RRETH TAVOLINËS SUEDEZE TË AMBICIEVE

24 qershor 2026 | 18:19

Isuf Sherifi

Nëpër betejat e pafundme të profileve virtuale vazhdon lufta për të përcaktuar se kush duhet të jetë çfarë në “Shqipërinë e Re”, me plot re.

Në hapësirat digjitale ndërtohen e rrëzohen përditë figura, shpallen verdikte të menjëhershme dhe krijohen realitete që jetojnë vetëm për aq kohë sa zgjat vëmendja e ekranit.
Por, përtej kësaj zhurme, mbetet një e vërtetë e pandryshueshme: politika nuk është një garë perceptimesh, por një proces që buron nga vullneti qytetar.

Miliona shqiptarë, me gjithë zhgënjimet dhe shpresat e tyre të ndërthurura, mbeten ata që në fund vendosin drejtimin përmes votës së hedhur në kutitë e votimit. Asnjë narrativë e ndërtuar në hapësirën virtuale nuk mund të zëvendësojë aktin konkret të zgjedhjes, as përgjegjësinë që ai mbart.

Demokracia nuk është zhurmë, por maturi; nuk është imponim, por pranim i rregullit të përbashkët.

Sovrani flet në kutinë e votimit

Deri atëherë, vazhdoni të vërtiteni rreth tavolinës suedeze të ambicieve, ku secili përpiqet të marrë pjesën e vet të protagonizmit politik, duke e ngatërruar dëshirën me realitetin dhe aspiratën me të drejtën për pushtet. Shpesh, në këtë garë simbolike, harrohet se legjitimiteti nuk shpiket, por fitohet.

Në fund, historia mbetet dëshmitari më i ftohtë dhe më i drejtë. Ajo nuk sublimihet me zhurmë, por me rezultat; jo deklaratat, por vendimet.

Në fund, në çdo demokraci, mbetet i pandryshueshëm akti themelor: vota, si shprehja më e qartë e sovranitetit qytetar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike e Kosovës, ka dalë…