Rilindësit e mëdhenj fierak

12 qershor 2023 | 13:13

Shoqata atdhetare “Fronti i Bashkuar Shqiptaro-Amerikan” kujton me respekt rilindësit e mëdhenj fierak, që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit tonë Kuq e Zi në Vlorë, më 28 Nëntor 1912.

Me rastin e festave të mëdha të nëntorit dhe 110 vjetorit të Pavarësisë, shoqata atdhetare” Fronti i Bashkuar Shqiptaro-Amerikan” në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kujton dhe nderon me respekt të thellë të gjithë rilindësit e mëdhenj fierak, çetat e tyre të armatosura kryengritëse, si dhe qindra patriot myzeqar të këtij rrethi, që kontribuuan aq shumë për çështjen tonë të shenjtë kombëtare,  dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Këta burra të ndritur të Fierit, së bashku me popullin e tyre trim dhe patriot, ndonëse në kushte të këqija dhe kohë shumë të vështira, e pritën me gëzim të madh tre herë në qytetin e tyre diplomatin tonë të shquar Ismail Qemali. Ata e shoqëruan dhe e mbrojtën atë me armë në dorë, jo vetëm kur mblodhi dy kuvendet e tij në këtë qytet, gjatë udhëtimit historik nëpër Myzeqe, por edhe  brenda në Vlorë, kur ai shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

Në jubileun e kësaj feste kaq të madhe, ne përulemi me respekt të veçantë edhe para këtyre kolosëve myzeqar, që derdhën edhe gjakun e tyre për gjuhën tonë dhe Pavarësinë e Shqipërisë, të cilët u lanë qëllimisht në errësirë dhe nuk ju përmend kurrë as edhe emri prej historianëve tanë anadollak.

Ne si shoqatë e kritikojmë ashpër një qëndrim të tillë fyes të mbajtur nga historishkruesit tanë dhe servilët shehist të asaj kohe, që nga Aleks Buda dhe deri tek njëfarë Pëllumb Xhufi e të tjerë, të cilët e shikonin heroizmin e rilindësve shqiptar vetëm te papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, apo Pandeli Sotiri dhe jo edhe te akti heroik i pashoq i luftëtarëve, mësonjësve, priftërinjve, dëshmorëve dhe rilindësve tanë fierak, si at Irakli Pylli(papa Isaija), at Spiro Saqellari, at Kozma Dhima, Kovi Saqellari, hoxhë Ymer Hoxha, Jovan Ndreko, Zoji Ndreko, Kostandin Minga, Jani Kostandin Minga e dhjetra myzeqar të tjerë.

Megjithatë, këta martir të Rilindjes tonë Kombëtare sot kujtohen me respekt nga vet populli i kësaj treve prej gjysmë milioni banorësh, të cilët do të nderohen vazhdimisht edhe në të ardhmen nga brezat tanë që do të vijnë nëpër shekuj, për veprën e tyre të lavdishme që bënë në shërbim të Kombit Shqiptar.

Populli heroik i Fierit dhe i tërë Myzeqesë ndihet tepër  krenar për  kapedanët e tij të mëdhenj rilindës si Kostandin Minga, Jani Minga, Llazi Spiro Shën Pjetra, Kozma Dhima, Tuni Gjergji, Irakli Pylli, Ymer Hoxha, Kovi Saqellari, Spiro Saqellari, Jovan Ndreko, Zoji Ndreko e të tjerë dhe çetat e tyre kryengritëse, që e pritën arkitektin tonë pavarsist në pyjet e Grabianit dhe e shoqëruan atë në Libofshë, Fier dhe deri në Vlorë, atë mot prag dimri të ftohtë, në fund të asaj vjeshte të tretë, plot me stuhi, furtuna dhe rrebeshe shiu, të vitit 1912.

uftëtari trim, poeti, këngëtari dhe patrioti ynë  Llazi Spiro me çetën e tij kryengritëse, të Pojan-Shën Pjetër- Boçovës, që e mbrojti  kudo fizikisht në ato ditë të shenjta plakun tonë të Pavarësisë, do të mbetet i paharruar edhe si komandanti i parë i Ushtrisë së Shtetit Shqiptar, që u formua nga diplomati ynë i shquar Ismail Qemali.

