Revolta kundër harresës
Shkruan: Isuf Sherifi
Kujtesa, trauma dhe dëshmia në romanin “Revolta e Syzifit”
Bardhyl Mahmuti, «Revolta e Syzifit», roman, Botoi Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Gjenevë – Prishtinë, 2026
Kronikë e një masakre dhe rrëfimi dokumentar
Romani më i ri i autorit Bardhyl Mahmuti, i shkruar në formën e romanit dokumentar, vjen pas romanit “Eskadronët e Vdekjes” dhe sjell rrëfimin e njërës prej qindra masakrave serbe në Kosovë – Masakrës së Poklekut të Vjetër. Më 17 prill 1999, në mënyrën më makabre, forcat e armatosura serbe ekzekutuan 57 civilë shqiptarë të të gjitha moshave. Personazhi « Syzifi » që është protgaonisti i rrëfimit, është Fadil Muqolli, të cilit në këtë masakër iu vra gruaja dhe katër fëmijët. Në kët masakër atij iu vranë edhe nëntë anëtarë tjerë të familjes, prindërit, katër motrat dhe gruan e vëllait me dy fëmijët e saj.
Ky roman është një nga ata libra që të mbërthejnë brenda botës së tyre, duke të shndërruar në personazh të rrëfimit; romane që, më shumë sesa lexohen, duket sikur të lexojnë ty. “Revolta e Syzifit” është një përballje e fuqishme mes kujtesës dhe harresës, mes dhimbjes dhe përpjekjes për ta artikuluar atë, mes së vërtetës së ndodhur dhe verbërisë së një bote që shpesh zgjedh të mos e shohë.
Teksa ky libër flet, lexuesi ndien sikur qëndron përballë një rëntgeni shpirtëror, ku drithërimat e trupit dhe kujtesa bëhen një me klithmat e Masakrës së Poklekut. Romani afrohet gradualisht derisa të mbërthen me makthin e një masakre që rikthehet pareshtur në vetëdije.
Në këtë pikë, romani i Bardhyl Mahmutit kujton atë që Primo Levi shkruante pas Auschwitz-it: “Ndodhi, prandaj mund të ndodhë përsëri.” Kjo fjali nuk është vetëm paralajmërim historik; është thirrje morale kundër harresës. Edhe romani “Revolta e Syzifit” ndërtohet mbi këtë ankth universal.
Syzifi shqiptar: revolta si qëndresë morale
Në qendër të romanit nuk qëndron më Sizifi si figurë mitike e dënimit të përjetshëm, por transformimi i tij në një figurë historike dhe kombëtare: Syzifi shqiptar. Ai nuk shtyn më vetëm gurin e absurdit, por barrën e trupave të djegur shqiptarë, barrën e kujtesës dhe të së vërtetës që bota shpesh përpiqet ta mohojë.
Ai shtyn kohën. Ai e bart atë.
Ai shtyn epokën. Ai bart historinë.
Ai shtyn kujtesën. Ai jeton me të.
Ai shtyn dhe bartë të drejtën e së vërtetës drejt një gjyqi moral, kombëtar e universal, që duket se, për momentin, nuk ka gojë, nuk ka sy, nuk ka veshë. Në këtë kuptim, romani është i thyer, si vetë përvoja që përpiqet të përshkruajë. Koha nuk rrjedh, ajo ngec. Ndalet. Ngurtësohet si akrepat e orës të cilët nuk matin më kohën, por traumën. Kjo orë nuk është më objekt; është metafizikë e dhimbjes. Në një nivel eksperimental, vepra funksionon si një arkiv emocional. Dokumenti dhe letërsia nuk janë të ndara; ato ndërthuren deri në pikën ku lexuesi nuk mund të dallojë më kufirin. Dhe ndoshta kjo është pikërisht ideja: kur realiteti është kaq brutal, çdo ndarje estetike bëhet e «pavlefshme». Fakti kërkon ndjeshmëri. Dhimbja kërkon formë.
