Rexhepi: Sali Ramadani, sinonim i guximit, dijes dhe atdhedashurisë

20 shkurt 2018 | 10:51

Milazim F. KADRIU

Nën organizim të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me kryetar Abaz Osmani, në Institutin Albanologjik në Prishtinë është mbajtur tubim përkujtimor për Sali Ramadanin, deputeti shqiptar i cili në vitin 1997 shpalosi flamurin kuq e zi në Parlamentin e Maqedonisë.

Sali Ramadani ka lindur në vitin 1939 në Kërçovë. Ai ishte një protagonist i politikës në Maqedoni në periudhën nga mesi i viteve ’90 si deputet i PPD-së, më vonë i PDSh-së në Parlamentin e Maqedonisë.

Më 8 korrik të 1997 nga foltorja e Parlamentit të Maqedonisë nxori flamurin kombëtar shqiptar dhe e shpalosi në sallën e Parlamentit. Një pjesë e madhe e mediave dhe ekspertëve maqedonas për çështje juridike, që edhe sot janë protagonistë aktualë në politikë, kërkuan arrestimin e tij.

Kryetar i parlamentit ishte socialdemokrati Tito Petkovski, i cili reagoi ashpër, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve për heqjen e deputetit Ramadani nga foltorja.

Ai ka ndërruar jetë më 27 janar 2018, ndërsa LKSh-ja me një tubim përkujtimor nderoi jetën dhe veprën atdhetare të Sali Ramadanit.

Duke folur para të pranishëmve në këtë takim përkujtimor Sadri Rexhepi, ndër të tjera, tha: “Sali Ramadani – Kërçova njihet si veprimtar i devotshëm i çështjes shqiptare, sinonim i guximit, dijes dhe atdhedashurisë, i burgosur dhe i përndjekur nga pushteti që nga mosha studentore e deri në vitet e pluralizmit. Aktiviteti i tij politik ka filluar që në moshë të re, por ai intensifikohet në vitin 1968 me kandidimin për deputet të zonës, ndërsa një vit më vonë burgoset pas një procesi gjyqësor në cilin ai deklasoi politikën antishqiptare duke mbetur i palëkundur në qëllimet e veta, i guximshëm dhe energjik në veprime edhe përkundër presioneve të mëdha që pushteti monist i bënte në vazhdimësi”, ka thënë Rexhepi.

Për të shtuar se pas vitit 1981 Sali Ramadani – Kërçova bën një aktivitet të ngjeshur ilegal për sensibilizimin dhe mobilizimin e popullit shqiptar në kuadër të organizatës “Besëlidhja për çlirim kombëtar”. “Pas viteve ’90 ai kthehet në vendlindje dhe jep kontributin e tij në proceset politike që do të pasonin. Opinioni i gjerë tashmë e ka të njohur veprimtarinë e tij parlamentare dhe veprimet konkrete për të drejtat e shqiptarëve, siç ishte shpalosja e flamurit tonë kombëtar në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë më 8 korrik 1997”, ka thënë ai.

Më tej, Rexhepi ka theksuar se Sali Ramadani, pas luftës së fundit shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-maqedone, u mor kryesisht me shkrime dhe angazhohej për grumbullimin dhe botimin e atyre shkrimeve që iu kishin ndaluar për 30 vjet me radhë. “E sot kur Kosova frymon lirshëm pas dhjetë vjetësh pavarësie nga robëria shekullore serbosllave, po shkojmë drejt plotësimit të idealeve, synimeve dhe qëllimeve të përhershme të Sali Ramadanit. Të gjitha këto na detyrojnë të çmojmë, ta nderojmë e ta përkujtojmë me pietet të lartë këtë veprimtar të palodhshëm, punëtor e luftëtar të denjë të çështjes e të çlirimit kombëtar”, ka deklaruar Rexhepi.

Ndërsa Hydajet Hyseni ka folur për rolin dhe kontributin e ish të burgosurve politikë shqiptarë gjatë periudhave të ndryshme, në veçanti për rolin dhe kontributin e veprimtarit Sali Ramadani që për veprimtarinë e tij atdhetare ishte burgosur disa herë nga ish-sistemi monist.

Në emër të familjarëve, motra Nexhbedije i ka përshëndetur të pranishmit, kurse organizatorët i ka falënderuar për këtë tubim në nderim të jetës dhe veprës së Sali Ramadanit.

Abaz Osmani, në emër të LKSh-së, për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare i ndau mirënjohje veprimtarit tashmë të ndjerë Sali Ranadani – Kërçova. Mirënjohjen e pranoi Zylbije Ramadani, bashkëshortja e Sali Ramadanit.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohja e Kosovës është biletë për Serbinë për të hyrë…