Shoqata jonë gjithashtu e  vlerëson shumë edhe punën e palodhur të profesorit, historianit, studiuesit, publicistit dhe shkrimtarit tonë të talentuar myzeqar Naun Kule, i cili me librat e tij të famshme si “Mësonjëtorja e parë Shqipe në Myzeqe”, e të tjera, ai ka dhënë dhe po jep një kontribut të jashtëzakonshëm,  jo vetëm për zbardhjen e historisë së lavdishme të Fierit dhe krahinës së Myzeqesë, por edhe për ringjalljen e heronjve tanë rilindës të kësaj treve si:

1- Kostandin Minga

———————————

(Shën Pjetër, Fier)

Rilindasi Kostandin Minga ka qenë një nga atdhetarët e mëdhenj të krahinës së Myzeqesë, historian, përkthyes, poet, kompozitor, mësonjës i shkollës së Apolonisë e Ardenicës dhe anëtar i “Komitetit të Fshehtë të Fierit”.

Ai ishte i arsimuar në Greqi.

Ky mësonjës patriot ka marrë  pjesë në Kuvendin e Parë më  24 Mars dhe Kuvendin e Dytë më 12 Gusht të vitit 1912, të organizuar nga Ismail Qemali dhe djali i tij Jani Minga në qytetin e Fierit.

Mësues Kostandini shkruante vazhdimisht këngë dhe vjersha me përmbajtje patriotike për nxënësit, duke demaskuar ashpër okupatorin turk dhe klerikët antishqiptar grek që vepronin në Myzeqe.

Shpeshherë ai organizonte edhe shfaqe e koncerte artistike me nxënësit e tij në shkollë, por edhe nëpër fshatrat e Myzeqesë, për argëtimin e popullit dhe rritjen e frymës patriotike në radhët e tij.

Së bashku me patriotin Jorgji Karbunara, pritën Ismail Qemalin në Fier dhe e shoqëruan atë deri në Vlorë gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Atdhetari Kostandin Minga mbante lidhje të vazhdueshme me rilindasit tanë të diasporës dhe sidomos me shoqatat e tyre patriotike në Bukuresht, Sofje, Stamboll, Vjenë e tjerë.

Duke qenë mësues, ai përhapte libra të Gjuhës Shqipe nëpër Myzeqe dhe jepte në fshehtësi edhe mësime në gjuhën tonë tek nxënësit e tij nëpër shkollat greke.

Ky erudit i ndritur myzeqar, përgatiti dhe edukoi në  Myzeqe breza të tërë nxënësish me frymën e Shqiptarizmës, që u bënë rilindës dhe patriot të mëdhenj, të cilët dhanë kontribute mjaft të rëndësishme për çështjen tonë kombëtare.

Për këtë veprimtari patriotike, ai u përndoq nga Kisha Greke dhe dhespotët e saj antishqiptar që vepronin në Myzeqe, duke e detyruar të largohej prej vendlindjes dhe krahinës së tij.

Jani Minga

2- Jani Kostandin Minga

—————————————–

(1872-1947, Shën Pjetër Fier)

Rilindësi Jani Minga ishte një atdhetar i pashoq, luftëtar, mësonjës, përkthyes, poet, orator, publicist, politikan, arsimuar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Athinës dhe anëtar i organizatës atdhetare “Komiteti i Fshehtë i Fierit”.

Në vitin 1908  profesori Jani Minga krijoi shoqatën patriotike e kulturore “Labëria” në qytetin e Vlorës, ndërsa më 25 korrik 1908 hapi shkollën e parë shqipe në qytetin e Vlorës.

Gjatë muajit janar 1910 hapi shkollën shqipe edhe në fshatin Kaninë të këtij rrethi.

Nga fundi i muajit nëntor 1912 mësonjësi ynë Jani Minga u caktua vet nga Ismail Qemali, kryetar i organizimit të “Mitingut për Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë” në qytetin e Vlorës, pasi ky veprim dështoi në Durrës.

Sëbashku me patriotët myzeqar Llazi Spiro, Irakli Pylli, Kozma Dhima, Kovi Saqellari, Spiro Saqellari, Tuni Gjergji, Jovan Ndreko, Zoji Ndreko, Ymer Hoxha, Lam Shtëmbari, Llazar Bozo dhe gjashtë çetat e armatosura myzeqare, organizoi mbrojtjen e Ismail Qemalit gjatë udhetimit të tij nëpër Myzeqe, por edhe gjatë shpalljes se Pavarsisë në Vlorë.

Në Mitingun e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912, ky patriot i madh myzeqar mbajti edhe një fjalim të rëndësishëm, duke falënderuar diplomatin tonë të shquar Ismail Qemali.

Ai është edhe një nga firmëtarët e Kartës për Shpalljen e Pavarësisë.

Në muajin gusht 1913, në krye të një delegacioni shqiptar, profesori Jani Minga shkoi nëpër Evropë dhe u kërkoi fuqive të mëdha caktimin e kufijëve të Shqipërisë.

Nga fillimi i muajit shkurt 1914, ai organizoi dhe udhëhoqi vet protestat e të krishterëve vlonjat dhe myzeqar për ndalimin e hapjes së shkollave greke në Myzeqe dhe Labëri.

