KUMTESË SHKENCORE: SISTEMI AUTOPOETIK I ADEM GASHIT
Me rastin e botimit dhe promovimit të opusit krijues në tetë vëllime (botim post mortem) të Adem Gashit
Dr. Emin Z. Emini, profesor universitar
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur miq, kolegë, studiues dhe krijues të letërsisë shqipe,
Para se të hyj në leximin e veprës së Adem Gashit, më lejoni të ndaj një kujtesë personale, e cila për mua ka peshën e një përgjegjësie të veçantë. Në dy përurime të tij si autor, i pari në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec dhe i dyti në Festivalin poetik të Prishtinës, ai kishte vendosur një kusht të vetëm e të pazakontë: të kishte vetëm një kumtesë dhe një zë interpretues.
Ky besim, në rrethana të tilla, më ishte dhënë mua. Dhe sot, në këtë përurim të opusit të tij, kjo nuk më duket më si një përzgjedhje e dikurshme, por si një vijimësi kuptimore ndaj një vepre dhe ndaj një zëri autentik krijues dhe, domosdoshmërisht, si një thirrje miqësie që e tejkalon rrethanën e dikurshme dhe vazhdon edhe sot si kujtesë e gjallë e një dialogu.
Në këtë përurim, ku kujtesa dhe rileximi i veprës së Adem Gashit ndërthuren në një akt të përbashkët interpretimi, prania e bashkëshortes së tij, zonjës së nderuar, Dritës dhe e familjarëve të tij të dashur, i jep këtij momenti një dimension të theksuar njerëzor, përkujtimor dhe reflektiv.
Të nderuar admirues të letrave shqipe,
Ka vepra që e tejkalojnë kufirin biografik të autorit, duke mbetur të hapura ndaj leximeve dhe rikonfigurimeve të vazhdueshme. Në këtë prizëm, botimi integral i opusit krijues të Adem Gashit në tetë vëllime përbën një akt të rëndësishëm kulturor e letrar, i cili nuk është vetëm ristrukturim kronologjik i veprës, por edhe një rishikim i vendit që ajo zë në hartën e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Krijimtaria e A. Gashit mund të përkufizohet si një sistem tekstual autopoetik, një univers që prodhon dhe riprodhon vetveten nëpërmjet ndërveprimeve midis formave, zhanreve dhe regjistrave diskursivë. Në këtë kuptim, ndarja në tetë vëllime nuk është vetëm editoriale, por një mënyrë për të bërë të dukshme arkitekturën e brendshme të këtij sistemi.
Në epiqendër të kësaj arkitekture qëndron dualiteti poet–prozator, gjithsesi jo vetëm si një ndarje gjinore, por si një marrëdhënie dialektike. Sadoqë A. Gashi është vlerësuar më shumë si poet, qoftë edhe për faktin se numri më i madh i veprave i përkasin poezisë, kujtoj se në krijimtarinë e tij, poezia dhe proza ndërhyjnë në territorin e njëra-tjetrës dhe e riformësojnë reciprokisht njëra-tjetrën: poezia funksionon si laborator i gjuhës, ndërsa proza si hapësirë reflektimi mbi vetë rrëfimin.
Në planin poetik, gjuha trajtohet si material estetik dhe epistemik, ndërsa figurat poetike nuk shërbejnë si ornamente, por janë mekanizma kuptimorë, ku ndërthurja e ndjenjës me mendimin krijon një formë hibride diskursive. Struktura poetike ndërtohet si rrjet raportesh tematike dhe motivore, ku kuptimi prodhohet nga ndërveprimi i gjuhës poetike, ritmit, intonacionit dhe figuracionit sintaksor.
Në prozë, A. Gashi e modulon narrativitetin tradicional përmes shtresëzimit diskursiv. Rrëfimi nuk ndërtohet gjithnjë mbi linearitetin e veprimit dhe logjikën shkak–pasojë, por shpesh mbështetet në fragmentaritetin dhe shumësinë e perspektivave. Subjekti narrativ zhvendoset nga një strukturë monologjike në një hapësirë dialogjike, ku kuptimi mbetet i shpërndarë dhe i hapur ndaj pluralitetit interpretativ. Edhe koha narrative paraqitet si një konfigurim kompleks, në të cilin ndërthuren e kaluara, e tashmja dhe imagjinata.
Në këtë kontekst, romani A-Zh: vetëtimat e nëntorit, (i ribotuar me titull Hija e diellit), përmbledhja me tregime Vdekja e mixhës dhe, veçanërisht Lakorja e fatit përfaqësojnë kulme të poetikës prozaike të autorit, duke funksionuar si laborator i teknikave narrative dhe meditimit metatekstual.
Një dimension i rëndësishëm i opusit të A. Gashit shfaqet në eseistikë, ku ndërthuren mendimi kritik dhe refleksioni personal. Në Nostalgjia e letrës dhe Portali i fshehtë i jetës (shënime nga shtëpia e Heinrich Böll-it), eseja shndërrohet në hapësirë kërkimi për kujtesën, identitetin dhe raportin me traditën evropiane, ndërsa ndërthurja e përvojës personale me referencat intertekstuale krijon një ligjërim me kulturën dhe vetveten.
Një tjetër element thelbësor në krijimtarinë poetike të A. Gashit është raporti me gjuhën. Bashkëjetesa e shqipes standarde me dialektet, sidomos gegërishten, përbën një akt të vetëdijshëm estetik dhe semantik. Në këtë rast mund të përmendet libri S’i duhet kujt gjaku im, ku ndodhet poezia Curriculum vitae, në të cilën bashkëfrymojnë gegërishtja me standardin. Trilogjia për Ledy Mak(th)beth dhe E shkrueme për kryeshpendin, mund të trajtohen në raport me vëllimet poetike, siç fjala vjen, Duke punuar autoportetin, Ditët pa gjë, Antologji e zezë, apo me botimin e fundit me lirika në të gjallë nga vetë autori, me titullin Edhe mund ta mendoja një tjetër titull.
Të nderuar pjesëmarrës të këtij përurimi,
I nderuar botues Armagedoni,
Në fund fare, do të thoja se, në planin kulturor, botimi në tetë vëllime, si një tërësi organike, përfaqëson një akt kanonizimi të krijimtarisë së Adem Gashit, i cili mbetet ndër figurat më sfiduese dhe më inovative të letërsisë shqipe bashkëkohore. Megjithatë, ky kanonizim nuk e mbyll veprën, por e riaktivizon atë si një sistem të hapur tekstual, që vazhdon të jetojë dhe të prodhojë kuptime nëpërmjet çdo leximi të ri kritik.
Sepse, në çdo rikthim te kjo vepër, ne nuk lexojmë vetëm Adem Gashin, por vazhdojmë dialogun me të!
Ju faleminderit!
Biblioteka Kombëtare e Kosovës
8 maj 2026



