Reshitaj merr përkrahje nga Zvicra në menaxhimin e resurseve ujore

26 prill 2018 | 11:14

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC, në udhëheqje të ekspertit të resurseve ujore Peter Koenig.

Pasi ka falënderuar për mbështetjen që qeveria zvicerane po jep në fushën e ujërave në Kosovë, ministrja Reshitaj ka prezantuar prioritetet e saj, duke filluar me ngritjen e kapaciteteve humane brenda Autoritetit Rregullativ të Pellgjeve Lumore, shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në tërë territorin e Kosovës, menaxhimin e duhur të burimeve ujore dhe riparimin e rrjetit ekzistues të ujësjellësit.

“Jam e shqetësuar për faktin se që nga viti 1984 nuk kemi studim të rrjedhave ujore nëntokësore dhe sipërfaqësore në Kosovë, dhe është e papranueshme që ne të bazohemi ende në këtë studim duke marrë parasysh që ndryshimet klimatike po shkojnë në disfavor të kapaciteteve ujore”, ka thënë ministrja Reshitaj.

Reshitaj ka paraqitur edhe iniciativën e saj për të zëvendësuar gypat e ujësjellësit me përbërje të asbestit, të cilët sipas ministres janë shumë të rrezikshëm dhe rrezikojnë shëndetin e mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Nga ana tjetër eksperti zviceran, Peter Koeni, ka përgëzuar ministren për angazhimin e saj në fushën e mjedisit e në veçanti në menaxhimin e resurseve ujore, mbrojtjen e tyre nga ndotja, rehabilitimin e shtretërve të lumenjve etj.

Ai ka premtuar se do të përkrahë ministren Reshitaj në realizimin e projekteve që ka iniciuar ajo duke përfshirë edhe përkrahjen për studentet e hidroteknikës në Universitetin e Prishtinës në zgjerimin e njohurive të tyre praktike si dhe në vetëdijesimin e qytetarëve për menaxhimin e duhur të ujit.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Meek Mill u lirua në fillim të kësaj jave nga…