Replikë me Sherifin e betejave të përbaltjes

24 shtator 2018 | 18:18

Adri Nurellari

Me sa duket z. Bilal Sherifi i paska djegur shkrimi kritik që kam bërë unë për debatin politik të përbaltjes personale në favor të përmbajtjes dhe duke u ndjerë protagonist e flamurmbajtës i të bërit politikë bazuar në sulmet personale, ka shkruajtur një replikë ndaj shkrimit tim. Për hir të së vërtetës po shpresoja që të ngjallja një debat reflektues me atë shkrim dhe të kontribuoja sadopak në ngritjen e nivelit të debatit duke synuar që të diskutohet sa më shumë për fenomene e më pak për persona.

Mirëpo fatkeqësisht në vend që të shtjellonte temën mbi nevojën për ta përqendruar debatin publik shkrimi i tij ngjan me një rrobë të grisur e shqyer, të mbushur me arna e vrima që nuk ke nga e kap më parë e që thjesht përfundon duke më sharë mua personalisht. Shkrimi i tij që hidhet degë më degë,  përbën një profeci vetë-përmbushëse sepse tregon kapsllëk ideor të nivelit më të rëndë që s’ka laksativ që t’i bëj derman sepse dëshmon një pamundësi për t’u marrë me ide por vetëm me njerëz. Në një far mënyre mund të shërbej si model, shabllon apo shembull ilustrativ klasik i komunikimit të përbaltjes.

Këtë replikë nuk po e shkruaj thjesht për t’u marrë me z. Sherifi, po për të sqaruar opinionin publik mbi shkrimin tim të cilin z. Sherifi ose nuk e ka lexuar duke u mjaftuar me titullin, ose nuk e ka kuptuar pasi e ka lexuar ose me dashakeqësi e keqinterpretuar për të justifikuar një sulm personal. Pra po e shfrytëzoj si një mundësi më shumë për të shpalosur bindjen time se në Kosovë debati ka nevojë që të merret më shumë me çështje konkrete se sa me thashetheme për njerëzit. Unë përpiqem të merrem me përmbajtje e jo përbaltje,  nuk merrem as për zakon e as për pasion me sulme personale ndaj të tjerëve sikurse dikush tjetër mund ta ketë hobi apo të vetmen gjë që di të bëj. 

Për këtë arsye nuk do të matem me etiketimet personale të z. Sherifi, nuk do e ul aq poshtë nivelin e komunikimit se aty ai më mund me përvojë. Po ashtu nuk mund të merrem me ato shprehje me tone fyese personale që ai përdor pasi nuk ka kundër-argument ndaj fyerjes. Fyerja është thjeshtë banalitet, është simptomë e mungesës së arsyes e dëshmi e mungesës së kulturës dhe edukatës personale. Ndaj dikujt që të fyen ti thjesht mund të thuash turp të qoftë  e kaq.

Prandaj pikësëpari më duhet të them se në polemikën e tij z. Sherifi ia ka huqur tërësisht argumentit që unë kam shprehur prandaj më takon që ta sqaroj lexuesin edhe njëherë për atë që synoja të përcillja nëpërmjet shkrimit tim.  Teksti i tij faktikisht më kujton  atë shprehjen e famshme të Konfucit, kur një i mençur tregon hënën ata që s’janë të mençur analizojnë gishtin. Në rastin e shkrimit tim unë përdora tendencën e tepruar të sulmeve personale ndaj Thaçit si një evidencë dhe ilustrim për të trajtuar një problem më të thellë e ç’është politika e bazuar mbi njerëzit e jo mbi idetë.

Fakti që qortova anti-thaçizmin, pra denigrimin dhe anatemimin e një personi protagonist të politikës, nuk do të thotë kurrsesi që po promovoja adhurimin e tij dhe ushqimin e një kulti personaliteti për të.  Përkundrazi, pjesa më e madhe e shkrimit tim është marrë hollësisht për nevojën që kemi për të vendosur në plan të parë të debatit idetë e vlerat e mos të përqendrohemi tërësisht tek personazhet kryesorë të lojës politike.

