Qosja nesër promovon librin “Dëshmitar në kohë historike”. Ja disa shkëputje se çfarë përmban ky libër

05 qershor 10:41

Nesër (e enjte) promovohet libri më i ri i akademik Rexhep Qosjes “Dëshmitar në kohë historike”, Ditari VIII, Koha e protektoratit (1999-2001).

Promovimi i librit bëhet në Institutin Albanologjik – Prishtinë, në orën 12:00.

Lajmin e ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” akademik Qosja.

Disa shkëputje nga ditari:

10.7.2000

Në diskutimin e tij Hashim Thaçi thotë se vetëm Ibrahim Rugova e mbështet Marrëveshjen e mirëkuptimit Kushner-Artemije, që e kthen Kosovën shumë mbrapa! Mjerisht kjo Marrëveshje ndoshta miratohet nesër në Këshillin e Përkohshëm Administrativ!

Të gjithë diskutuesit e kundërshtuan atë Marrëveshje.

Si më tutje? Sipas këtij mospajtimi me atë Marrëveshje?

– Mbledhja e sotme, – thotë Hashimi, – është vetëm konsultuese. Domethënë: për si më tutje as Hashimi vetë e as Partia që kryeson nuk paskan menduar!

Në diskutimin tim të shkurtër thash:

– Pse kjo mbledhje është vetëm konsultuese? Në këtë mbledhje do të duhej të krijohej qëndrim i përbashkët për shumë çështje për të cilat nuk i kemi njësuar qëndrimet. Dhe, ky qëndrim i përbashkët do të duhej të krijohej në konsultime me udhëheqjet e partive para se të mbahej kjo mbledhje. Kolegët e PDK-së dua t’i pyes: a e keni ngrirë pjesëmarrjen në të gjitha nivelet e strukturave të përbashkëta?

***

23.11.2000

Sot afër shtëpisë së tij është vrarë gazetari e publicisti i njohur, zëdhënësi i LDK-së, Xhemajl Mustafa.

Ky lajm i zi më tronditi shumë.

Xhemajl Mustafa ishte njeri i qetë, i urtë, nuk bënte keq, nuk fliste keq, shkruante për veprat letrare e shkencore të atyre me të cilët pajtohej dhe të atyre me të cilët mund të mos pajtohej politikisht. Ai kishte shkruar fare mirëkuptueshëm edhe për ndonjë vepër timen.

Kush mund ta ketë vrarë? Kush?

Nuk vriten krijuesit! Nuk vriten gazetarët!

Ç’është kjo dhunë shkatërruese, që po na rrezikon si popull! Edhe stacione të huaja televizive e japin lajmin për vrasjen e

Xhemajl Mustafës, për këtë vrasje më zi se kriminale! E dënoj me mendje e me shpirt këtë vrasje skajshëm tragjike.

14.6.2000

Me vonesë, diku rreth mesditës, marr vesh se Bernard Kushneri ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Mbrëmë ia kishte çuar atij një letër në Kukës, ku ai kishte mbërritur me shumë partizanë të tij, me të cilën e kishte njoftuar se nuk i lejohet hyrja në Kosovë. I pezmatuar, i pezmatuar dhe i fyer për shkak të kësaj ndalese, Sali Berisha, në stilin e tij bolshevik, do të deklarojë po në Kukës se:

– I gjallë ose i vdekur do të hyj në Kosovë!

Për fatin e tij dhe të familjes së tij, Sali Berisha menjëherë ishte nisur shëndosh e mirë për në Tiranë.

21.3.2000

– Jam shumë i befasuar, kolegë të nderuar, që institucionet e arsimit e të shkencës janë përjashtuar prej Buxhetit të konsoliduar të Kosovës. Ne kemi një Departament, që quhet Departamenti i Arsimit e i Shkencës, dhe ky Departament, siç e thotë edhe emri, përbëhet prej dy përbërësve institucionalë – prej arsimit dhe prej shkencës. Si është e mundshme, prandaj, që ky Departament të mos ketë trajtim të njëjtë në Buxhetin e Kosovës me departamentet e tjera, por një pjesë e përmbajtjes së tij, e quajtur shkencë, të përjashtohet prej Buxhetit! Unë nuk jam në gjendje ta kuptoj, dhe nuk jam në gjendje ta kuptoj sepse nuk ia gjej arsyet qëndrimit të tillë shpërfillës ndaj institucioneve tona shkencore! Pse ndodh kjo? Pse ndodh kështu? Cilat janë arsyet e kësaj shpërfilljeje?

Këto institucione shkencore, të quajtura Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Kosovës, Instituti i Historisë i Kosovës, janë institucione shkencore të themeluara prej Kuvendit të Kosovës, kurse tani i bën të paqena dikush që unë nuk po e di se kush është ai! As Këshilli i Përkohshëm Administrativ, as Departamenti i Arsimit dhe i Shkencës nuk i ka hequr prej regjistrit të rrogave as prej Buxhetit të Kosovës.

Kush i ka hequr?

Unë, si anëtar i këtij Këshilli, nuk kam mandat për mbylljen e institucioneve të lartpërmendura shkencore të Kosovës dhe këtë mandat edhe po të donte të ma jepte dikush unë kurrë nuk do ta pranoja.

Unë nuk pajtohem me qëndrimin e paraqitur këtu ndaj këtyre institucioneve.

Unë, jo vetëm nuk pajtohem, por edhe protestoj ndaj këtij qëndrimi.

15.3.2001

KTV-ja ka zhvilluar bisedë (intervistë) me Arbën Xhaferin. Gazetari, me pyetjet që i bën, i jep mundësi të nxirret nga lloçi në të cilin është zhytur në paraqitjet e mëparshme. Nxirret deri diku, vetëm deri te molla e gushës, kurse prej gushës e më lart – me sytë e me gojën mbetet në lloç! I dënon edhe më tej luftëtarët, por thotë se në Maqedoni ka probleme të pazgjidhura. Ka probleme të pazgjidhura, thotë Arbeni, kurse vetë merr pjesë në pushtetin që nuk i zgjidh ato probleme dhe dënon ata që kërkojnë vetëflijueshëm zgjidhjen e tyre! Kuku, Arbën, çka po bën!

18.8.2000

Ylli, Luani dhe Eduardi më flasin edhe për Historinë e Shqipërisë, që po punohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ende nuk e kanë vendosur se si do të quhet: Histori e Shqipërisë apo Histori e popullit shqiptar. I kanë ftuar disa historianë dhe disa anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që të diskutojnë rreth kësaj historie dhe u kanë propozuar që, mundësisht, të botohet si vepër e dy akademive. Ata të Prishtinës, thanë, e kanë propozuar Zekeria Canën si përfaqësues të historianëve të Kosovës në bisedën rreth kësaj çështjeje. Dhe, më tej, ata të Prishtinës kanë kërkuar që në këtë bisedë dhe në punën rreth historisë në fjalë Prishtina të jetë e përfaqësuar me aq autorë sa edhe Tirana! Por, teksti është pothuaj gati dhe nuk ka sesi të futen si autorë emra që s’kanë bërë punë! Dhe, më tej, thanë se janë posaçërisht shumë të befasuar nga sjellja agresive e njëfarë Hivzi Islamit. Gjatë bisedës, në një çast, ai farë Hivziu u ka thënë, i nevrikosur, tepër i nevrikosur, ndoshta i çekuilibruar:

– Kosova ua ka thyer hundën dy perandorive – otomane e serbe dhe do t’ia thyejë edhe Shqipërisë!

Kjo i ka lënë pa tekst akademikët dhe historianët e Shqipërisë, që po merrnin pjesë në bisedën me kolegët e tyre nga Kosova për tekstin e Historisë në fjalë. Por, pas disa çastesh, mbasi e kishte marrë veten, akademik Luan Omari i ishte drejtuar me këto fjalë atij:

-Ae di ti se çka po flet?!

Heshtje e gjatë.

***

Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike”, Ditari VIII, Koha e protektoratit (1999-2001).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot hapet panairi i 21-të i librit “Prishtina 2019” që…