Gjatë vitit 1914 arrestohet nga forcat kriminale antishqiptare të Haxhi Qamilit si përkrahës dhe shok i Ismail Qemalit.

Më 28 nëntor 1915 së bashku me Avni Rrustemin dhe Halim Xhelon organizoi mitingun për festimin e ditës së Pavarësisë.

Në  janar 1919 organizoi një miting të fuqishëm në qytetin e Vlorës dhe mbajti një fjalim, duke dënuar ashpër aktin terrorist të vrasjes së Ismail Qemalit.

Jani Minga është gjithashtu edhe organizatori i “Kongresit Arsimor Kombëtar ” të zhvilluar në Lushnje  më 15-29 gusht 1920.

Në vitin 1920 arrestohet nga forcat pushtuese italiane për veprimtarinë patriotike dhe burgoset në ishullin e Sazanit.

Megjithëse i burgosur, me patriotët dhe çetat myzeqare  ai organizoi vullnetarët dhe luftëtarët e kësaj krahine, si dhe “Batalionin Myzeqeja”  nën drejtimin e Llazi Spiros, i cili mori pjesë dhe luftoi heroikisht për çlirimin e Vlorës.

Në muajin tetor 1920 organizoi disa mitingje në Vlorë dhe mbajti fjalime në mbrojtje të Avni Rrustemit, i arrestuar në Paris për vrasjen

e tradhtarit shqiptar Esat Pashë Toptani.

Po kështu gjatë këtij viti ai botoi edhe librin ”Abetare Kombëtare Shqipe”.

Në vitin 1923 zgjidhet deputet i Vlorës.

Në prill të vitit 1924 ka organizuar një miting tjetër në Vlorë ku mbajti edhe një fjalim, duke e dënuar rëndë krimin e vrasjes së patriotit tonë të madh Avni Rrustemi.

Gjatë vitit 1924 vihet në krah të Fan S. Nolit dhe mori pjesë aktivisht në revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit.

Dy djemtë e Jani Mingës, të quajturit Pirro dhe Mërkur Minga, u arrestuan nga nazistët gjerman në  vitin 1944, pasi refuzuan të viheshin në shërbim të tyre dhe u ekzekutuan në kampet e Gjermanisë.

Profesor Jani Minga është nderuar me titullin e lart “Mësues i Popullit”.

Papa Isaija( Irakli Pylli)

3-Papa Isaija, Irakli Pylli.

——————————————

(1882-1944, Shën Pjetër Fier)

Rilindasi Irakli Pylli ishte një atdhetar i zjarrtë myzeqar, luftëtar trim, mësonjës, prift, përkthyes, komandant i Çetës Tropojë-Grykë-Seman, anëtar i organizatës”Komiteti i Fshehtë i Fierit” partizan, dëshmor.

Ai përfundoi me sukses studimet në kolegjin me famë “Zosimea” të Janinës.

Gjatë viteve 1905-1906 së bashku me klerikun dhe shokun e tij hoxhë nga Radostina, mësonjësin Ymer Hoxha shpërndanin libra shqipe nëpër Myzeqe dhe u mësonin nxënësve të tyre alfabetin shqip.

Në vitin 1907 arrestohet nga xhandarët osman, së bashku me Ymer Hoxhën dhe tërhiqen  të lidhur pas kuajve, duke i shëtitur para popullit të Fierit me këmborë e zile në qafë.

Më 1913 hap shkollën shqipe në fshatin e tij Shën Pjetër.

Në vitin 1914 arrestohet nga forcat rebele të antishqiptarit Haxhi Qamili dhe burgoset në burgun e Shijakut për veprimtari patriotike, si përhapës i Gjuhës Shqipe, pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë dhe përkrahës i Ismail Qemalit.

Më 1920 u vu në krye të protestave të popullit dhe klerikëve të Korçës, duke përzënë dhespotin grek, ku organizoi edhe një Meshë në gjuhën shqipe në Kishën  e Shën Gjergjit të këtij qyteti.

Gjatë viti 1922  me bashkëfshatarin, patriotin dhe shokun e tij Jani Minga, organizojnë mitingje nëpër Myzeqe, për përdorimin e Gjuhës Shqipe në shërbesat fetare.

Në vitet 1923-1924 bashkëpunoi me patriotët Avni Rrustemi, Jani Minga, Naun Dokon-Prifti, dhe Kozma Dhima e tjerë, duke qenë në krah të Fan Nolit.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste lidhet me luftën nacionalçlirimtare, del partizan dhe luftoi  kundër armiqve të vendit.

Në dhjetor 1943 me ndihmën e spiunëve dhe tradhtarëve arrestohet nga nazistët gjerman dhe ekzekutohet në kampin e tyre të Zemunit në Beograd.

Është nderuar me titullin e lart “Dëshmor i Atdheut”.

4-Ymer Hoxha

————————

(Radostinë ”Ujëmirë” Fier)

Rilindasi Ymer Hoxha ishte një atdhetar tepër i guximshëm, luftëtar trim, mësonjës, përkthyes, hoxhë, komandant i Çetës Radostinë- Vadhizë dhe anëtar i organizatës “Komiteti i Fshehtë i Fierit”.

Ai mori pjesë me çetën e tij në pritjen e Ismail Qemalit në qytetin e Fierit më 25 nëntor 1912.

Pas mitingut të Fierit, ka mbajtur nën kontroll rrugën nacionale në qafën e Koshovicës, për të mbrojtur karvanin e kryesuar nga plaku ynë vlonjat, gjatë udhëtimit për në Vlorë, por dhe pas shpalljes së Pavarsisë.

Hoxha i Ujëmirës(Radostinës) mësuesi Ymer Hoxha, prifti me kobure, mësues Irakli Pylli dhe luftëtari Llazi Spiro Shën Pjetra, ishin tre kolos të pandarë të Myzeqesë Jugut, të cilët së bashku, punuan shumë për interesat tona kombëtare, bënë sakrifica të mëdha dhe shkruan një histori të ndritur në këtë krahinë.

Luftetari Llazi Spiro

Medaljet e trimërisë të Llazi Spiros

Këngëtari dhe poeti Llazi Spiro

Komandanti i Çetës kryengritëse të Pojan-Shën Pjetrës, Llazi Spiro me familjen e tij.

5-Llazi Spiro Shën Pjetra.

——————————————-

(Shën Pjetër Fier)

Rilindasi Llazi Spiro ishte një atdhetar trim e guximtar i rrallë, poet, këngëtar, luftëtar dhe komandant i Çetës së Armatosur të Pojan-Shën Pjetrër-Boçovës.

Me çetën e tij hodhi në det taborët e asqerëve Osman në portin e Semanit dhe mori pjesë në çlirimin e Fierit nga okupatori turk më 1912.

Gjatë vitit 1912 mbrojti fizikisht me çetën e tij të armatosur Ismail Qemalin në dy kuvendet e Fierit. Po kështu më 24 Nëntor ai e priti  diplomatin tonë përsëri në Libofshë, duke e shoqëruar atë me dy çeta për në Vlorë dhe ruajtur gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Si komandant i një formacioni ushtarak që mbrojti Kryeministrin e Parë të Shtetit Shqiptar, nga Myzeqeja deri në Vlorë, Llazi Spiro Shën Pjetra, është padyshim dhe do të  mbetet komandanti i parë i Gardês së Republikës së Shqipërisë.

Gjatë viteve 1917-1918 luftoi me çetën e tij kundër karakollëve të okupatorëve austriak.

Ky patriot i madh mbrojti me çetën e vet edhe ndërtesën ku zhvilloi punimet Kongresi i Lushnjes dhe Kongresi Arsimor Kombëtar në Lushnje më 1920.

Atdhetari Llazi Spiro mori pjesë edhe në luftën për çlirimin e Vlorës më 1920, duke komanduar forcat e armatosura myzeqare të inkuadruar në  batalionin ”Myzeqeja“, ku dhe u plagosë në krah gjatë luftimeve.

Tonci Kilica

6-Tonçi Kilica

———————–

(1858-1917 Seman, Fier)

Rilindasi Tonçi Kilica ishte një atdhetar shumë popullor, me reputacion të madh në këtë krahinë, luftëtar trim, pjesëtar i Çetës Kryengritës të Topojë-Grykë-Seman dhe anëtar i organizatës ”Komiteti i Fshehtë i Fierit “.

Ai mori pjesë në luftën për çlirimin e Fierit nga forcat okupatore osmane më 1912.

Pas çlirimit të Fierit nga forcat pushtuese osmane, për meritat e tij ai u zgjodh kryetari i I-rë i Bashkisë së qytetit të Fierit më 1912.

Më 25 nëntor 1912 priti Ismail Qemalin në Fier, organizoi një miting dhe mbajti një fjalim përshëndetës për nder të tij.

Tonçi Kilica më 26 nëntor 1912 priti në Fier edhe heroin e kombit tonë dhe trimin me dy alltia Isa Buletini, që kishte ardhur për Shpalljen e Pavarësisë në qytetin e Vlorës.

Më datën 29 nëntor 1912 ai ngriti edhe Flamurin tonë Kuq e Zi në qytetin e Fierit.

Luftëtari dhe mësonjësi at Kozma Dhima

7-Ikonom Kozma Dhima

——————————————

(1869-1924, Kolkondas Fier)

Rilindasi at Kozma Dhima ishte një atdhetar me emër shumë të dëgjuar në gjithë Shqipërinë, luftëtar trim, mësonjës, prift, anëtar i  “Komitetit të Fshehtë të Fierit”

Ai qe një nga veprimtarët e hapjes së shkollës se parë shqipe në Libofshë më 1908.

Në vitin 1910 shpalli krijimin e çetës së tij të armatosur luftarake në fshatin Kolkondas, që e kishte formuar kohë më parë.

Gjatë viti 1911, në bashkëpunim me çetën e Llazi Spiros luftoi kundër  taborëve të xhandarmërisë osmane, duke i hedhur  ato në det dhe çliruar Fierin.

Në muajin korrik 1911, pas çlirimit të Fierit, së bashku me çetat e Izet Zavalanit dhe Vasil Tromarës, sulmuan dhe çliruan qytetin e Lushnjes.

Më 24 nëntor 1912, me çetën e tij dhe atë të Tuni Gjergjit priti në pyjet e Grabianit Ismail Qemalin dhe e siguroi atë gjatë qëndrimit në Libofshë dhe udhëtimit të tij nëpër Myzeqe, për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Në vitin 1913 hapi shkollën shqipe në Manastirin e Ardenicës dhe dha mësim për 10 vjet në këtë shkollë.

Gjatë vitit 1914 së bashku me çetat e Shën Pjetrës, Libofshës, Bubullimës, Krutjes, dhe Ardenicës lufton kundër forcave kriminale të Haxhi Qamilit dhe i bllokoi ato, për të mos avancuar drejtë Fierit, portit të Semanit dhe Vlorës.

Me kërkesë të dhespotit grek të Beratit më 1917 arrestohet nga forcat austriake për veprimtari patriotike.

Më datën 28 nëntor 1918 së bashku me shumë patriot të tjerë myzeqar festojnë me madhështi ditën e Shpalljes së Pavarësisë në qytetin e Lushnjes, duke hequr flamurin italian dhe ngritur atë Shqiptar.

Në vitin 1920 ka qenë organizator dhe delegat në Kongresin Kombëtar të Lushnjes, të cilin e siguroi dhe mbrojti me armë së bashku me çetën e Llazi Spiros.

Gjatë  vitit 1920 organizoi dhe dërgoi qindra vullnetar dhe luftëtar myzeqar, durrsak, peqinas, elbasanas të armatosur, që luftuan për çlirimin e Vlorës.

Luftëtari dhe mësonjësi Kovi Saqellari

8-Kovi Josif Saqellari

————————————-

(1853-1934, Kolkondas Fier)

Rilindasi Kovi Saqellari qe një atdhetar shumë i shquar, mësonjës dhe luftëtar.

Ai u arsimua në Universitetit e Selanikut të Greqisë, për mësuesi.

Ky atdhetar zotronte disa gjuhë të huaja si greqisht, turqisht, rusisht e tjerë.

Për 15 vjet ka dhënë mësime në disa shkolla në qyteteve të ndryshme të Rusisë.

Në vitin 1890 kthehet në Shqipëri dhe së bashku me shokët e tij rilindës myzeqar u mundua të hapte shkollën shqipe në Manastirin e Kolkondaskit, por kisha greke dhe okupatorët turq nuk e lejuan dhe e ndoqën për ta burgosur.

Më 1895 bashkë me kushëririn e tij Spiro Saqellarin u strehohen në Bukuresht tek të  afërmit e tyre rilindas.

Në vitin 1911 kthehet në Myzeqe dhe vendoset me banim në qytetin e Fierit.

Sipas gojëdhënave dhe tregimeve, rezulton se Kovi Saqellari ka qenë edhe anëtar i organizatës patriotike ”Komiteti i Fshehtë i Fierit” dhe i çetës luftarake të fshatit Kolkondas.

Me 1912 së bashku me çetën e Kolkondasit të drejtuar nga Kozma Dhima, presin Ismail Qemalin në pyjet e Grabianit të rrethit Lushnje dhe e shoqëron atë në Libofshë, Fier dhe Vlorë,  deri pas shpalljes së Pavarësisë.

Në vitin 1920 hap shkollën femërore në qytetin e Fierit, të cilën e drejtoi së bashku me mësuesen atdhetare Polikseni Pogaçe.

Gjatë këtij viti ka dhënë kontribut të madh edhe në dërgimin e vullnetarëve nga Fieri e Myzeqeja, që të luftonin për çlirimin e Vlorës prej okupatorëve italian.

Luftëtari, mësonjësi dhe dëshmori at Spiro Saqellari.

9-Papa Spiro Saqellari

————————————–

(1870-1918, Kolkondas Fier, dëshmor).

Rilindasi Spiro Saqellari ishte një atdhetar, luftëtar prift dhe mësonjës.

Pasi mbaron shkollën fillore dhe atë të mesme në shkollën greke të vendlindjes, përfundoi edhe studimet në kolegjin “Zosimea” të Janinës.

Në vitin 1896 forca të shumta të xhandarëve  turq rrethojnë shkollën greke të manastirit në Kolkondas dhe shtëpinë e tij, duke bastisur e djegur librat shqipe që mundën ti gjenin të fshehura nëpër klasa ku jepte mësim papa Spirua.

Ka qenë anëtar i organizatës se “Komitetit të Fshehtë të Fierit” dhe drejtues i çetës së Kolkondasit.

Më 1908 mësonjës Spiro Saqellari bashkë me mësonjësin Jovan Ndreko hapin shkollën e parë shqipe në Libofshë.

Gjatë viteve 1910-1911 në bashkëpunim me mësonjësit priftërinj Irakli Pylli dhe Kozma Dhima futin në shkollat greke mësime të Gjuhës Shqipe.

Po në vitin 1911 papa Spiro Saqellari hapi shkollën e parë shqipe edhe në fshatin Grabian të Lushnjes.

Ai mori pjesë aktivisht edhe në luftën e Semanit kundër xhandarëve turq dhe çlirimin e Fierit më 1912.

Sëbashku me çetën e Kolkondasit priti Ismail Qemalin në  Kryekuq të Lushnjës dhe e shoqëroi atë gjatë udhëtimit të tij nëpër Myzeqe, por edhe në qytetin e Vlorës.

Më 1913 organizoi në Manastirin e Ardenicës  një mbledhje me mësonjës e klerik patriot dhe përzunë agjentët e Athinës, që donin të hapnin shkolla greke në Myzeqe.

Në vitin 1915 mësonjës papa Spiro Saqellari mblodhi te gjitha librat greqisht të  shkollës e të Kishës dhe i dogji ato para Popullit Myzeqar të kësaj zone, duke fyer e mallkuar shtetin grek dhe grekomanët e tij nëpër kishat e Myzeqesë.

Më 1917 mësonjësi atdhetar Spiro Saqellari, Ikonom Kozma Dhima, Papa Isaija, Vangjel Lule e tjerë, të organizuar nga atdhetari Naun Doko-Prifti prenë linjat telefonike Fier-Vlorë dhe sulmuan me armë edhe forcat pushtuese italiane që po përgatiteshin për të ardhur drejt Fierit e Lushnjes.

Gjatë këtij viti(1917), mësonjës Spiro Saqellari hapi shkollën shqipe edhe në fshatin Kavaklli të Fierit.

Në vitin 1918, me ndihmën e spiunëve Spiro Saqellari kapet befasisht në shtëpi dhe pushkatohet, duke i internuar familjen dhe rreth 50 të afërm të tij.

Është nderuar me titullin e lart Dëshmor i Atdheut.

Luftëtari, mësonjësi dhe dëshmori Jovan Ndreko

10-Jovan Kristo Ndreko

—————————————-

(1886-1944 Libofshë Fier)

Rilindasi Jovan Ndreko ishte një atdhetar me veprimtari të madhe patriotike, luftëtar dhe mësonjës i Gjuhës Shqipe.

Më 1903 përfundoi shkollën për mësonjës në Çotil të Maqedonisë.

Në vitin 1905 përpiqet të hapi shkollën shqipe në Libofshë, por nuk u lejua nga okupatorët turq dhe kisha greke.

Më 1908 është inkuadruar në klubin patriotik “Bashkimi” të formular nga atdhetari Babë Dudë Karbunara në Berat.

Po këtë vit, më 25 gusht 1908 hap shkollën shqipe në Libofshë dhe bëhet mësuesi i parë i kësaj shkolle.

Për aktivitet patriotik, më 1909 përndiqet nga xhandarmëria turke, duke i mbyllur edhe shkollën.

Më 24 nëntor 1912 së bashku me nipin e tij, atdhetarin Zoji Ndreko organizojnë pritjen e Ismail Qemalit në Çiglig të Libofshës ne konakët e Nedin Bej Leskovikut dhe e shoqëruan atë deri në Vlorë.

Në vitin 1913 rihap përsëri shkollën shqipe në Libofshë.

Po këtë vit Jovani ishte dhe një nga organizatorët e mbledhjes së Ardenicës, e cila vendosi për të përzënë mësuesit grek që kishin ardhur për të hapur shkolla greke në Myzeqe.

Më 1914 ndiqet nga forcat proturke të Haxhi Qamilit.

Gjatë vitit 1916 punoi shumë me patriot të tjerë, me qëllim që shërbimet fetare në kishat myzeqare të kryheshin në Gjuhën Shqipe.

Më 1920, së bashku me nipin e tij Zoji Ndreko ndihmuan shumë në organizimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e Kongresit të Lushnjes dhe Kongresit Arsimor Kombëtar.

Në vitin 1924 radhitet me forcat demokratike në përkrahje të Fan Nolit.

Më 1925 arrestohet nga policia Zogiste dhe internohet si kundërshtar i regjimit antipopullor të Ahmet Zogut.

Gjatë viteve 1939-1942 merr pjesë aktivisht në Luftën Nacionalçlirimtare dhe bëhet një nga figurat e shquara të saj për çlirimin e vendit.

Në vitin 1943 zgjidhet Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar për krahinën.

Më 10 tetor 1944 vritet në krye të detyrës.

Është nderuar me tituj të lart “Mësues i Merituar” dhe Dëshmor i Atdheut.

Luftëtari, mësonjesi dhe dëshmori Zoji Ndreko

11-Zoji Pando Ndreko

————————————-

(1889-1944 Libofshë Fier)

Rilindasi Zoji Ndreko ishte një atdhetar që shquhej për guxim dhe trimëri të rrallë, mësonjës, poet dhe luftëtar.

Gjatë viteve 1908-1909 ai qe një nga patriotët më aktiv për hapjen e shkollës së parë shqipe në Libofshë, ku mësues u vendos xhaxha i i tij Jovan Kristo Ndreko.

Në vitin 1910 ky poet botoi në Selanik të Greqisë edhe poemën e tij të bukur “Shqipëria”.

Më 24 Nëntor 1912  Zoji me gjithë xhaxhan e tij Jovan Ndreko organizoi edhe pritjen e Ismail Qemalit në Libofshë, duke e shoqëruar atë edhe në Vlorë gjatë ditëve të shpalljes së Pavarsisë.

Duke punuar vazhdimisht me guxim dhe trimëri  të pashoq si dhe bërë sakrifica të mëdha, ky mësonjës në vitin 1914 arriti të hap edhe shkollën shqipe në Manastirin e Kolkondasit.

Më 1920 së bashku me patriotin Kozma Dhima organizuan dhe drejtuan forcat e armatosura për mbrojtën e Kongresit të Lushnjes, që u vendosën në kodrat e Ardenicës, duke qëndruar gati për të shkuar në ndihmë të Çetës së Llazi Spiro Shën Pjetrës, që ruante fizikisht ndërtesën e Kongresit.

Në vitin 1924 bashkohet me forcat e Fan Nolit dhe qëndroi në krah të tij.

Më 1925 arrestohet, burgoset dhe torturohet fizikisht nga forcat zogiste, si element i rrezikshëm për regjimin e Ahmet Zogut.

Në vitin 1936, për merita dhe shërbime të mëdha emërohet Sekretar i Komunës së Divjakës.

Kur Italia fashiste sulmoi Shqipërinë më 7 prill 1939, në krye të forcave të armatosura myzeqare Zoji mbrojti vijën bregdetare Divjakë-Karavasta-Seman, për të mos lejuar zbarkimin e pushtuesve italian në këtë krahinë.

Më 1943 zgjidhet Kryetar i Këshillit NÇL për zonën.

Në vitin 1944 u vra në krye të detyrës nga okupatorët gjerman me ndihmën e spiunëve e tradhtarëve të vendit.

Është nderuar me titullin e lart dëshmor i atdheut.

12-Tuni Gjergji

———————-

(Metaj-Fier)

Rilindasi Tuni Gjergji ishte një atdhetar që koburen e tij nuk e ndante kurrë nga brezi, mësonjës i Gjuhës Shqipe dhe luftëtar i shquar kundër forcave të okupatorit turk.

Ai ka qenë vazhdimisht në ndjekje nga xhandarmëria osmane, për tu eliminuar fizikisht, si një lement me rrezikshmëri të madhe për interesat e Turqisë në krahinën e Myzeqesë dhe më gjerë.

Më 24 nëntor 1912, sëbashku me at Kozma Dhimën dhe çetat e tyre pritën në pyjet e Grabianit Ismail Qemalin dhe e prunë atë në Libofshë, duke organizuar edhe udhëtimin e tij të sigurt drejt Fierit e Vlorës. Pasi Ismail Qemali mbërriti në Fier, ky luftëtar me forcat e tij mori në kontroll të gjitha vahet dhe shtigjet mbi lumin Seman, që nga bregdeti e deri në grykë të Osumit, për të siguruar e mbrojtur paravësinë tonë nga çdo rrezik i mundshëm, që mund tu vinte nga ana e veriut.

Rilindësve të mëdhenj fierak u kushtohet edhe një poemë nga Andy Apolloni.

Llazi Spiro e shaloi kalin, shkoi me çetë priti Qemalin.

————————————————–

1.

Kishte javë të tëra, shi rridhte nga qielli

Dymbëdhjetë seneja, vjeshtë e tretë po dilte

Për çdo ditë pritej,  që të hapte dielli

Bënin zjarr rrufetë, kudo shkreptinte

2.

Që nga skelë e Vlorës, lajmëtari erdhi

Anës Lumit të Vdekur, një kartë po sillte

Shumë i rëndësishëm, na kish qenë haberi

Te Kishë e Shën Pjetrës, u pa që po vinte

3.

Llazi Spiro trimi, se çi hipi kalit

Nëpër shi e breshër edhe vetëtima

Fluturoi shpejt si shqiponjë e malit

Në Kolkondas shkoi, për te Kozma Dhima

4.

Të dy bashkë i ranë, mes për mes gjolit

Dyfekët në krah, qeset plot me plumba

Bënë larg tutje, nga Vahu e Mifolit

Se atje i priste, urgjent Jani Minga

5.

Profesori foli dhe la porositë

Duanë të na ndajnë, o ju toskë dhe gegë

Mëmëdheu është në rrezik këto ditë

Kërkojnë ta copëtojnë serb, turq dhe grek

6.

Po ne do ti mbrojmë, trojet nga hordhitë

Dhe po qe nevoja, do të bëjmë dyfek

Ti tregojmë tërë botës, prap trimëritë

Se asnjë i huaj, ato s’mund ti prek

7.

Në Pojan dhe Seman, sapo që të vini

Çoni të gjithë burrat, në tërë Myzeqenë

Me të katër çetat në Shkumbin të dilni

Dhe te Vahu i Kishës, prisni Ismail Bejnë

8.

Ndaj jeni të lutur, shumë mos u mbodhisni

Se me Llazar Bozon, nga Durrësi po vjen

Dhe shëndosh vëllezërit, në Vlorë të mi sillni

Që sot ta shpëtojmë, bashkë mëmëdhenë

9.

Në Shën Pjetër prap, si rrufeja mbërriti

Dhe shkoi e takoi, papa Iraklin

Menjëherë dy çetat, tok me të i ngriti

Fluturim u nisën drejt për në Shkumbin

10.

Në Çiflik ndali, kalit se ç’i zbriti

Dhe e poq me mall, vet Ismailnë

Rreth e qark tij, rojet se ç’i qiti

Me dyfek në duarë, kobure  e martinë

11.

Ja mirë se na erdhe, se çi tha o burrë

A të lodhi rruga e gjatë nëpër dete

Ty të ruajte zoti, ç’lajm që na ke prurë

Shqipërinë tonë, për ta bërë më vehte

12.

Edhe myzeqarët, s’të harrojnë ty kurrë

Se ke vuajtur shumë, halle edhe derte

Për të na mbrojtur nder, komb dhe flamur

Brodhe tërë Europën, luftë me dyzetë shtete

13.

E uroi të parin, Spiro Saqellarin

Dhe pastaj me radhë, tërë burrat e tjerë

I tha erdhi koha, vakti për shqiptarin

Vendin errësira, dritës do t’ia lerë

14.

Kjo është ditë e madhe dhe për myzeqarin

Që luftuan pesë shekuj, me turq dhe asqer

Ardenicë e Shenjtë, po pret flamurtarin

Prandaj le të shkojmë, sa më shpejt në Fier

15.

Në Fier Tonç Kilica, bashkë me njerëzit doli

Dhe të gjithë vëllezërit, po i përshëndet

I gëzuar shumë, para tyre foli

Ismail Qemali, të paçim për jetë

16.

Që nga ne o vëllezër, u shporr Anadolli

Asqerët e fundit, i mbytëm në det

Na e theu qafën përgjithmonë Stambolli

Tani punët tona, ne do ti bëjmë vet

17.

Nga çdo anë trimat, takijet si borë

Priftërinjtë me plakun, se çi vunë në mes

Të gjithë gati rrinin, me armë në dorë

Sepse tradhtisë nuk i vihej besë

18.

Llazi Spiro trimi e priu këtë tabor

Dhe askush s’guxoj, rrugën që t’ia pres

E pruri shëndoshë, Ismail Ben në Vlorë

Një nder shumë të madh, i la Myzeqesë

Andy J. Apolloni  New York.

Nga : Themi J. Tushe

Pashko Rr.Camaj

New York-Kingston

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Carlo Ancelotti, ka reaguar pas vdekjes së ish-kryeministrit italian…