RËNIA HEROIKE E ALI AJETIT

30 maj 2020 | 21:15

(në shenjë shënimi të  31- vjetorit)

Basrie MURATI-SAKIRI

Nga vetë përmbajtja e ngjarjeve që janë zhvilluar atë ditë, 30 maj 1989, më kanë bërë ta quaj: “Ditë të pashlyeshme!”.

Pasi u përgatitëm mirë, dolëm të shkonim në demonstratë. Një rrebesh shiu filloi, por nuk zgjati shumë. Ne u përshëndetëm me njëri-tjetrin, sepse nuk dihej se a do të takoheshim më, apo jo. Nëna e Ali Ajetit ishte e fundit që na përshëndeti e përcolli jashtë oborrit të shtëpisë së bacë Ademit, babait të Aliut.

Pak para se të dilnim në rrugën kryesore të qytetit i shpërndamë transparentet. Transparentin me parullën “Kosova Republikë” ma dha Aliu mua me një buzëqeshje vendosmërie. Qysh duke i shkruar parullat natën e kaluar më pat premtuar, se do ta bënte një gjë të tillë. Ne ishim gati ta fillonim demonstratën.

Të dytën herë, kur u kthyem te shkolla, kishin dalë shumica e profesorëve të na shikonin. Ne brohorisnim pa ndërprerë: “Kosova Republikë!”, “Liri, barazi, demokraci!”, “Republikë, kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!”, e shumë parulla të tilla.

Sapo dolëm nga oborri i shkollës, hasëm në vështirësi. Ballë nesh, përafërsisht 100 m larg, vinte një grup i zi policësh të armatosur deri në dhëmbë.

Nuk dinim asgjë se ç’kishte ngjarë me shokët dhe demonstruesit tjerë. Menjëherë pas perëndimit të diellit, rreth orës nëntëmbëdhjetë, dikush nga shokët më tha të shkoja te shtëpia e Hafies, e cila ishte afër, që t’i dëgjoja lajmet dhe t’u kërkoja pak ushqim. Familja e Hafies më priti shumë mirë edhe pse ishin shumë të shqetësuar. Nëna e saj i përgatiti një bukë dhe dy-tri copa djathë që t’i merrja me vete. Në orën 19:00 në radio nisën lajmet. Për demonstratën që u mbajt në Podujevë, lajmi qe shumë i shkurtër. Spikerja e lajmeve raportoi, se pas demonstratës që ishte zhvilluar në qytet, policia kishte rrethuar fshatin Shtedim, ku kishte pasur shkëmbim zjarri nga të dy palët. Në fushat e fshatit Shtedim kishte rënë një demonstrues me emrin Arben Ajeti. Supozohej se kishte edhe shumë të plagosur.

No description available.

Lajmi për vrasjen e Arben Ajetit më shtangu. Nuk më dilte fjalë nga goja. Menjëherë më ra ndërmend se Aliu e mbante letërnjoftimin e vëllait të tij që e quanin Arben. Mos ishte Aliu, ai që ishte vrarë? Prapë nuk i besoja ose më mirë të them nuk doja të besoja. Mos e tha spikerja në radio, gabimisht? Qëndrova deri në fund të lajmeve. Spikerja përsëriti se ai ishte vrarë në rezistencë e sipër me policët.

Ta humbnim Aliun, shokun tonë më të mirë?! E pabesueshme! Përnjëherë më dilte përpara, se sa i gjallë, i mençur, trim, i fortë e çka nuk ishte ai. E mora bukën e mbështjellë me një qese najlloni dhe u nisa për të shokët. U përshëndeta me prindërit e Hafies, por nga emocionet nuk di se si jam përshëndetur dhe si kam dalë nga dyertë e oborrit. Lavrat e arave më janë dukur shumë të thella. Hapat më janë duk më të rëndë se asnjëherë më parë. Më pat humbur forca, kështu që, ai udhëtim prej 200-300 m më është dukur i pafund. Kur kam arritur te shokët, ata menjëherë më pyetën të shqetësuar:

“Çka ka të re?”. Unë nuk mund të nxirrja zë nga goja.

Jam përgjigjur vetëm pas herës së dytë që më pyetën: “Çka ka ndodhur? Pse u vonove?” Nuk e di as vet se si kam marrë fuqi dhe ua kam përcjell atë lajm të hidhur: “Në Shtedim kishte pasur përleshje te policisë me demonstruesit. Kishte edhe të plagosur. Ndër demonstruesit ishte edhe një i vrarë që e quanin Arben!”. Mandej nuk kam mundur të qes zë.

“Ueh, na e paskan vra Aliun bre!”, tha njëri prej shokëve. Në atë moment jo vetëm unë, por asnjëri prej nesh nuk ka mundur të nxirrte fjalë nga goja. Më vonë u thash se në radio lajmëroi, se tri-katër fshatrat rreth Shtedimit ishin të rrethuara nga njësitë speciale.

(Fragment i shkëputur nga libri “Gjurmë të pashlyeshme”. Të interesuarit, librin mund ta gjejnë në librarinë “Artini-Toena“ në Prishtinë. Në Zvicër mund ta porosisin direkt te “Libraria Shqiptare në diaporë” (https://www.librariashqiptare.ch/product-page/gjurmë-të-pashlyeshme).

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar…