Unitet me diversitet, unitet pa uniformitet. Përtej emrash e numrash
Shkruan: Blerand Stavileci
Ka momente në historinë e një force politike kur madhështia nuk matet me sa zëra ka, por me sa zemra arrin të bashkojë. Jo me uniformitetin që imponon, por me diversitetin që arrin ta kthejë në forcë. Pikërisht këtu qëndron madhështia që duhet ta karakterizojë PDK-në, sepse PDK-ja nuk lindi si projekt i një njeriu të vetëm. Nuk lindi nga komoditeti. Nuk lindi nga uniformiteti. Ajo lindi nga një epokë sakrifice, nga njerëz të ndryshëm që, në momentet më vendimtare të historisë së Kosovës, ditën ta vendosin idealin mbi vetveten.
Prandaj filozofia jonë duhet të jetë e qartë:
Unitet me diversitet, unitet pa uniformitet.
Përtej emrash e numrash.
Partitë e mëdha nuk kanë frikë nga dallimet. Përkundrazi. Ato ushqehen nga energjitë e ndryshme, nga mendimet e ndryshme, nga përvojat e ndryshme që bashkohen rreth një misioni të përbashkët.
E tëra është më shumë se shuma e pjesëve të saj dhe kjo është më e vërtetë se kurrë për PDK-në sot, sepse forca jonë nuk është vetëm tek individët, por tek aftësia për t’i bërë bashkë njerëzit rreth një ideali që quhet Kosovë.
Në shkencë ekziston një parim themelor: sistemet më të forta janë ato që kanë diversitet brenda vetes. Në biologji, organizmat më rezistentë janë ata që kanë shumëllojshmëri. Edhe shoqëritë e mëdha funksionojnë kështu. Edhe lëvizjet politike që mbijetojnë në kohë funksionojnë kështu. Prandaj PDK-ja nuk duhet të jetë një hapësirë ku njerëzit detyrohen të jenë të njëjtë.
PDK-ja duhet të jetë një shtëpi e madhe politike ku bashkohen njerëz me rrugëtime të ndryshme, me mendime të ndryshme, madje edhe me plagë e mosmarrëveshje të së kaluarës, por me të njëjtën dashuri për Kosovën. Sepse bashkimet e ribashkimet kanë një fisnikëri të rrallë. Ato tregojnë pjekuri. Tregojnë reflektim. Tregojnë se idealet e mëdha janë më të forta se hatërmbetjet e hidhura. Dhe le ta themi hapur: ka vend edhe për ata që dikur janë larguar, që kanë kritikuar, madje edhe për ata që kanë gabuar.
Madhështia nuk është të mbash njerëzit larg, është të kesh zemër të madhe për t’i afruar përsëri.
Nelson Mandela thoshte:
“Njerëzit e guximshëm nuk kanë frikë të falin për hir të paqes.”
Edhe politika ka nevojë për këtë guxim. Asgjë nuk ndërtohet mbi inate e hakmarrje. Ndërtohet mbi aftësinë për t’u ngritur mbi to.
PDK-ja duhet të jetë forca që unifikon. Forca që hap dyer. Forca që krijon ura. Jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes brezave, mes përvojës dhe energjisë së re, mes atyre që kanë qenë gjithmonë këtu, atyre që vijnë dhe atyre që rikthehen përsëri pranë idealit të përbashkët. Sepse në fund, askush nuk është më i madh se misioni. Asnjë emër. Asnjë individ. Asnjë ego.
“Përtej emrash e numrash” do të thotë pikërisht kjo: ta kuptosh se politika është kalimtare, ndërsa Kosova mbetet. Dhe historia nuk do t’i kujtojë ata që numëronin ndasitë. Historia do t’i kujtojë ata që bashkuan njerëzit kur vendi kishte nevojë më së shumti.
Sot Kosovës i duhet saktësisht kjo frymë.
Fryma e bashkimit. Fryma e besimit. Fryma e një force politike që nuk kërkon klone, por karaktere. Që nuk kërkon heshtje, por harmoni. Që nuk kërkon uniformitet, por unitet. Kur njerëzit bashkohen përtej krenarive personale, përtej mllefeve dhe përtej dallimeve, ndodh diçka e jashtëzakonshme: ideali bëhet më i madh se secili prej nesh. Në atë moment një parti nuk mbetet vetëm parti. Ajo bëhet bindje e pathyeshme. Bëhet besim i patundshëm. Bëhet shtëpi politike e të gjithë atyre që e duan Kosovën.
E kjo, pikërisht kjo, duhet të jetë PDK-ja. Sot, nesër dhe gjithmonë.



