Reshiti

06 shkurt 2022 | 09:03

Uran Krasniqi

 Ai ishte gjyshi im të cilin e njoha për dallim nga gjyshi tjetër që nuk e njoha. Baba Shit, siç e quanim, ishte babai i nënës sime. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi duke punuar në Gjermani.

Raporti ynë njohu fillim të keq, por përfundoi në nivelin më të mirë të mundshëm.

Në njërën prej ditëve të luftës dëgjuam se si forcat serbe e kishin vrarë një person me emrin Reshit Hima. Gruaja e gjyshit tim, Reshitit, pra gjyshja ime, e kishte emrin Fatime, po shkurtimisht ishte e njohur si Tima. Dhe dikush, që me humor, vetë kishte thënë se forcat serbe e kanë vrarë Reshit Timën, ma kishte atribuuar mua një deklaratë të tillë para Babës Shit, e cila më nxori jo pak telashe. “Çka po thotë, çka po thotë?”, – kishte thënë dy herë.

Një ditë, unë pa e ditur se atij i është thënë diçka e tillë, se si gjoja unë kam thënë se forcat serbe e kanë vrarë Reshit Timën, e përshëndeta. Dhe Baba Shit vetëm më shikoi dhe nuk ma ktheu. Mendova, ndoshta nuk më dëgjoi, ndoshta nuk është në humor të mirë, kushedi!

Më vonë provova prapë të flas me të dhe prapë nuk ma ktheu. Aty vërtetova që diçka nuk ishte në rregull në raportin tonë. Ku më doli kjo luftë e vogël me të në këtë luftë të madhe, thashë. Po mendohesha të dija çfarë mund të ishte. Arsye nuk gjeja. Thjesht nuk më kujtohej se çfarë kisha mundur të bëj që atij t’i ketë penguar ajo sjellje dhe të ketë vendosur të më injorojë.

Shkova te njëra prej tendave ku ishim të vendosur në malet e Turjakës dhe po e thërras nënën time. Po ia tregoj përpjekjen time për të folur me Babën Shit dhe injorimin e tij. Ajo kishte dëgjuar se si Babës Shit i kishin thënë se “Urani ka thënë se forcat serbe e kanë vrarë Reshit Timën” dhe se më është hidhëruar. – “Po nuk kam thënë unë”, – i thashë asaj. “Ti nuk ke thënë, por atij i ka shkuar ashtu”, – më tha nëna.

Me Babën Shit rrinim afër dhe me të gjithë fëmijët e tjerë fliste, vetëm me mua jo. Ndihesha shumë keq. Sidomos kur e dija që unë nuk isha autori i deklaratës. Qëndrimi ynë në malet e Turjakës zgjati dy muaj dhe dy muaj zgjati edhe injorimi i tij ndaj meje. Kur familja ime vendosi që nga malet e Turjakës të zhvendosej në Sferkë të Gashit, Baba Shit i përshëndeti të tjerët dhe vetëm mua jo. Relacioni ynë nuk kishte ndryshuar as pas përfundimit të luftës, sepse nuk ishim parë më.

Një ditë, pas luftës, xhaxhai im Rexhepi, të cilin Baba Shit e çmonte shumë, më tha: “Uran, a po vjen të shkojmë në Turjakë të rrimë me Reshitin?”.

Rexha nuk ishte në dijeni për rastin, se nuk më kishte rënë t’i tregoja. – “Po vij, i thashë, – por Baba Shit nuk më flet”. I tregova për ngjarjen në tërësi.

– “Kur të jesh me mua të flet”, – më tha Rexha.

Dhe shkuam.

Kur hymë në dhomën në të cilën rrinte Baba Shit, ai u ngrit në këmbë dhe u përshëndet me Rexhën. Me shumë siklet po e prisja injorimin e radhës. Por Baba Shit ma zgjati dorën, nuk më injoroi. Meqë e pashë se nuk më injoroi, përjetova një ndjenjë që nuk e kisha përjetuar më parë dhe më dolën lotët. Jo vetëm që më dolën lotët, por dola jashtë dhe nuk mund ta ndalja të vajin. Me siguri ishte mllefi për atë se si kisha paguar emocionalisht shtrenjtë për një faj të pabërë.

– “Ku shkoi djali?”, e kishte pyetur Baba Shit gjyshen time. “Thuaji që jemi ndreq tash”.

Dhe vërtet raporti ishte ndrequr. Nga aty relacioni ynë jo vetëm që u ndreq, por u shndërrua në një raport special në krahasim me raportet e tij me nipat e tjerë. Nisa ta vizitoj çdo javë. Kur e dinte që merresha me shkrime i pëlqente fort. Vetëm në biseda politike dhe historike më mbante. Nëse mungoja një javë, më thoshte: “Pse s’ke ardhur?” Edhe kur shkoja, prapë më thoshte “po vjen rrallë”.

Pasi erdha në Prishtinë në studime për një kohë të gjatë nuk arrita të shkoj. Gjithmonë e pyeste nënën time. Gjithmonë i kërkonte që ta vizitoja, po unë nuk arrija të shkoja.

Një ditë, në shkurt të vitit 2019, vendosa të shkoj së bashku me gruan dhe djalin tonë. Baba Shit, ani se djali i tij e thërriste përditë që të shkonte e të jetonte në Malishevë, kishte vendosur që të jetonte vetëm me gjyshen time në fshat. Kishte një krenari personale dhe familjare të fortë. I dukej sikur po shuhej në rast se do të zhvendosej nga Turjaka në Malishevë.

Kur u futa brenda pashë një ambient që dy pleq mbi 80 vjeç nuk mund të përkujdeseshin aq shumë për të dhe më dolën lotët. Jo vetëm që më dolën lotët, por përjetova ndjenjën e njëjtë sikur atëherë kur i kishim ndrequr raportet e që kisha qarë shumë.

Pasi e mora veten nisëm të flisnim. Më duhej ta ulja kokën kur më akuzonte se nuk e kisha vizituar gjatë. I pëlqyen fort gruaja ime dhe djali im.

“Mos e pi duhanin se nuk të don djali. Kur ta pish duhanin të vjen era e tani ky të largohet”, – më tha. E analizova këtë këshill dhe nuk arrita t’ia hedh poshtë.

Pas disa orësh ndejë, u përshëndetëm. Më tha ta vizitoja prapë. Vetëm pak muaj pas kësaj vizite Baba Shit vdiq.

Një fqinje e dajave, e cila kishte qëlluar aty kur kisha shkuar unë, i kishte thënë nënës sime: “Urani sikur ta dinte që ai do të vdiste vetëm pas pak kohe. Erdhi, e pa, qau dhe shkoi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 6 shkurtin e vitit 1999 i ka nisur punimet…