Rezultati i punës për njohje do të shihet në 2019-n  

01 janar 2019 | 13:00

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se rezultati i punës së madhe që është bërë këtë vit për njohje të reja do të shihet në vitin 2019.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka treguar se është duke u punuar për ta marrë njohjen nga gjashtë shtete të mëdha. Pacolli nuk ka përmendur emrat e këtyre shteteve, por ka treguar se po punohet me shefat e këtyre vendeve.

Ai në këtë intervistë ka dhënë edhe arsyet pse kanë munguar njohjet në vitin 2018.

Sipas tij, në këtë drejtim kanë ndikuar gjeopolitikat e reja dhe rritja e ndikimit kinez dhe atij rus në disa kontinente.

Muhamet KOCI

“Epoka e re”: Z. Pacolli, si po e përmbyll Republika e Kosovës këtë vit në aspektin e politikës se jashtme?

Pacolli: Përmbyllja e këtij viti mund të konsiderohet specifike. E quaj kështu sepse nuk janë realizuar pritjet tona, sidomos sa iu përket njohjeve, edhe pse duhet ta pranojmë se procesi i njohjeve është jashtëzakonisht i ndërlikuar. Kjo nuk do të thotë se duhet të ndalemi, përkundrazi ne kemi punuar dhe po punojmë. Në këtë aspekt, ne kemi qenë aktivë me shtete shumë të mëdha, sidomos në kontinentin e Afrikës, aty ku ka shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, disa prej këtyre shteteve të mëdha e me ndikim në atë kontinent. Në mesin e tyre kemi shtete si Afrika e Jugut, Mozambiku, Zimbabveja, Zambia, Uganda, Kenia, Etiopia, dy Kongot, Sudani i Veriut. Mos të flas për tri shtetet arabe të Afrikës Verior.

“Epoka e re”: Megjithatë, këtë vit e kemi pasur vetëm një njohje.

Pacolli: Nuk kemi arritur të kemi njohje edhe për shkak të një aspekti tjetër. Bota tashmë është polarizuar sipas gjeopolitikave të reja, disa prej tyre tradicionale. Shembull në Afrikë ku përpara ka pasur një ndikim jashtëzakonisht të madh Evropa Perëndimore dhe ShBA-ja, fatkeqësisht sot nuk është ashtu. Ky kontinent për shkak të rrethanave ekonomike ka rënë jashtëzakonisht shumë nën ndikimin kinez. Në Afrikë është pothuajse e vështirë ta gjesh një shtet pa përqindje dyshifrore të pranisë së kompanive të mëdha kineze. Ju mund ta paramendoni se çfarë ndikimi ekonomik kinez është te këto vende. Rrjedhimisht, ky ndikim ekonomik transformohet edhe në pozicionet e tyre politike e diplomatike, pse jo edhe në përcaktimet gjeostrategjike. Në anën tjetër, kemi parë që as Rusia nuk ka qëndruar duarkryq. Ndikimi i theksuar rus ka ndodhur edhe në Evropë, dhe ky ndikim çdo ditë e më tepër po shënon rritje edhe në rajonin tonë ballkanik. Ndikimi i madh rus shihet edhe në Afrikë. Këto shtete tani ekonomikisht të varura prej kinezëve, kanë identitetin e tyre të cilin duan ta ruajnë. Po ashtu, këto vende duan të zhvillojnë marrëdhënie të mira me Rusinë për shkak të importit të armëve. Mund të them se këto zhvillime kanë penguar ecjen më të shpejtë drejt njohjeve të reja.

“Epoka e re”: Doni të thoni se nuk është faji i Kosovës që nuk janë arritur objektivat e pritura?

Pacolli: Absolutisht nuk është faj i Kosovës. Unë ju garantoj se asnjëherë deri më tani nuk ka pasur një ritëm të tillë të punës në diplomacinë e Kosovës sikur ka ndodhur në këtë vit. Personalisht kam qenë disa herë në Afrikë. Edhe rrjeti diplomatik i Kosovës ka qenë në çdo shtetet duke bërë një punë të madhe. Ne kemi parë se situata në Afrikë po ndryshon dhe kemi dashur që asgjë të mos ia lëmë fatit, por të punojmë. Për tre muaj të vitit të kaluar unë kam kaluar 100 mijë kilometra rrugë dhe nuk kam lënë pothuajse asnjë shtet jonjohës të Kosovës pa e vizituar. Këto vizita janë përsëritur edhe këtë vit dhe, si rezultat i kësaj, ne kemi arritur të bëjmë lëvizje shumë të mira. Nuk po dua t’i përmend me emra, por disa shtete të mëdha që kanë qenë të rreshtuara pas Serbisë kanë dhënë sinjale të ndryshimit të pozitës së tyre. Kjo është vënë re veçmas në forume e organizata të ndryshme, ku Kosova ka pasur nevojë për votën e tyre, ato kanë abstenuar. Madje ka raste kur disa shtete jonjohëse edhe kanë votuar pro Kosovës. Nëse shikohet se kush janë këto shtete, atëherë sheh se ato janë shtete të mëdha me nga 30-40 milionë banorë, ku në të kaluarën Serbia ka luajtur një rol të madh me premtime nga më të ndryshmet, por të cilat nuk i ka realizuar asnjëherë. Sa kam informacion, përveç disa studentëve që kanë ardhur prej Lesotos në Serbi dhe janë shpërndarë nëpër disa universitete, asnjë premtim tjetër nuk e kanë realizuar. Serbia ka premtuar investime atje, ka premtuar hapje të përfaqësive ekonomike, ndihma të shumta ekonomike, kredi, në fund ka dalë të jetë mashtrim. Nisur nga kjo manovër mashtruese e Serbisë, jam i bindur se motivi i disa prej këtyre shteteve që deklarohen se duhet pritur epilogun e dialogut, për të na njohur, është i përkohshëm. Pra, nuk duhet ta fajësojmë Kosovën për mospunë, as faktorë të tjerë të jashtëm. Nuk duhet të ndalemi dhe, të jeni të bindur, rezultatet s’do të mungojnë. Ato nuk kanë ardhur këtë vit sepse, siç thashë, njohjet janë procese komplekse dhe për to duhet kohë.

“Epoka e re”: Në bazë të rezultateve i bie që Serbia maksimalisht e ka shfrytëzuar gjeopolitikën e re në kontinentin e Afrikës?

Pacolli: Po pra. Serbia këtë situatë gjeostrategjike është duke e shfrytëzuar maksimalisht. Madje ka ndarë goxha mjete për lobim dhe, po ashtu, ka punuar me disa organizata, të njohura për mua, të cilat kanë studiuar lëvizjet gjeostrategjike të secilit vend. Siç keni parë, në këtë drejtim ata kanë ndjekur një taktikë të posaçme. Së pari është vizituar vendi, pastaj janë ftuar njerëzit e atij vendi që të shkojnë në Beograd. Në anën tjetër, parlamenti i tyre ka pasur vizita të rregullta me atë shtet. Pastaj, në mënyrë të koordinuar ata kanë arritur ta sjellin një përfaqësues të atij shteti në Beograd, madje kanë shkuar edhe më larg duke keqpërdorur mirëbesimin dhe klimën konstruktive diplomatike duke i vendosur disa diplomatë para pranisë dhe presionit mediatik, duke i nxjerrë në konferenca për media dhe në prani të tyre duke keqinterpretuar pozicionet ndërshtetërore. Në disa raste kjo është përcjell edhe me pohime të disa diplomatëve se ata i besojnë epilogut të dialogut por, kuptohet, gjithmonë në narracion qëllimisht të deformuar nga ana e Serbisë.

“Epoka e re”: Po çka ka bërë diplomacia e Kosovës për t’iu përgjigjur kësaj ofensive diplomatike serbe?

Pacolli: Natyrisht se kemi ndërmarrë veprimet tona, u kemi shpjeguar këtyre shteteve se dialogu bëhet në mes të dy shteteve sovrane dhe se në këtë proces nuk flitet për statusin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, u kemi shpjeguar që Serbia po spekulon, madje edhe në kundërshtim me Ligjin ndërkombëtar dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë. Normalisht se ne kemi vërtetuar se njerëzit që kanë shkuar në Beograd janë të nivelit të ministrave dhe ne është dashur që të intervenojmë në nivelet më të larta, duke ua treguar të vërtetën atyre shteteve. Kemi pasur raste ku ata ministra janë inekzistentë dhe janë larguar nga detyra për shkak të deklarimeve të tyre të pamatura. Këto janë rastet e Guinea Bissau, pas asaj deklaratës pompoze të Serbisë, se është tërhequr njohja, ne kemi lidhur marrëdhënia diplomatike me këtë dhe kemi akredituar ambasadorin tonë atje. Në Liberi, po ashtu, kam qenë personalisht, ku me këtë rast Presidenca e këtij shteti ma ka konfirmuar se nuk ka lëvizje nga pozicioni i tyre. Pra, ata e njohin shtetin e Kosovës dhe shumë shpejt ne do ta kemi edhe ambasadorin tonë jorezident atje. Burundi e ka liruar ministrin e Punëve të Jashtme nga puna dhe në tremujorin e vitit të ardhshëm është afati kur Serbia duhet t’i përmbushë disa premtime që i ka bërë ndaj këtij shteti. Këto premtime Serbia nuk mund t’i përmbushë dhe çdo gjë do të qartësohet. Pra, kjo është situata dhe në mënyrë të sinqertë po ju them se nuk është lënë asgjë për punë.

“Epoka e re”: Diplomacia serbe pretendon se deri më tani dhjetëra shtete kanë tërhequr njohjen. Sipas informatave zyrtare që keni, sa shtete deri më tani kanë tërhequr njohjen?

Pacolli: Diplomacia serbe thotë se janë disa shtete që kanë lajmëruar për tërheqjen e njohjes. Maje kanë thënë se disa të tjera tashmë e kanë tërhequr njohjen. Por, Kosova ka marrë vetëm një letër, tash së fundi nga Ishujt Solomon, në të cilën thuhet se është ngrirë njohja deri në përfundimin e dialogut. Ne kemi intervenuar menjëherë dhe e kemi bindur udhëheqësin e tyre se dialogu nuk ka fare të bëjë me statusin e Kosovës, se ky dialog është vetëm për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të këtyre dy shteteve.
Këtu kemi marrë disa shenja nga burime të sigurta se Ishujt Solomon janë në rishqyrtim të kësaj deklarate që kanë bërë. Pra, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës nuk ka marrë asnjë letër në të cilën thuhet se revokohet njohja. Sepse çdo deklaratë e tërheqjes së njohjes është dashur të vijë këtu, nëse ajo do të ekzistonte. Dhe, përfundimisht, kemi thënë disa herë dhe po ritheksojmë, se në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërshtetërore, tërheqja e njohjes nuk ekziston. Në rrethana të tjera, Serbia do të penalizohej ndërkombëtarisht nga kjo përfshirje skandaloze në marrëdhëniet mes shteteve, edhe pse kjo ende nuk përjashtohet.

“Epoka e re”: Sidomos në pjesën e dytë të këtij viti, politika e jashtme ka qenë në thumb të kritikave të opozitës. Sipas tyre, mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe tërheqja e njohjeve janë dështimet të mëdha të diplomacisë së Kosovës. Si i keni parë këto kritika?

Pacolli: Si ministër i Punëve të Jashtme sigurisht se, derisa jam në këtë pozitë, do ta bëjë punën time me përgjegjësinë më të lartë, ashtu siç përshkruhet edhe në kodin e diplomacisë. Në respekt ndaj parterëve, shteteve dhe kombeve të tjera, është në interesin tonë përmirësimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve me secilin shtet që kemi raporte. Ne me punën tonë çdoherë kemi dashur që vendit tonë t’i hapim perspektivë me vendet e tjera si në fushën ekonomike, po ashtu dhe në atë të kulturës, arsimit dhe sportit. Ky është ai lajtmotivi ynë kryesor që të punojmë dhe ta mbrojmë legjitimitetin e shtetësisë tonë. Sepse kjo është një e drejtë legjitime për ta pasur shtetin, i cili është i interesuar të ketë marrëdhënie të mira për çdo shtet tjetër. Por, diplomacia serbe është duke bërë krejtësisht të kundërtën. Ne ndërtojmë, ata rrënojnë. Rrënimin ata e bëjnë në mënyrat e tyre: duke iu premtuar gjera të ndryshme shteteve të tjera e duke i kushtëzuar përfaqësuesit diplomatikë të atyre shteteve. Përmes metodave mashtruese ata diku kanë pasur efekt, por vetëm jetëshkurtër. Në disa raste Serbia, duke vendosur kontakte me ndonjë zyrtar të ndonjë ministrie dhe me ta praktikisht tentojnë të bashkëpunojnë për ta marrë një letër. Sepse, për të marrë një letër të vulosur diku, është shumë lehtë, mirëpo çfarë letre është ajo. Për shembull, Papa Guinea e Re e ka lëshuar një letër e cila qarkullon nëpër mediet e Beogradit dhe ne kemi kërkuar që të gjendet autori i saj. Deri sot ai shtet nuk ka qenë në gjendje të tregojë se kush e ka shkruar atë letër, sepse ne letrat verbale përdoret vetëm vula dhe nuk ka asnjë nënshkrim. Ju garantoj se ky shtet është duke i hetuar këto fenomene dhe, nëse zbulohet, Serbia mund të implikohet në skandal të madh ndërkombëtar diplomatik.

 “Epoka e re”: Për dështimin e Kosovës në Interpol opozita ju ka bërë përgjegjës personalisht juve. Ka qenë e drejtë kjo kritikë?

Pacolli: E ndiej vetëm përgjegjësinë që kam udhëhequr dikasterin e diplomacisë. Interpoli ka qenë një çështje teknike dhe i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme. Task-Forca për këtë çështje ka qenë e udhëhequr nga MPB-ja. Ne i kemi mbështetur aty ku kemi mundur me rrjetin tonë diplomatik, Policinë Kosovës. Natyrisht se kemi arritur t’u sigurojmë votat e mjaftueshme dhe kam parë se një lobim i sofistikuar duhet të ndodhë. Në këtë drejtim, Qeveria ka miratuar propozimin tim dhe mjetet e duhur për këtë lobim të sofistikuar kanë qenë në dispozicion të MPB-së. Por, ato mjete fare nuk janë harxhuar. Sa di unë, ato mjete prapë janë kthyer në buxhetin e Kosovës. Kam parë se ka qenë një lloj rezervimi i tyre në vetvete dhe ka qenë shumë vështirë të sugjerosh dhe të rekomandosh për diçka. Nuk dua t’i përmend me emra, por ka qenë disa shtete në këtë rast që askush nuk ka kalkuluar se do ta mbështesin Kosovën, por ato e kanë mbështetur Kosovën, sikurse për disa të tjera që është menduar se janë kundër e ato kanë abstenuar. Është fjala për shtete jonjohëse. Kemi pasur disa çalime të shteteve të vogla dhe ai lobimi i sofistikuar, për të cilin kam rekomanduar, është dashur të ndodhë te këto shtete. Në fund të procesit ne morën 76 vota, kishim 20 vota më tepër sesa Serbia që e kundërshtonte. Fatkeqësisht, nuk arritëm t’i kemi dy të tretat e votave. Duhet të jemi realë dhe ta pranojmë se një shtet i lindur para dhjetë vjetëve ka bërë punë të madhe në këtë drejtim, ndonëse është e vështirë t’i arrijmë gjithmonë dy të treta e votave, pa qenë ende anëtar i OKB-së. Republika e Kosovës në arenën ndërkombëtare është në atë ‘highlight’ të politikës botërore, pra nuk është sikurse disa vende të Oqeanisë për emrin e të cilave pakkush ka dëgjuar. Nuk besoj se ndonjë shtet tjetër i ri në botë është i përfolur më tepër sesa Kosova. Këtu dua të shtoj se deklarata ime një ditë para votimit në Interpol është interpretuar keq. Asnjëherë nuk kam thënë se anëtarësimi është punë e kryer, përkundrazi krejt çfarë kam thënë është se është bërë shumë punë e madhe dhe Kosova e meriton të jetë anëtare e Interpolit. Kosova ka mbetur jashtë kësaj organizate, sepse ndoshta gjendemi në mes të interesit gjeopolitik të forcave të mëdha: Kinës, Rusisë, ShBA-së dhe Evropës.

 “Epoka e re”: Nga puna që keni bërë këtë vit, cilat janë rezultatet që i pritni në vitin 2019?

Pacolli: Ta koordinojmë punën ne si ministri për anëtarësimin në Interpol. Më nuk duhet t’i lihet në dorë askujt kjo çështje. Ne duhet ta koordinojmë dhe të mbajmë përgjegjësinë për këtë. Viti i ardhshëm është edhe viti kur ne duhet t’i masim forcat dhe të aplikojmë për anëtarësim në UNESCO. Këto janë dy sfida tepër të mëdha për ne dhe duhet të punojmë dhe të përgatitemi maksimalisht për to. Normalisht se viti 2019 është koha kur duhet të vijnë rezultatet e punës së madhe që ne kemi bërë në aspektin e sjelljes së njohjeve të reja. (Vazhdon në numrin e ardhshëm)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adri Nurellari Debati politik në Kosovë përgjatë gjithë shekullit të…