Rrëfimi për gjashtë vëllezërit dhe kohën që s’kthehet më

19 shtator 2023 | 08:54

Pavarësisht ç’karrierë mbërrin njeriu gjatë jetës, madje edhe nëse shkon në fund të botës, është vendlindja ajo e cila të tërheq me magjinë e saj, në veçanti kur ajo është edhe e bukur.

Moti e kam bërë zakon, që çdo vikend ta kaloj në vendlindje. Ndodh edhe për faktin se është vetëm dhjetë milje larg Prishtinës dhe më shumë se kjo shijoj bukuritë e natyrës, pasi kam ndjesinë se vendlindjes time i qëndron bukur secila stinë.

Atje shkoj herët në mëngjes dhe bëj një ecje prej disa kilometrash, duke përvijuar kullat tashmë të braktisura rrëzë malit.

Sot, derisa ecja i vetmuar dhe vesa e mëngjesit ende rrëzëllente mbi bar, kalova afër shtëpisë së Muharremit, kushëririt tim të dashur, i cili në vitet tetëdhjetë ishte ndër fotoreporterët më kreativ dhe ndër njerëzit më të veçantë në Prishtinë. Sa herë kaloj para dyerve të kullës së tij tashmë të braktisur, trokas disa herë me çekiçin e kapixhikut në dyert e oborrit, i vetëdijshëm se jo vetëm në kullën e tij, por edhe në të gjitha kullat përreth nuk jeton askush …

Duke vazhduar ecjen time të zakonshme, udha më qet para dyerve të gjashtë vëllezërve, po ashtu kushërinj të mi, të cilët po ashtu i kanë braktisur tash disa vjet kullat e tyre dhe nuk jetojnë më. Kroi, i cili ende rrjedh ujë para kullave të tyre të braktisura, gjithmonë më sjell trishtim. Vëllai më i madh i tyre Rexha, ishte një burrë i jashtëzakonshëm, i cili jo vetëm shquhej si punëtor që i kalonte përmasat njerëzore, shquhej edhe për humorin dhe batutat e tij me shije. Rexha tashmë i ndjerë, kur i kryente punët e verës, nuk qëndronte duarkryq as gjatë dimrit. Gjatë kësaj stine, ai merrte mjetet e punës dhe hapësirat pyjore i shndërronte në tokë buke. Kur ia jepte syri i pranverës, Rexha ia shtonte së paku edhe tridhjetë ari tokë buke familjes së tij!

Me gjashtë vëllezërit, ashtu si me të gjithë kushërinjtë tjerë, kam patur gjithmonë lidhje të veçanta. Familja ime është unikate në Kosovë, pasi jemi një familje në dy fshatra, në të cilat nuk jeton asnjë fis tjetër. Në vitet tetëdhjetë kur isha student, gjashtë vëllezërit kishin zakon që çdo të premte të thernin një qengj dhe ky “zakon” nuk mund të ndodhte, nëse gjatë asaj të premteje nuk isha në vendlindje. Përveç respektit të madh që gjashtë vëllezërit më jepnin mua, kur shtrohej sofra, ata çuditeshin me mua se si është e mundur të haja aq ngadalë, prandaj ishin të kujdesshëm që të ma ndanin hisen e mishit, duke u frikësuar se mund të mbetesha i uritur, derisa ata e kollofitnin brenda pak minutash! Mbas qengjit, nëna e tyre tezja Elife, një malësore fisnike dhe grua e jashtëzakonshme e cila shquhej edhe për gjatësinë e saj pasi ishte e gjatë rreth një metër e nëntëdhjetë, sillte edhe të paktën tri tepsi me pite, të cilat kollofiteshin po ashtu sa çel e mbyll sytë!

Shkruan: Bajram Mjeku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Intervale me diell nuk do të mungojnë ditën e martë,…