“Reflektime në kohë krize”, investim në ndërgjegje

14 maj 2026 | 09:22

Xhevdet Pozhari

Libri “Reflektime në kohë krize” i Ardian Ramadanit hapet me një përballje të drejtpërdrejtë me keqkupti­min bashkëkohor të “mendimit të lirë”, i cili gjithnjë e më shpesh shfaqet si refleksion pa përmbajtje dhe jo si mendim kritik. Jo rrallëherë kritikat e ambalazhuara në petkun e lirisë, me ose pa vetëdije, përfundojnë në sinkron me makinerinë propagandistike që dëmton interesin kolektiv shqiptar. Autori e shpërfaq këtë shëmti me fakte. Gjuha e tij nuk është ndërgjegjësu­ese. Ai nuk ngrit gishtin, por ndez dritën e llogaridhë­nies.

Secili nëntitull i librit është një segment i realitetit shqiptar, i vendosur në dialog me përvojën e demo­kracive të zhvilluara perëndimore. Nga ky dialog lind kontrasti – jo për të nënçmuar, por për të nxitur reflek­tim. Përmes krahasimeve të sakta dhe të dhënave kon­krete, lexuesit i kultivohet delli i kritikës dhe i mpreh­tësohen shqisat e gjykimit të shëndoshë. Fenomenet zbërthehen troç, me kujdes dhe pa zbukurime, duke dëshmuar se realiteti i sotëm është produkt i një zin­xhiri të gjatë shkak-pasojë. Në thelb, libri synon ta zhvendosë lexuesin nga roli i vëzhguesit pasiv në atë të aktorit të vetëdijshëm. Sepse asgjë nuk ndodh ras­tësisht. Çdo zhvillim është pasojë e koncepteve ose mungesës së tyre. Në këtë frymë, brenga e autorit shtrihet përtej keqpërdorimit të fjalës së lirë. Ai prek një plagë më të thellë: mungesën e elitave të mirëfillta dhe të strategjive shtetndërtuese që do të orientonin brezat e rinj drejt një të ardhmeje të menduar e të qëndrueshme.

Ardian Ramadanit nuk i mjafton konstatimi. Ai merr përsipër përgjegjësi morale, duke shmangur retorikën e akuzës dhe duke hapur hapësirë për zgjidhje. Me durim analitik shpalos një nga një hallkat që kanë pen­guar hapërimin kolektiv të shqiptarëve me koncept dhe organizim, duke vënë në spikamë një të vërtetë të hidhur: shpeshherë rastësia ka qenë më përcaktuese se koncepti i mirëmenduar.

“Koha” është boshti rreth të cilit sillet kjo vepër. Autori e trajton atë si provë dhe si mundësi. Ai para­lajmëron për rrezikun e “ulërimës së injorancës” në një shoqëri ku zhurma shpesh e mbulon arsyen, ndërsa brezi i ri gjendet në një udhëkryq pa tabela orientuese. Përballë kësaj, ai sjell shembuj nga demokracitë e konsoliduara, duke rikujtuar se idetë i mbijetojnë kohës vetëm nëse mbillen me përgjegjësi sot.

Ky libër është më shumë se një përmbledhje refle­ksionesh. Është një investim në ndërgjegje. Një ecje nëpër kohë përmes përvojës dhe kujtesës, që synon të mbjellë farën e mendimit të shëndoshë te brezi i ri. Sepse vetëm përmes ballafaqimit me të vërtetën indi­viduale dhe kolektive mund të ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme.

“Reflektime në kohë krize” nuk ofron rehati iluzore dhe as përgjigje të gatshme. Ai kërkon mendim, kër­kon guxim dhe kërkon përgjegjësi. Në një kohë kur zhurma shpesh zë vendin e arsyes, ky libër zgjedh të qëndrojë në anën e qartësisë. Sepse shoqëritë nuk rrënohen nga mungesa e fjalëve, por nga mungesa e mendimit dhe nga mosballafaqimi me portretin kolek­tiv!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka ndaluar vendosjen e më shumë…