Rrethanat politike në të cilat rezultoi deklarata e Rugovës për UÇK-në

01 shkurt 2023 | 09:05

RRETHANAT POLITIKE NË TË CILAT REZULTOI DEKLARATA E IBRAHIM RUGOVËS PËR UÇK-në, PARËSISHT SI DEKLARATË DIPLOMATIKE, DHE JO SI DEKLARATË KUNDËR UÇK-SË

Sot u bënë 25 vjet që nga deklarata e Ibrahim Rugovës për UÇK-në dhënë medias norvegjeze “Dagsavisen”, e publikuar më 01.02.1998. Në vijim faksimilja e kësaj deklarate në gjuhën norvegjeze dhe përkthimi në gjuhën shqipe. Dhe krejt në fund një koment imi meqë kjo deklaratë nuk duhet gjykuar bardh e zi, por duhet vlerësuar në kuadër të kontekstit të atëhershëm politik të Kosovës. Me këtë koment timin nuk pretendoj t’i ndriçoj të gjitha hollësitë, por vetëm të zbërthej disa nuanca të domosdoshme në lidhje me rrethanat politike në të cilat rezultoi kjo deklaratë.

Nga Elisabeth Salvesen

DO TË LUFTOJ PËR LIRI

– Dera ime është e hapur për të gjithë që luftojnë kundër shtypjes serbe.

LLAUSHË (“Dagsavisen”):

– Kam luftuar kundër fashistëve dhe për liri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jam i gatshëm ta bëj të njëjtën gjë përsëri, thotë me vendosmëri shqiptari i Kosovës, Bajram Meta (67 vjeç),  baba i pesëmbëdhjetë fëmijëve. Bajram Meta banon në fshatin Llaushë…..(foto Bajram Meta).

POLICIA SERBE MUND TË JETË PRAPA DHUNËS

PRISHTINË (“Dagsavisen”):

– Unë nuk kam ende informacion të mjaftueshëm për të thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ekziston, thotë Ibrahim Rugova, udhëheqës i partisë më të madhe të shqiptarëve të Kosovës (LDK) dhe president i qeverisë së tyre të vetemëruar nën hije në Prishtinë.

PRETEKST

– Episodet e dhunshme që kemi parë së fundmi mund të jenë inskenuar nga policia sekrete serbe në Kosovë. Këtu tanimë ka një numër të madh të policisë dhe ushtrisë serbe dhe kam drojë se ngjarjet e dhunshme do të përdoren si pretekst për një aksion ushtarak përfundimtar në Kosovë,  thotë me shumë shqetësim Rugova për “Dagsavisen”.

– Unë, gjithashtu, jam me padurim për të gjetur një zgjidhje për statusin politik të Kosovës, por jam i bindur se veprimet e dhunshme mund ta nxjerrin shpejt situatën në Kosovë plotësisht jashtë kontrollit dhe se rrezikojmë një spastrim të ri etnik në Ballkan. Një luftë këtu mund të jetë më e keqe se lufta në Bosnjë.

Udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, mbështetet në teorinë se janë forcat e fshehta të policisë serbe që qëndrojnë prapa veprimeve të dhunshme në Kosovë kohën e fundit.

NUK PAJTOHEN ME RUGOVËN

“Dagsavisen” intervistoi njerëz të niveleve të ndryshme në partinë e Rugovës, LDK, dhe të gjithë iu përmbajtën shpjegimit të Rugovës për aktet e dhunës me përgjegjësi në provokatorët serbë dhe mohuan se ekziston UÇK. Por çdo shqiptar tjetër të Kosovës që takuam – nga politikanë të tjerë, studentë dhe intelektualë e deri te redaktorët e gazetave, gazetarët dhe pritësi i kafenesë në cep të rrugës kryesore në Prishtinë – thonë të kundërtën:  qartë se UÇK-ja ekziston.

-Unë nuk kam dyshim se UÇK-ja ekziston, dhe ka gjasa se ka mbështetje nga jashtë, nga Shqipëria apo vende të tjera, thotë Mahmut Bakalli, një tjetër politikan shqiptar nga Kosova, i cili tani ka hyrë në garë me Rugovën si kandidat për president në zgjedhjet në Kosovë më 22 mars.

KËTU I NDALËN SERBËT

– Goditjet tregojnë se prapa qëndron një grup i organizuar mirë

Goditjet në Llaushë më 26 nëntor vitin e kaluar tregojnë se një grup i organizuar mirë qëndron prapa, një organizatë e cila pati sukses t’i ndalojë forcat serbe, thotë sekretari i përgjithshëm i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Bjørn Engesland, i cili rishtas ka qëndruar në këto zona…..(foto Bjørn Engesland).

– ËSHTË E ÇARTË SE UÇK-ja EKZISTON

Eksperti ushtarak britanik Paul Beaver vërteton se grupi mistik që e quan veten Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ekziston.

BURIM (i këtij informacioni) është gazeta norvegjeze “Dagsavisen” (gazetë ditore) e themeluar në vitin 1884. Sa i përket gazetares Elisabeth Salvesen, e ka pasur detyrën/përgjegjësinë  kryesore në këtë gazetë (“Dagsavisen”) për lajmet nga Ballkani, që nga shembja e murit të Berlinit.

KOMENT SHTJELLUES:

I

Nga njëra anë duhet të kihet parasysh se Ibrahim Rugova ka pasur përgjegjësi të madhe politike si lider i zgjedhur me votën e shqiptarëve të Kosovës, njëkohësisht ka pasur druajtje për eskalim të situatës, saqë ka mundur më shumë ose më pak të ndikohet nga kjo përgjegjësi dhe druajtje (eventualisht të ndikohet edhe nga ndokush nga radhët e LDK-së apo më gjerë) dhe “të dyshojë” se “provokimi i situatës për luftë” mund të jetë më shumë ose më pak edhe i ndikuar tërthorazi nga shërbimi sekret serb. Sidoqoftë, e gjithë kjo duhet të shihet edhe në kombinim me trysninë e Millosheviqit dhe presionet e jashtme ndërkombëtare të atëhershme që kryesisht ishin pro – mbajtjes së statusquos, dhe që nuk shihnin ndonjë zgjidhje të qartë – alternativë të krizës politike në Kosovë përderisa në pushtet ishte Millosheviqi. Në kuadër të zhvillimit të këtyre ngjarjeve, Ibrahim Rugova shpalli zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 23 dhjetor të vitit 1997, që u mbajtën më 22 mars të vitit 1998. Në ndërkohë, më 22 shkurt të vitit1998, në Zyrën Amerikane në Prishtinë, Adem Demaçi takoi të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin, Robert Gelbart, i cili paraprakisht e kishte cilësuar UÇK-në organizatë “terroriste”. Sipas biografit të Adem Demaçit, Shkëlzen Gashi, në këtë takim: “Demaçit i kërkohet ta mbështesë tezën se UÇK-ja është organizatë terroriste. Ai jo veç kundërshton, por pohon me këmbëngulësi se UÇK-ja është organizatë çlirimtare”. [1]  Për më tepër, e gjithë kjo duhet të shihet edhe si rezultat i një prapavije të mosbashkëpunimit/moskoordinimit të duhur në lidhje me kryengritjen e armatosur në Kosovë  (sidomos pas konferencës së Dejtonit), në mes, nga njëra anë LDK-së dhe qeverisë Bukoshi dhe, nga ana tjetër, LPK-së. Duke përfshirë mungesën e një bashkëpunimi më të duhur edhe në mes të LDK-së dhe qeverisë Bukoshi, dhe më pak e më shumë edhe në kuadër të tyre veç e veç dhe, gjithashtu, mungesës në vazhdimësi të një bashkëpunimi më të duhur dhe në kohë të duhur brenda vetë LPK-së. Madje ndokush në kuadër të fushave studimore  të politologjisë, përkatësisht fushës së psikologjisë-politike, do të mund të thoshte se kujdesi i shtuar i Ibrahim Rugovës për popullin (në kuptimin e qëndrimit të tij të palëkundur kundër eskalimit në gjendje të luftës), ka pasur të bëjë në masë të madhe me personalitetin e tij (pa i përjashtuar krejtësisht faktorët e tjerë shpjegues), përkatësisht me qasjen e tij të urtë, të kujdesshme dhe të përgjegjshme në raport me rrethanat sociale, saqë kjo mund të ketë ndikuar që si lider të formësojë një relacion të kujdestarit me kujdes të shtuar  në raport me popullin, në përpjekjen e tij mbrojtëse të popullit, duke insistuar gjithnjë si lider, për mospërkeqësimin e skajshëm të situatës siç kishte ndodhur në Bosnjë etj.  Ky virtyt i Ibrahim Rugovës, në pozitën e liderit me përgjegjësi të madhe politike, sidomos para Konferencës së Dejtonit, ishte shpëtimi i Kosovës nga një kasaphane edhe më e keqe se në Bosnjë. Gjithashtu, paraqitja e tij (nga të tjerët), thjesht vetëm si njeri i druajtjeve, nuk qëndron ngaqë, përveç të tjerash, pati guximin të kthehet te populli gjatë intervenimit ajror të NATO-s dhe u kidnapua nga Millosheviqi.

