Romani “Gjarpijt e gjakut” përkthehet dhe botohet edhe në esperanto

15 gusht 2019 | 11:17

Lulëzim ETEMAJ

Romani “Gjarpijt e gjakut”, i autorit Adem Demaçi, i botuar në vitin 1958 nga “Jeta e re”, përndryshe romani i parë shqip në Kosovë, është botuar këto ditë në gjuhën esperanto.

Përkthimin e romanit të Demaçit e ka bërë profesor Bardhyl Selimi.

Selimi është i biri i mësueses së parë të Bacës Adem, mësueses së famshme Vezire Mezini-Gjuraku, si dhe atdhetarit të shquar Adem Selimi-Gllavica.

Duke qenë se më parë është përkthyer në gjuhën gjermane, kjo është gjuha e dytë e huaj në të cilën përkthehet romani “Gjarpijt e gjakut”.

Bardhyl Selimi më herët e ka përkthyer në këtë gjuhë edhe romanin tjetër të Bacës Adem Demaçi, “Nëna Shegë e pesë gocat”.

Kur jemi te përkthimet e krijimtarisë letrare të Demaçit, Nermin Vora-Falaski e ka përkthyer romanin “Libër për Vet Mohimin”.

Romani “Gjarpijt e gjakut”, jo vetëm që është romani i parë shqip në Kosovë, por është edhe një roman unik shqiptar, që e ka jetuar qind për qind fatin e autorit, duke qenë i burgosur mbi 30 vite.

Romani “Gjarpijt e gjakut”, sado që i burgosur, ka qarkulluar fshehtë dorë më dorë, është lexuar fshehtë, është analizuar e komentuar fshehtë, e ka frymëzuar, ushqyer dhe mbajtur pip në këmbë Lëvizjen Kombëtare për pajtim, duke falur gjaqet, çlirim dhe bashkim kombëtar.
“Gjarpijt e gjakut”, në gjuhën esperanto është redaktuar nga Vilhelm Luterman, e ka botuar Shtëpia Botuese “Monda Asembleo Socia Mas” dhe shtypur në Angli.

Në gjuhën shqipe romani “Gjarpijt e gjakut” ka pasur deri më tani 11 ribotime.

Në foto: Baca Adem, mësuesja Vezire dhe i biri i saj, Bardhyli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Donny Van de Beek nuk do të largohet nga Ajaxi…