Rezoluta për Srebrenicën do të tërheqë vëmendjen edhe për krimet në Kosovë

22 maj 2024 | 21:12

Shkruan: Besa Ismaili

Në mbështetje të Rezolutës për shënimin e gjenocidit të Srebrenicës e cila pritet të votohet nesër në Asamblenë Parlamentare të OKB-së

𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝐝𝐨 𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈𝐫𝐡𝐞𝐪𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐦𝐞𝐧𝐝𝐣𝐞𝐧 𝐞𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐤𝐫𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈

Pas Srebrenicës, Kosova përjetoi krimet më të rënda të luftës, si masakrat në Mejë (që shpesh quhet ‘Srebrenica e Kosovës’), Raçak, Likoshan, Qirez, Prekaz…
Shpallja e ditës së përkujtimit për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë do të shërbente si kujtesë dhe përkujtim për rëndësinë e të mësuarit nga historia dhe përpjekjet e vazhdueshme për të parandaluar krime të ngjashme në të ardhmen, thotë autorja. (REUTERS/Dado Ruvić)
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të votojë nesër më 23 maj 2024 për një rezolutë mbi gjenocidin në Srebrenicë, i cili mbetet një nga krimet më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Rezoluta, e propozuar nga Gjermania dhe Ruanda dhe e bashkë-sponsorizuar nga shumë vende të tjera, duke përfshirë SHBA-në dhe Bosnje-Hercegovinën, ka për synim shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës.
Rezoluta bën thirrje gjithashtu për ndalimin e mohimit të gjenocidit dhe ndalimin e lavdërimit të krimeve të luftës dhe të atyre që janë përgjegjës për kryerjen e gjenocidit.
Rëndësia e ballafaqimit me të kaluarën
Rezoluta për përkujtimin e Srebrenicës është tejet e rëndësishme për njohjen e krimeve të së kaluarës dhe nderimin e viktimave të këtyre krimeve dhe familjeve të tyre. Ajo dërgon një mesazh të fortë se akte të tilla të urryera nuk do të tolerohen më në të ardhmen dhe inkurajon pajtimin dhe shërimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë njohu gjenocidin e kryer në Srebrenicë në vitin 1995, në rajon mbretëron mohimi dhe revizionizmi, i cili ka nxitur ndarjet etnike dhe gjuhën e urrejtjes, në vend të paqes dhe solidaritetit.
Situata aktuale në Ballkanin Perëndimor shpërfaqë edhe më shumë nevojën dhe rëndësinë e përballjes me të kaluarën dhe punës drejt pajtimit. Shumë nisma rajonale, duke përfshirë Komisionin e së Vërtetës, nuk kanë qenë mjaftueshëm të suksesshme në adresimin e pasojave të vazhdueshme të gjenocidit. Shpallja e një dite të shënuar ndërkombëtarisht kushtuar Srebrenicës do të kishte efekte pozitive në aspekte të ndryshme.
Para së gjithash, një ditë e tillë nderon viktimat dhe sjellë një ndjenjë drejtësie për ata që janë prekur nga ato ngjarje të tmerrshme. Gjithashtu, përçon një mesazh të qartë se komuniteti ndërkombëtar qëndron i bashkuar kundër gjenocidit dhe formave të tjera të dhunës masive.
Më tej, shpallja e Ditës së Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës do të shërbente si një kujtesë edhe për rëndësinë e të mësuarit nga historia dhe përpjekjet për të parandaluar krime të ngjashme në të ardhmen. Vetëm duke mësuar dhe pranuar të kaluarën mund të punojmë për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe paqësore për brezat që do të vijnë.
Shpallja e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës ka disa ndikime të rëndësishme në rajonin e Ballkanit në tërësi, e veçanërisht në Kosovë, e cila më 7 nëntor 2021 miratoi Rezolutën për Srebrenicën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila e dënon mohimin e gjenocidit.
Mbështetja e fundit për këtë rezolutë në OKB erdhi nga lidershipi i saj politik, si në pushtet ashtu edhe në opozita kosovare.
Me përkujtim kundër përsëritjes së gjenocidit
Pas Srebrenicës, Kosova përjetoi krimet më të rënda të luftës, si masakrat në Mejë (që shpesh quhet ‘Srebrenica e Kosovës’), Reçak, Likoshan, Qirez, Prekaz…
Miratimi i Rezolutës do të tërhiqte vëmendjen për krimet e kryera gjatë luftës jo vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Kosovë, dhe do të dërgonte mesazh të fuqishëm kundër krimeve në të ardhmen dhe do të ishte me rëndësi vendimtare për shërimin dhe pajtimin e popujve në rajon.
Tre dekada nuk ishin të mjaftueshme që shoqëritë të fillonin të përballeshin me ngjarjet traumatike të së kaluarës dhe të punonin së bashku për të ndërtuar një shoqëri më paqësore.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të qëndrojë e bashkuar kundër gjenocidit dhe të punojë për një botë më të drejtë dhe më paqësore.
Dështimi i mundshëm i Rezolutës së Srebrenicës në Asamblenë Parlamentare të OKB-së, mund të ketë pasoja negative për përpjekjet për ndërtimin e paqes në Ballkan.
Dënimet serbe të krimeve ishin tejet simbolike dhe dështimi i Rezolutës do të mund të shihej si një sinjal për luftënxitësit, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e kërcënimeve të sigurisë, siç e kemi parë në veri të Kosovës.
Shpallja e një dite për Srebrenicën do të ndihmonte në uljen e dëshirës për konflikte. Bota po përjeton mjaft konflikte të dhunshme dhe kriza humanitare, dhe Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë për më shumë konflikte. Duke përkujtuar, ne sigurojmë që historia e fundit të mos përsëritet dhe të mos rishkruhet.
Pikëpamjet e shprehura në këtë tekst janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Al Jazeera.

*Besa Ismaili është profesoreshë e gjuhës angleze, politikane, studiuese dhe aktiviste për të drejtat civile. Ajo ishte edhe deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, duke diskutuar qëndrimin e Presidencës…