Sherifi dështon me sukses në përpjekjen e tij për të marrë kompetencat e një gjuhëtari duke thënë se përderisa kam përdorur prapashtesën izëm, padyshim që jam duke folur për një doktrinë  të re thaçizëm që, sipas tij, e kam lënë pa shpjeguar. Me këtë pretendim dëshmon njohuri të kufizuara gjuhësore pasi prapashtesa izëm nuk përdoret vetëm për doktrina filozofike, politike apo fetare apo për të vënë në dukje cilësi sikurse thotë ai.

Kjo prapashtesë me origjinë greke ka përdorim shumë më të gjerë e të larmishëm në formimin e emrave që tregojnë veprime, praktika, gjendje, situata, parime, teori shkencore, karakteristika, përkatësi aderime etj, etj. Kështu për shembull përdoret për të shprehur veprim apo proces si kriticizëm, apo plagjitarizëm; për të vënë në dukje paragjykim apo dallim si për shembull seksizëm, racizëm; për të përshkruar tipare të sjelljes si huliganizëm, barbarizëm; për të vënë një dukje një gjendje eksesi si alkoholizëm; tipare specifike të një personi si gjigandizëm; rryma artistike si kubizëm, impresionizëm; përkatësia tek një grup vlerash e parimesh si stoicizëm apo humanizëm; gjendje shëndetësore si autizëm; sporte me origjinë të një emri si çiklizëm, hipizëm; përdoret në gjuhësi si për shembull neologjizëm apo arkaizëm; veprime apo praktika specifike si terrorizëm etj, etj.

Në rastin e shkrimit tim sufiksi izëm, në fjalën anti-Thaçizëm nuk nënkupton detyrimisht prezencën e ndonjë teorie të re të filozofisë politike siç rreket të ironizojë Sherifi, por thjesht të përshkruaj e përcaktojë ata që i përkasin grupit të zërave nihilistë ose që kanë të shpeshtë praktikën e sulmeve ndaj Thaçit. Madje, ajo që e bën qesharake këtë ndërhyrje të Sherifit është se vetë titulli i shkrimit “Anti-Thaçizmi si dëshmi e shterpësisë së mendimit politik”  lë të kuptohet pa ekuivok se unë po flas për mungesë të një debatit ideor filozofik. Nëse do ta mendoja thaçizmin si ideologji politike apo doktrinë teorike e krahasuar me marksizmin apo leninizmin, atëherë si do të guxoja që ta quaja shterpësi të mendimit politik, kritiken e bërë ndaj një ideologjie të plotë e të kompletuar politike?! Fjalën shterpësi nuk e kam vendosur rastësisht por është aty për të shprehur mungesë përmbajtje mendimi dhe sulme emocionale personale.

Unë jam i vetëdijshëm që mes shumë shqiptarëve dominon një mënyrë daltonike pa ngjyra të te parit të botës bardhe e zi, pra e të analizuarit të problemeve në mënyrë dikotomike, ose je këtej ose je andej. Mirëpo shkrimi ishte krejt tjetërkund nga ajo që pretendon z. Sherifi, shkrimi është njëherazi edhe kundër demonizimit të individëve edhe kundër glorifikimit të tyre. Pra as për një retorikë që e nxjerr Thaçin si mishërimi i gjithçkaje të mirë e as për një që e nxjerr si mishërimi i të keqes. Është thjesht kundër dominimit të një diskursi politik bazuar tek përgojimet, thashethemet e sulmet ndaj personave në favor të një debate mbi ide e vlera. Prandaj po i ripërsëris disa fragmente nga ai shkrim për të dëshmuar se teksti i Z. Sherifi është krejt i kithët e pa kurrfarë lidhje me atë që propozoja unë.

Në shkrim unë nxirrja në pah se në kulturën politike të Kosovës nuk kemi nivelin e duhur “të kuptuarit të institucioneve e proceseve por vazhdon të dominojë vëmendja sjelljes e vullnetit të liderit.  Kjo bën që shumë qytetarë të kenë pritshmëri të ekzagjeruara dhe për rrjedhojë iluzione të tepruara ndaj udhëheqësve”.  Unë me tej theksoj “Duke u fokusuar kaq shumë tek liderët ne humbasim panoramën e plotë të realitetit dhe neglizhojmë vlerat dhe idetë. Vlerat janë të përjetshme dhe asnjëherë nuk të zhgënjejnë sikurse ndodh shpesh me qeniet njerëzore që prej natyrës së tyre janë të papërsosura dhe në mënyrë të pashmangshme bëjnë edhe gabime.”

