Rrahmani: Dua ta fitoj titullin dhe t’i shënoj 20 gola

29 shkurt 2024 | 10:56

Albion Rrahmani ishte mbrëmë hero i Rapid Bukureshtit në fitoren me rezultat 4:1 ndaj UTA Arad.

Futbollisti nga Kosova ka realizuar dy gola, duke arritur kuotën e 11 golave në këtë edicion në ligën elitare rumune.

Pas ndeshjes, Rrahmani ka folur për golat e tij dhe për synimet deri në fund të sezonit.

Ai nuk e ka fshehur dëshirën për ta fituar titullin e kampionit në Rumani dhe pse jo, deri në fund të sezonit t’i shënojë së paku 20 gola.

“Shpresoj të shënoj më shumë gola. Dua ta fitojmë titullin. Do të shohim nëse do të mundë t’i shënoj 20 gola apo jo. Pas rezultatit 2:0 ne u relaksuam. Më pas ata bënë gabime dhe ne shënuam. Është e rëndësishme të luftojmë deri në fund. Pas rezultatit 3:1, kundërshtari u dorëzua. Tifozët na ndihmuan shumë, ishin lojtari ynë i 12-të. Unë luajta për ta”, ka thënë Rrahmani, shkruan mediumi rumun “Digi Sport”.

Rrahmani është rikthyer me sukses nga lëndimi i rëndë që e la jashtë fushës së blertë për disa muaj dhe tash është duke shkëlqyer prapë në Superligën rumune.

Ish-futbollisti i Ballkanit është pjesë e Rapidit së bashku me dy lojtarët tjerë nga Kosova, Ermal Krasniqi dhe Florent Hasani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të vizitojë Turqinë…