon statusin e tij si “dëshmitar i dyshuar” i Speciales

21 janar 2019 | 21:40

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ka folur për paraqitjen e tij tek Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs, në Hagë.
Remi ka treguar se pse ka zgjatur shumë marrja e tij në pyetje në Holandë.

“Interesimi i tyre, për mua është serioz. Nuk kam si t’i përgjigjem ndryshe, veçse seriozisht. Jam përgjigjur me mundësitë e mia, sa kam kapacitete serioze, siç e kërkon rendi”, ka thënë Mustafa në emisionin “Pressing”, në televizionin “T7”.

Ai ka treguar edhe si e ka marrë ftesën për paraqitje në Hagë.

“Ftesa më ka ardhur, mua personalisht, me telefon”, ka thënë Remi, duke treguar se ka komunikuar me dikë në anglisht.

I pyetur se në çfarë cilësie është marrë në pyetje, ai ka ripërsëritur deklaratën e tij se është “dëshmitar i dyshuar”.

“Gjykata Speciale është speciale, edhe termet janë special. Unë jam dëshmitar, për të dëshmuar mbi strukturimin dhe të bëmat e luftës aty ku kam qenë”, ka treguar Remi.

Ai ka shtuar se mund të jetë edhe i dyshuar për ndonjë rast.

Remi ka treguar se Specialja interesohet sidomos për qendrat ndaluese të UÇK’së.

Ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se nuk do të marrë avokat ndërkombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mijëra aplikacione do të fshihen muajt e ardhshëm nëse ato…