Rrëfimi mjekes shqiptare në Itali: Frika, lotët e ankthi që përjeton për Covid-19

04 prill 2020 | 12:13

Nga: Dr. Romina Selenica*

Dua te ndaj me ju një mesazh shprese, gëzimi, optimizmi. Një eksperiencë se si ankthi e frika dhemb më shumë se çdo simptomë virusi, gripi apo COVID-19. Para një jave teksa më duhej të zgjohesha për të ikur në pune, ndjeja trupin të më dhembtë, kisha ethe, temperaturë, dhimbje fyti dhe koke. Dhe ishte ky moment që më bëri të zhvishem nga roli i mjekut dhe të vishem në atë të pacientit. Ndërkohë që rendisja të gjitha simptomat, kontaktet me pacientë dhe kolegë me COVID-19 +, fillova t’i thosha vetes që dhe unë isha prekur nga ky virus. Duke pasur gjithë këto mendime në mendje, frika pushtoj gjithë qenien time. Ndjeja madje sikur dhe frymëmarrja ime nuk ishte më e njëjta.

Kontaktoj me punën që nuk mund të shkoja atë ditë dhe në ato momente frikës time i shtohet ideja se unë mund të kisha qenë një serbatoio infeksioni për kaq kohë , sa pacientë mendova kam infektuar??

Kërkoj të më bëhet tamponi, po kudo që mora dëgjova nga kolegët e mi atë që unë kaq ditë u kisha thënë pacientëve të mi, monitoro simptomat e nëse ke përkeqësim na rikontakto, sepse me kaq simptoma tamponi është i pamundur.

Lutem, u them jam një mjek, frika ime nuk është për mua, as për njerëzit e mi të dashur, sepse jetoj vetëm qe prej 21 shkurtit, por nëse jam pozitive duhet të kontaktojmë të gjithë pacientët që unë kam vizituar këto 14 ditë. Ndërkohë që prisja bërjen e një tamponi, frika, lotët, dhimbja e trupit, temperatura, frymëmarrja, çdo gjë nisi të përkeqësohej.

Kisha mbi dy ditë që nuk haja e pija asgjë, por kaloja kohën në gjetjen e një mundësie për bërjen e tamponit.

Të dielën në mëngjes shkoj për të bërë tamponin e parë! Sapo mbaroj, marr të gjithë njerëzit e mi të dashur dhe u them që për arsye parandalimi, struktura spitalore ku punoj na detyroj të bëjmë tamponin por unë skam asgjë, e sigurt që do dali 99% negativ.

Ndërkohë që doja t;i qetësoja ata dhe të fshihja simptomat brenda meje, digjesha nga ankthi më shumë se nga temperatura. Orët deri në pritje të përgjigjes më janë dukur sikur nuk do kalonin kurrë. Duke pritur përgjigjen e tamponit, arrita të kontaktoj të gjithë pacientët e mi që kisha vizituar ato ditë ti pyesja nëse kishin ndonjë simptomë. Brenda meje, isha e bindur që isha pozitive ndaj COVID-19.

Një ditë tjetër pa ushqim, shtrirë duke monitoruar çdo simptomë në mënyrë posesive. Të nesërmen në mëngjes vjen telefonata, Doktoresha tamponi juaj është NEGATIV !!!!!

Bëj sikur nuk e dëgjoj, i thashë përsëriteni dhe njëherë dhe nga ana tjetër e telefonit më thonë, Doktoresha nuk ke COVID! Kërcej nga krevati plot energji, gëzim dhe marr në telefon familjarët e mi që habiteshin nga gëzimi im (ndërkohe që u kisha thënë për mos t’i shqetësuar që skam asgjë, 99 % është negativ) .

Mbas vetëm një ore, trupi nuk dhimbte më njësoj, frymëmarrja filloj ti kthehej normalitetit dhe u kujtova që kisha tre ditë që nuk ushqehesha. Sigurisht simptomat nuk u zhduken por ishin shumë më të lehta se përpara përgjigjes.

Më thonë që ndërkohë që duhej pritur dhe përgjigja e tamponit të dytë duhet të vazhdoja të rrija ne regjim dhe izolim. Të nesërmen isha plotë energji, temperatura filloj të binte dhe dhimbja trupit po zhdukej! Aty kuptova se çfarë frika i kishte bërë trupit, mendimeve, arsyetimit, gjumit dhe gjithë qenies time. Po më mbyste më shumë sesa ai Grip i thjeshtë sezonal.

Tamponi i dyte sërish negativ!!! Dje ishte dita e parë e punës mbas një jave frike. Dielli ishte po aq i bukur sa dielli i një dite pranvere. Emocioni i kthimit në punë ishte po njësoj si i ditës së parë si mjeke. Kthej kokën dhe habitem se si frika e ankthi më mbërtheu më forte se ai grip sezonal!!

Jo çdo gjë është COVID!! Ju lutem ruani qetësinë, nëse jeni në shtëpi dhe nuk keni pasur kontakte, jeni të sigurt! Nuk ka vend për frikë, sepse sot frika po bën po aq shumë dëme sa vetë COVID. Do ta mundim të gjithë së bashku këtë armik! Parandalojmë infektimin me COVID e kurojmë së bashku ankthin dhe frikën! Është një helm vrastar po aq i rrezikshëm!

*Romina Selenica, mjeke shqiptare në Piza të Italisë/Shqip

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ferat Shala Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar…