Rezultati i Podujevës mund t’i përshpejtojë zgjedhjet e reja

01 dhjetor 2020 | 11:32

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës tregon se zgjedhjet e reja në nivel vendi janë të pashmangshme. Ata kanë deklaruar se mesazhet që dërguan qytetarët e kësaj komune për koalicionin qeverisës ishin të qarta.

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për “Epokën e re” se ky rezultat mund ta përshpejtojë mbajtjen e zgjedhjeve nacionale. “Rezultati që ka dalë nga zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës është tregues shumë i qartë se LDK-ja duhet të dorëzohet dhe të merret vesh me partitë e tjera për ta çuar vendin në zgjedhje të reja”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka vlerësuar që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e reja aq më mirë është edhe për partitë e koalicionit qeverisës. “E kuptoj se ky rezultat do t’i frikësoj edhe më shumë partitë e koalicionit qeverisës. Por, kurdo që ato zgjedhje do të mbahen, rezultati i tyre do të shkojë në dëm të këtyre partive. Sa më shpejt që mbahen zgjedhjet është më mirë për partitë e koalicionit. Përndryshe, nëse vazhdojnë duke e arnuar qeverinë dhe duke vazhduar me arrogancë qeverisjen, besoj se do të dalin më keq në zgjedhje”, është shprehur ai, duke shtuar se fryma që po mbretëron tani te qytetarët do të shkojë duke u rritur. “Ajo çfarë ka ndodhur në Podujevë ka treguar një frymë që është duke mbretëruar te qytetarët e Kosovës. Kjo frymë do të vijë duke u forcuar e jo duke u zbehur. Qysh po shihet, qeverisja në vend nuk do të vijë duke u përmirësuar, sepse sfidat do të jenë edhe më të mëdha. Kështu që, në bazë të kësaj logjike, sa më shumë të zvarriten zgjedhjet e reja, do të jetë më keq për partitë e koalicionit qeverisës”, ka deklaruar Imeri.

Edhe analisti tjetër politik Blerim Latifi ka thënë se gara për Podujevën nuk ishte në mes të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atij të LDK-së. “Gara në Llap nuk ishte midis Bulliqit dhe Rudarit. Ishte midis Kurtit dhe Veliut. Kurti e ka në dorë një kartë me të cilën do t’i mund të gjithë në zgjedhje: imazhin e politikanit të pakorruptueshëm. Dhe derisa nuk e konsumon një mandat në pushtet, ky imazh i tij veç do të vazhdojë të fuqizohet. Kot ia përplasin fytyrës shkeljet e abuzimet që zyrtarë të tij i bëjnë herë pas here”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Kurse opinionisti Dardan Sejdiu ka vlerësuar se ky rezultat i bën zgjedhjet e parakohshme nacionale të domosdoshme. “Urime Shpejtim Bulliqit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet lokale në Podujevë! Rezultati në Podujevë tregon se zgjedhjet edhe në nivel nacional janë të domosdoshme”, ka shkruar Sejdiu në profilin e vet në “Facebook”.

Rezultatin e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës e ka komentuar edhe analisti tjetër politik Jusuf Thaçi. “Humbja e LDK-së në Podujevë, në bastion, pa balotazh, madje me diferencë të madhe, tregon se për masakrën që i ka bërë vullnetit qytetar më 6 tetor 2019, LDK-ja do të ndëshkohet fuqishëm nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka shkruar ai në “Facebook”. Sipas tij, zgjedhjet e reja duhet të organizohen sa më shpejt. “Kjo humbje e LDK-së është delegjetimim i fundit i qeverisë aktuale të Kosovës. Prandaj, zgjedhjet parlamentare duhet të organizohen sa më parë në Kosovë. Sa më gjatë që do t’i prolongojnë këto zgjedhje aq më shumë mund të ndëshkohen”, ka shkruar ai.

Fitorja e thellë e LV-së në komunën që ishte bastion i LDK-së për dekada, ka entuziazmuar edhe zyrtarët e partisë së Albin Kurtit. Anëtarja e Kryesisë e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se partitë politike të cilat e injorojnë vullnetin e popullit do ta pësojnë më keq në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale. “Sa më shumë që injorojnë mesazhin dhe vullnetin e popullit aq më keq do ta pësojnë në zgjedhjet e ardhshme nacionale e lokale. Ndryshe, mbrëmë për herë të parë pas dy dekadash qeverisje, Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi humbje në zgjedhjet për kryetar të komunës. Shpejtim Bulliqi i LV-së e mundi bindshëm Nexhmi Ruadrin e LDK-së, duke bërë që pas shumë vitesh të ndryshojë qeverisja në Llap”, ka shkruar Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur…