Rrëfimi i agjentes së Shërbimit Informativ shqiptar: Si u rekrutova?

25 qershor 2022 | 09:55

Rrugëtimi për t’u bërë pjesë e Shërbimit Informativ të Shtetit ka qenë një nga rrugëtimet më emocionuese të jetës sime.

Kështu e nis rrëfimin e saj e reja shqiptare që vendosi të bëhej pjesë e SHISH-it.

Në raportin e fundit të publikuar nga ky institucion sillet një pasazh me rrëfimin e vajzës që vendosi të ndryshonte jetën e saj.

“Gjithmonë kisha ëndërruar të isha pjesë e një institucioni ku impakti i punës sime do të ndihej jo vetëm brenda tij, por në rang më të gjerë, në rang kombëtar”, shkruan ajo.

Sipas saj, procesi rekrutimit zgjati disa muaj dhe pati edhe shumë intervista dhe verifikime të tjera, derisa, më në fund, e njoftuan se ishte përzgjedhur për të qenë një prej personave që do të merrte pjesë në një trajnim profesional disamujor.

Për të trajnimi ishte intensiv dhe sfidues.

“Betohem solemnisht se do t’i shërbej me përkushtim e ndershmëri Republikës së Shqipërisë për forcimin e sigurisë kombëtare, do të veproj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, do të kryej me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm detyrat që do të më ngarkohen, do të ruaj sekretin dhe do të jem besnik ndaj Shërbimit Informativ të Shtetit në përmbushjen e misionit të tij”, me këto fjalë u mbyll ceremonia zyrtare dhe tashmë ishte gati për të dhënë kontributin për atdheun.

Para se të niste formalisht punën si punonjëse e Shërbimit Informativ të Shtetit, frika e saj më e madhe ishte se mos ndoshta kjo nuk ishte punë e përshtatshme për vajza.

“Në një shoqëri me histori patriarkale si ajo e vendit tonë, mendoja se do të ishte shumë e vështirë për një vajzë të re, të punonte në sektorin operativ dhe të sillte impakt pozitiv në këtë vend. Por, sapo fillova punë, vura re se, pjesë e SHISH-it janë shumë gra dhe vajza, disa prej të cilave kanë ngjitur shkallët e karrierës dhe sot janë në pozicione drejtuese, gjë që për mua është tepër motivuese”.

Ajo rrëfen se si duke u përballur çdo ditë me njerëz të ndryshëm, zhvillon shumë aftësi dhe, mbi të gjitha, mëson të njohësh njerëzit jo vetëm në bazë të asaj që shfaqin, por edhe në bazë të asaj që fshehin.

“Për më tepër, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa ta mbyllësh një ditë pune duke e ditur që ke sjellë një ndikim pozitiv dhe ke dhënë kontributin tënd për realizimin e misionit kryesor: Garantimin dhe ruajtjen e sigurisë kombëtare”. /Albanianpost.com

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klinikat e abortit kanë nisur të mbyllen në disa shtete…