Resul Sinani: Tryezat e partive politike, humbje kohe

08 maj 2018 | 12:42

Zyrtari i lartë i Nismës Socialdemokrate, Resul Sinani, ka thënë se nuk është koha e konsensusit për mbajtjen e tryezave politike, por është koha e konsensusit institucional.

Ai ka thënë se tryezat e thirrura nga partie politike i takojnë shoqërisë civile. “Nuk është kohë e konsensusit të tryezave, por kohë e konsensusit institucional! Tryezat politike të ftuara nga partitë të cilat janë pjesë e institucioneve shtetërore, parlamentit dhe qeverisë, janë formë primitive e organizimit dhe debatit politik në krahasim me debatin brenda institucioneve, e sidomos debatit parlamentar, si institucioni më i lartë i vendit. Tryezat e tilla i takojnë shoqërisë civile, partive joparlamentare dhe organizimeve tjera shoqërore, por janë të pakuptimta të thirren dhe të organizohen nga partitë parlamentare, duke shmangur kështu tempullin e debatit politik – Parlamentin, për t’u zhvendosur nëpër salla hotelesh!”, ka shkruar Sinani në llogarinë e vet në “Facebook”.

Sinani ka thënë se këto tryeza janë vetëm humbje kohe. “Jemi në vitin 2018, me një histori tashmë më shumë se një dekadëshe institucionesh të pavarura shtetërore, e jo në kohën e ilegalitetit, apo të kohës para shpalljes së pavarësisë, prandaj çdo tendencë për të dalë jashtë institucioneve, nuk është e kohës dhe zhvlerëson institucionet shtetërore të cilat funksionojnë në bazë të përgjegjësive kushtetuese”

“Pra, nuk është kohë e konsensusit të tryezave, sepse ato nuk prodhojnë asgjë dhe e tëra është vetëm humbje kohe e asgjë më shumë! Ajo për të cilën ka nevojë vendi është konsensusi institucional, ku të gjithë i nënshtrohen dhe sillen sipas rolit kushtetues që kanë brenda Parlamentit si pozita edhe opozita, brenda Qeverisë të gjithë partneret e koalicionit e po ashtu secili bartës institucional në harmoni me përgjegjësitë që ia jep Kushtetuta”, ka shkruar Sinani.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Integrimit Evropian (MIE) ka organizuar një bashkëbisedim me…