Rrecaj: Në rastin e Salih Mustafës, Gjykata Speciale e ka zbatuar ligjin e gabura

20 dhjetor 2022 | 21:43

Avokati Tahir Rrecaj, ka thënë që në rastin e Salih Mustafës, Gjykata Speciale e ka zbatuar ligjin e gabuar.

“Natyrisht që dënimi është shumë i lartë. Dëshiroj të theksoj që Gjykata e ka zbatuar ligjin e gabueshëm në rastin e Salih Mustafës, pasi e ka shkelur parimin e ligjshmërisë, i cili parim i garanton secilit person të akuzuar që ndaj tij zbatohet ligji më i favorshëm”, ka thënë ai.

Rrecaj në Rubikon në Klan Kosova tha që në rastin e Mustafës është dashur sipas tij, që të zbatohet ligji penal i ish – Jugosllavisë, por pa dënimin me vdekje.

“Ligji shumë qartë e sqaron që ndaj të akuzuarit zbatohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar penale. Në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar penale ka qenë në fuqi ligji penal i ish-Jugosllavisë, i cili për vepra të tilla ka paraparë dënim me të paktën 10 vjet, ose dënim me vdekje. Siç e dimë ne të gjithë pas luftës në Kosovë, me rregulloren e UNMIK-ut, dënimi me vdekje është hequr dhe ligji penal i ish-Jugosllavisë nuk ka paraparë dënim më të lartë  sesa dënimi me burg deri në 15 vjet”.

“Gjykata ka zbatuar gabueshëm rregulloren mbi Dhomat e Specializuara, sepse në këtë rast është dashur që të zbatohet ligji penal i ish – Jugosllavisë pa dënimin me vdekje, që dënimi maksimal me burg mund të shqiptohej deri më 15 vjet burg”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Botërore ka bërë të ditur se ka miratuar një…