Rexha: Do ta ruajmë epërsinë ndaj Prishtinës dhe Llapit

02 prill 2019 | 18:25

Autori i 13 golave në këtë kampionat, Kastriot Rexha, nuk është i shqetësuar për barazimin e Feronikelit ndaj Flamurtarit. Ai thënë se rëndësi ka fakti që skuadra nga Drenasi ka tri pikë më shumë se Prishtina dhe pesë më shumë se Llapi.

Skuadra e Feronikelit ka dështuar ta marrë maksimumin e pikëve në ndeshjen ndaj Flamurtarit (0-0), e cila është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Sulmuesi i skuadrës nga Drenasi, Kastriot Rexha, ka thënë për “Epokën e re” se synim i liderëve të elitës në këtë përballje ishin tri pikët, por edhe barazimi nuk është rezultat i keq, për faktin se “Nikli” mban pozitën e parë të IPKO Superligës së Kosovës në Futboll. “Për ne ndeshja me Flamurtarin ishte shumë e rëndësishme dhe synim kishim fitore, por edhe një pikë nga kjo ndeshje nuk është keq për klubin tonë sepse mbesim ende në pozitën e parë me tri pikë dallim me Prishtinën që është kundërshtare për titullin e kampionit. Kemi një mundësi të mirë që ta ruajmë epërsinë ndaj dy konkurrenteve për titull dhe normalisht se do ta shfrytëzojmë”, ka thënë Rexha.

Sulmuesin më të mirë në këtë kampionat në futbollin e Kosovës nuk e shqetëson shumë barazimi ndaj Flamurtarit dhe mosshënimi i golave në këtë ndeshje, pasi beson se në ndeshjen e radhës ndaj Ballkanit në mesjavë, Feronikeli do t’u rikthehet fitoreve.

“Ky rezultat nuk do të ndikojë aspak në ndeshjet e radhës, por do të na bëjë edhe më të mobilizuar për të mos lëshuar pikë të tjera. Ndeshjen e radhës e kemi ndaj Ballkanit në shtëpi dhe normalisht se presim fitore. Përndryshe, skuadra e Ballkanit është mjaft cilësore dhe ka futbollistë të dëshmuar. Ne e respektojmë maksimalisht, por pikët mbesin në Drenas”, ka shtuar Rexha. Feronikeli në 24 ndeshjet e zhvilluara deri tash ka arritur 17 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje dhe ka grumbulluar 56 pikë, kurse Prishtina është në pozitën e dytë me tri pikë me pak, derisa në pozitën e tretë është Llapi me 51 pikë. Ndeshja në mes të Feronikelit dhe Ballkanit zhvillohet të enjten nga ora 14:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mos zbatimi i të drejtave të pakicave në praktikë, mungesa…