Rohde: Banjska ndryshoi gjithçka, autorët të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen

20 janar 2024 | 09:54

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, ku ka thënë se Banjska ndryshoi gjithçka.

Rohde ka thënë se ai vetë as nuk e ka imagjinuar se do të ndodhte diçka e tillë, derisa ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen.

“Banjska ndryshoi gjithçka. Ishte një sulm terrorist. Këta nuk ishin qytetarë të pakënaqur, por kishin raketahedhës, automatikë, granata… Jemi ende në kërkim të autorëve të dyshuar që duhet të dalin para drejtësisë. Vetë Milan Radoiçiq tha se është përgjegjës, por ende nuk ka përgjegjësi, nuk mund të pranojmë parimin e mosndëshkimit. Nëse kryen një krim, duhet të gjykohesh. Shpresojmë se Serbia është duke punuar në këtë”, ka deklaruar Rohde në një intervistë për Kosovo Online, raporton Express.

Ambasadori gjerman ka bërë me dije se Gjermania do ta shtojë praninë e saj në Kosovë me një kontigjent nga maji.

“Personalisht, nuk mund ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji. Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Kjo ishte një punë e madhe dhe me të vërtetë autorët duhet të ndëshkohen”, ka deklaruar Rohde.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 42.284 pjesëtarë të ushtrisë ruse janë vrarë prej…