Prandaj, shoqëria duhet të heqë dorë nga iluzionet për ardhjen e një lideri mesianik “për të pasur përmirësim të jetës e për t’i dhënë fund padrejtësive”, por të fokusohen tek ndërtimi i institucioneve liberal-demokratike dhe promovimi i vlerave kyç të këtij sistemi. Kjo do të thotë që shkrimi im jo vetëm që nuk promovon idenë e një absolutizmi personal të Thaçit, por krejt të kundërtën. Ai shkrim duket mirë e haptazi dhe nuk lë vend për dyshime e ngatërresa se është një deklaratë kundër çfarëdolloj forme të kultit të udhëheqësit. Përkundrazi është një thirrje për shembjen e idhujve e demistifikimin e liderëve dhe për mbështetjen tek vlerat e parimet. 

Me pak fjalë unë bëja një kritikë për debatin aktual të bazuar mbi personalitetin duke thënë se ai “merret me përbaltje e jo përmbajtje, merret me sulme personale e jo me rrahje idesh, merret me mesazhierin e jo me mesazhin, përqendrohet tek denigrimi i individit e jo tek kundër argumentimi ndaj propozimeve të shprehura. Dominimi në debatin publik i sulmeve kundër Thaçit është demonstrimi më i qartë dhe i prekshëm i një debati të bazuar kryekëput tek personalitetet e jo tek çështjet. Prandaj bëja një thirrje për një debat politik të bazuar në çështje që “vendos në plan të parë vlerat, idetë, parimet, propozimet, reformat, politikat konkrete apo vizionin për të ardhmen. Kjo lloj politike  përqendrohet mbi çështjet që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të një vendi dhe ofron zgjidhje që i adresojnë ato.”

Faktikisht në shkrimin tim edhe i kisha paraprirë reagimit të  personalizuar të z. Sherifi duke thënë se “Një mjedis politik të bazuar tek personalitetet debati dominohet më shumë nga psikanaliza e individit pra nga elemente të karakterit, personalitetit, sjelljet, tiparet fizike, biografia, familja,  temperamenti apo veçoritë  tij  të tjera psikike.”  Në rastin e tij, ai flet për ndërdijen time dhe merret gjerësisht me mua e jo me atë që them unë, pra bën ‘ad-hominem’ një argument i rremë apo dështim logjik që dominon debatin publik  dhe të te cilin e qortoja në shkrim.

Nëse unë do të përdorja këtë qasje ‘ad-hominem’ me insinuata të z. Sherifi do të duhej të thosha se ai si sh-shefi i kabinetit dhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit është prishur keq personalisht me të, me siguri për ndonjë ambicie të papërmbushur apo premtim karriere të parealizuar, e prandaj nuk humbet rast për ta sulmuar. Pra që sulmet e tij janë manifestime tipike arkaike të hakmarrjes ku për hir të marrëdhënieve personale të prishura Sherifi është i gatshëm që në mënyrë nihiliste të mohojë çdo kontribut të z. Thaçi e ta denigrojë personalisht sa herë që i jepet mundësia.

Një debat publik i personalizuar, i motivuar kryekëput nga inatet, hatërmbetjet, urrejtjet apo zilitë individuale është në mënyrë të pashmangshme është emocional e agresiv, gjë që eklipson arsyen e mendimin. Shprehja që inati të verbon nuk është vetëm thënie popullore por është edhe një pohim shkencor, sepse inati apo zemërimi nuk është thjesht një emocion që vërtitet në mendjet tona por shkakton ndryshime konkrete në trup.

Janë të panumërt librat apo artikujt që merren me inteligjencën emocionale që tregojnë se kur emocionet janë të furishme e të ndezura, zona e trurit përgjegjëse për emocionet amigdala, reagon në mënyrë të tepruar duke hedhur më shumë gjak në lobin frontal që është zona përgjegjëse për arsyetimin. Zakonisht lobi frontal mban ngarkesat emocionale të amigdalës në kontroll e të ekuilibruara mirëpo nëse ndodh ky vërshim i vrullshëm emocional, ai e nxjerr nga loja pjesën e trurit që merret me mendimin, planifikimin apo konceptualizimin dhe bën që njerëzit të reagojnë në mënyrë të paarsyeshme e destruktive.

Daniel Coleman e quan këtë proces rrëmbim të pjesëve të trurit prej amigdalës. Prandaj shkruaja se “ky lloj debati personal merr përmasa të zjarrta e të ngarkuara emocionale që e nxjerr krejt fare nga loja arsyen dhe logjikën e degradon madje në fyerje banale” dhe se zërat e përfaqësuesve të kësaj qasje “ta shesin si opinion atë që në fakt është emocion i tyre dhe ta shesin për analizë atë që në fakt është opinioni i tyre personal”.

Për sa i përket pretendimeve të tekstit të z. Sherifi për t’u marrë mes të tjerave edhe me çështjen e dialogut, më duhet të them se që edhe në atë rast ishte ilustrim, pra një “gisht” për të dëftuar “hënën” apo fenomenin e kostos publike që sjellin sulmet personale. Konkretisht kam shkruar “aq i fortë është sentimenti anti-thaçist sa kundërshtarët politik, për hir të marazit të papërmbajtshëm janë të gatshëm t’ia humbasin Kosovës këtë rrethanë historike vetëm për inatin e tij”.  Kam shprehur shqetësimin se “qëndrim absurd anti-person mund të rrezikojë që ta përsërisë vitin 2014 kur opozita atëhershme e la Kosovën pa ushtri prej inatit kundër Thaçit”. 

Por gjithsesi nuk kam hyrë në hollësi të opinionit tim për çështjen e dialogut në vetvete sepse dilte jashtë tematikës së shkrimit i cili synonte të fliste për dëmet që sjell politika e bazuar tek personalitetet e jo tek çështjet.  Ndryshe nga shkrimi i z. Sherifi, shkrimi im nuk ishte orvatje e ngelur në tentativë për të prekur shumë gjëra, pa thënë asgjë me vend por veç duke përcjellë emocione mllef e maraz. Për çështjen e dialogut e kam shprehur mendimin në media e besoj do të shkruaj hollësisht në mënyrë të posaçme shkrime më vete.

Në përmbyllje e ritheksoj edhe njëherë, që përtej tymnajës që hodhi mbi shkrimin tim z. Sherifi me artikullin e tij të ngarkuar me shpërthime emocione të hedhura rrëmujshëm, unë ngelem i bindur se politika jonë duhet të futet në një stad të ri zhvillimor e të përqendrohet më shumë tek çështjet dhe idetë sesa tek njerëzit. Unë e kuptoj se ka njerëz boll të cilëve iu leverdis status-quo-ja, sepse notojnë më së miri në këtë ujë të turbullt e të ndotur të jetës politike në Kosovë ku triumfojnë ata që janë më të shkathëtit për të njollosur më shumë kundërshtarin. Mirëpo unë jam i bindur që Kosova meriton shumë më shumë se një debat të dominuar nga sulmet personale. Kosova meriton një debat parashtrues e përmbajtjesor të merrej me çështjet që prekin më shumë qytetarët e saj.

Debati politik i bazuar tek personalitetet dobëson institucionet, infekton opinionin publik me negativitet dhe nuk ofron zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve. Ne duhet të distancohemi nga modeli i prapambetur i partive pa identitet të qartë që veprojnë si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara apo shoqëri aksionare, që kapin elektorat kudo që gjejnë mundësi të kapin, që kanë qasje populiste e përpiqen të jenë gjithçka për gjithkënd. Duhet të lëmë pas modelin e partive që mbështeten kryekëput tek individi, rrethi familjar, fisi, krahina si dhe rrjeti i patronazhit, klientelizmit e nepotizmit që ndërtohet gradualisht duke shfrytëzuar pushtetin. Prandaj, për të mirën e demokracisë do të duhej që të evoluonim kulturën politike në Kosovë drejt një debati mbi ideologji e të bëjmë presion që partitë të qartësojnë orientimin politik e të garojnë me vizion, ide, programe e platforma politike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erërat e forta që kanë kapluar të hënën Prishtinën, kanë…