Me të drejtë, njëri nga referuesit e romanit në ditën e përurimit të tij në Prishtinë, z. Ramadan Avdiu, do të nënvizonte se figura e Syzifit në roman shndërrohet në kundërshtim të absurdit. Nëse te Albert Camus absurdi pranohet si fat, te « Revolta e Syzifit » ai sfidohet si padrejtësi historike. Ai nuk pajtohet; ai nuk e pranon barrën si fat, por si padrejtësi të imponuar. Dhe pikërisht këtu lind revolta.
Në këtë frymë, vjen ndër mend edhe mendimi i Elie Wiesel: “E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca.” Pikërisht indiferenca është armiku që romani i Bardhyl Mahmutit e sfidon vazhdimisht. Sepse harresa nuk është gjithmonë mungesë kujtese; shpesh ajo është zgjedhje morale e shoqërive që nuk duan të përballen me të vërtetën. Rrjedhimisht, indiferenca është harresë dhe harresa me kohë shndërrohet në krim.
Kjo revoltë e vazhdueshme e Syzifit shqiptar shndërrohet kështu në akt rezistence etike. Ai nuk lufton vetëm për të kujtuar viktimat, por për të mbrojtur kuptimin njerëzor të kujtesës në një epokë ku e vërteta shpesh relativizohet.
Kujtesa kundër harresës: letërsia si dëshmi
Romani merr dimensionin e një kritike ndaj kujtesës së administruar. Ai shtron pyetje të rëndësishme: çfarë ndodh kur kujtesa institucionalizohet, pastrohet apo “restaurohet”? Në këtë pikë lexuesi nuk mbetet më spektator; ai bëhet dëshmitar. Dhe dëshmia është akt moral. Nuk mjafton të dish; duhet të mbash mend. Nuk mjafton të ndiesh; duhet të refuzosh harresën.
Një element veçanërisht i fuqishëm janë fotografitë, të cilat nuk shërbejnë si ilustrime, por si ndërprerje të vetë rrëfimit. Çdo fotografi është një çarje në tekst, një moment ku fjala dorëzohet përpara imazhit.
Përmes simbolikës së shtëpisë, varreve dhe ritualeve të kujtesës, autori tregon se kujtesa nuk është vetëm akt moral, por edhe formë rezistence përballë harresës. Kjo qasje i jep romanit dimension universal dhe e afron atë me veprat e Simon Wiesenthal.
Në këtë kontekst, merr peshë edhe mendimi i filozofes Hannah Arendt, e cila shkruante se: “Aty ku të gjithë janë fajtorë, askush nuk është fajtor.” Romani «Revolta e Syzifit» refuzon pikërisht këtë shpërndarje anonime të fajit. Ai e rikthen krimin në emër, në vend, në kujtesë dhe në përgjegjësi historike.
Po ashtu, romani duket sikur dialogon edhe me fjalët e George Santayana: “Ata që nuk mund ta kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë.” Kujtesa, në këtë vepër, nuk është nostalgji; është formë mbijetese morale dhe historike.
Në fund, ky roman nuk flet vetëm për të kaluarën. Ai sfidon të tashmen. Ai pyet: çfarë bëjmë ne me kujtesën?
A e ruajmë, apo e zbusim?
A e mbrojmë, apo e deformojmë?
Dhe mbi të gjitha: a kemi guximin të jemi Syzifi – jo ai që vetëm mbart barrën, por ai që refuzon ta harrojë arsyen pse ajo ekziston?
Sepse në këtë roman, revolta nuk është vetëm akt. Është gjendje e përhershme e kujtesës që nuk pranon të heshtë.
“Revolta e Syzifit” mbetet kështu jo vetëm një roman për një masakër, por një thirrje e fuqishme kundër heshtjes dhe harresës. Ai na kujton se kujtesa nuk është barrë që duhet shmangur, por përgjegjësi që duhet mbajtur. Sepse popujt që e mbrojnë të vërtetën e tyre, mbrojnë edhe dinjitetin njerëzor. Dhe ndoshta kjo është porosia më e thellë e romanit: se drejtësia mund të vonojë, por kujtesa nuk duhet të dorëzohet kurrë.



