Rezoluta dhe Komsioni Shtetëror për Negociata

06 shtator 2018 | 13:20

Shkruan:  Resul Sinani

Për fat të keq, po bëhet politikë me temën më të rëndësishme për vendin dhe kombin dhe atë në momentin më vendimtar!

Për fat të keq po kalkulohet politikisht dhe mbi bazën e sondazheve, duke rrezikuar të ardhmen e shtetit, duke rrezikuar tërësinë territoriale të vendit dhe duke rrezikuar të shembet ajo që është arritur me sakrificën e shumë brezave ndër shekuj!

Rezoluta, është lëvizje puro politike.

Përmes saj po synohet dëmtimi i imazhit të kundërshtarit politik dhe përmirësimi i imazhit të vet. Miratimi i rezolutës, thjesht është arritje e një qëllimi politik të momentit, ndoshta mund ta quajmë edhe një fitore simbolike e momentit për propozuesit e saj, por siç dihet rezoluta nuk është në nivelin e kushtetutës, e kushtetuta shprehet qartë lidhur me sovranitetin e vendit dhe tërësinë territoriale.

Është naivitet t’i besohet më shumë një rezolute se sa kushtetutës, ashtu siç është naivitet të insistohet në zbatimin e një rezolute më shumë se në zbatimin e kushtetutës.

Rezolutën mund dhe në rrethanat e krijuara duhet ta votojnë të gjithë deputetët shqiptarë (sepse nuk prish punë asgjë sado që nuk e shoh të nevojshme), por më shumë se vota e tyre për këtë rezolutë, është i rëndësishëm vullneti i tyre për të krijuar KONSENSUSIN NACIONAL për Komisionin Shtetëror për Negociata të Kosovës dhe përmes tij Kosova të flasë me NJË ZË LEGJITIM me Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar.

Miratimi i rezolutës nuk e ndalon presidentin Thaçi (shenjë nuk ia lë) që të vazhdojë të takohet me presidentin Vuçiq dhe të flasë e besa edhe të negociojë, ndërsa kushtetuta ia ndalon të negociojë çfarëdo marrëveshje në emër të Kosovës, kurse miratimi (votimi në parlament) i Komisionit Shtetëror për Negociata do t’ia hiqte këtë mundësi presidentit Thaçi dhe do të përbënte adresën legjitime dhe me përgjegjësi shtetërore për të negociuar me Serbinë për të gjitha temat e hapura, mbyllja e të cilave do të na qonte drejt marrëveshjes përfundimtare dhe të obligueshme ligjërisht për të dyja vendet.

Komisioni Shtetëror i udhëhequr nga Kryetari i NISMA-s Socialdomokrate, Fatmir Limaj, i miratuar në Qeveri duhet të plotësohet nga OPOZITA dhe Shoqëria Civile, dhe duhet të votohet e të legjitimohet si trupë e vetme shtetërore KONSENSUALE që do të bisedonte dhe negocionte me Serbinë! Koha dhe mënyra se si është propozuar, mund të mos jetë më e mira, por nuk ka kohë për të humbur dhe pjesë e ekipit duhet të bëhen sa më parë edhe partitë opozitare. Z. Limaj, duke pranuar që të kryesojë këtë ekip, ka marrë mbi vete një barrë shumë të rëndë dhe një përgjegjësi shumë të madhe, e gjithashtu ka vënë në rrezik personalitetin e tij politik por edhe partinë NISMA Socialdemokrate. Mirëpo, ka marrë vendimin e duhur, sepse ka vënë në shërbim të vendit edhe personalitetin e tij edhe të partisë, me bindjen se kjo është rruga që duhet ndjekur dhe ky është vendimi që duhet marrë për t’i shërbyer vendit. Natyrisht, epilogu i gjithë këtij procesi do të japë përgjigjen më të mirë, mirëpo në një moment kaq të rëndësishëm dhe delikat për vendin, nuk mund të jesh në politikë e të bësh sehire, duke denoncuar dhe duke kritikuar, pa marrë përgjegjësinë politike dhe qytetare që të takon, në mënyrë që atë ta vësh në shërbim të vendit tënd.

Jam i bindur, se LEGJITIMIMI ME VOTËN e Kuvendit i Komisionit të udhëhequr nga z. Limaj, është rruga më e mirë e mundshme e momentit, për të minimizuar dhe për të kontrolluar rolin e supozuar destruktiv të presidentit Thaçi, dhe për të parandaluar që të bisedojë për territore (siç është e bindur opozita dhe opinioni publik), e jo duke e kundërshtuar dhe duke e kritikuar, por në anën tjetër duke e lënë atë si zërin e vetëm që bisedon dhe negocion me presidentin Vuçiq.

Është papërgjegjësi politike, që i gjithë veprimi politik i opozitës të jetë deklarativ dhe i fokusuar në luftimin e presidentit Thaçi, dhe refuzimi i saj që të bëhet pjesë e negociatave në të cilat bëhet fjalë për një marrëveshje historike përmes së cilës synohet t’i jepet fund armiqësive shekullore shqiptaro-serbe, dhe e cila do t’u hapte rrugën e integrimeve euro-atlantike të dy vendeve, por sigurisht në radhë të parë Kosovës. Duhet të bëhet dallimi elementar i luftës së brendshme politike për pushtet dhe dialogut me Serbinë në këto momente!

Në bisedime të tilla, partitë opozitare do të duhej të insistonin me ngulm që të jenë në tryezë, edhe nëse dikush do të tentonte t’i përjashtonte, e jo të luten për të marrë pjesë. Në këto negociata Kosova nuk guxon të dështojë, prandaj duhet të jenë të gjithë bashkë, e jo një pjesë, në këtë rast opozita të ‘këqyrë seri’ dhe të presë dështimin e negociatave, të cilin do ta materializonte me fitore politike përmes së cilës do të vinte në pushtet. Nuk e do Kosovën ai që dëshiron të vijë në pushtet pas një dështimi të Kosovës në këtë proces, Kosovën e do ai i cili bëhet pjesë e procesit dhe lufton për të atje ku është vendi, lufton kundër Serbisë e jo kundër njëri-tjetrit për interesa meskine dhe të çastit. Prandaj, Kosova më shumë rrezikohet nga mospjesëmarrja e opozitës në ekipin e z.Limaj, se sa sa mosmiratimi i Rezolutës (sepse Kushtetuta e ka të qartë çështjen e sovranitetit dhe integritetit të shtetit). Ndërsa, unë mendoj që si rrugëdalje e momentit do të duhej të miratoheshin të dyja, si një paketë e vetme, edhe Komisioni edhe Rezoluta. Përndryshe, të gjitha deklarimet e djeshme të opozitës, ishin deklarime të ulëta për qëllime të ulëta, e jo për të mirën e vendit dhe në nivelin e përgjegjësisë që e kërkon procesi dhe koha, sepse për të mirën e vendit duhet Konsensus dhe Unitet, e jo ndarje, apo aq më pak mjegull dhe fake new, sepse për atë dihet kush është specialisti!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme që vjen nga radhët e…