Rrjedhimisht, kjo deklaratë e Ibrahim Rugovës nuk duhet cilësuar si deklaratë kundër UÇK-së, por parësisht si një deklaratë diplomatike në kuadër të gjendjes tepër të rënduar të atëhershme politike në Kosovë dhe përgjegjësisë politike që kishte Ibrahim Rugova si president i zgjedhur i shqiptarëve të Kosovës. Në radhë të parë, në kuptimin e një deklarate diplomatike që mos t’i jepet preteksti i drejtpërdrejtë Millosheviqit për ofensiva të përshpejtuara ushtarake dhe të pastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë, njëkohësisht duke e marrë parasysh  qëndrimin negativ (më shumë dhe më pak, gjatë kësaj periudhe) të shteteve perëndimore ndaj UÇK-së, të cilat shtete (edhe pas konferencës së Dejtonit), vazhduan të jenë pro-statusquos, duke mos qenë të shqetësuara mjaftueshmëm për të gjetur ndonjë zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën përderisa në pushtet ishte Millosheviqi. Këto qëndrime negative ndaj UÇK-së dhe pro-statusquos i ka kritikuar edhe një nga personalitetet e rëndësishme të LDK-së, Enver Maloku, në një shkrim të vitit 1998, me titull:  Kush janë “ekstremistët shqiptarë” në Kosovë? Ku, përveç të tjerash, shkruan: “…Në deklaratën e disa diplomatëve perëndimorë shihet se me sintagmën ‘ekstremistët shqiptarë’ ata nënkuptojnë shqiptarët që punojnë e që luftojnë për lirinë e pavarësinë e vendit të vet, ata që mbrojnë shtëpitë e familjet e veta dhe që përpiqen që, me mjetet që i kanë, ta realizojnë vullnetin e popullit për liri e pavarësi. Kështu, Perëndimi anatemon vepruesit, ndërsa nuk i qorton as nuk i anatemon ata që flasin e shkruajnë për pavarësi. Ç’është e vërteta, më parë se Perëndimi, qëndrimin e tillë e ka krijuar vetë Beogradi, i cili tash sa vite nuk i dënon masivisht shqiptarët për delikt verbal, pra për shprehje mendimesh e pikëpamjesh, por i dënon dhe i ekzekuton shqiptarët që veprojnë ose që kërkojnë veprim…….. Anatemimi i veprimit dhe i luftës për liri do të thotë mbështetje për agresionin serb, pra edhe për masakrat e krimet e tij. Natyrisht, ndëshkimin e veprimtarëve e bën Beogradi, por me lejen e Perëndimit! Jorastësisht, pas deklaratave se nuk mbështetin pavarësinë e Kosovës, disa diplomatë të Perëndimit i kanë shpeshtuar kohën e fundit edhe deklaratat kundër pavarësisë së Kosovës!”[2]  Në fakt, tanimë veçanërisht Millosheviqit i konvenonte statusquoja, që të vazhdonte ta mbante pushtetin e tij meqë, pas konferencës së Dejtonit, nga qarqet e shteteve perëndimore konsiderohej si faktor konstruktiv në rajon, largimi i të cilit mund të shpinte në një destabilizim. Në lidhje me këtë, historiani Noel Malcolm, përveçse konsideron se mospërfshirja e zgjidhjes së krizës politike të Kosovës në kuadër të Konferencës së Dejtonit ishte një goditje për prestigjin e politikës paqësore në Kosovë [3], për më tepër, sipas tij:  “Marrëveshja e Dejtonit në përgjithësi ndikoi në konsolidimin e sundimit të Millosheviqit në Serbi: diplomatët e Perëndimit deklaruan haptazi se ata i ishin atij mirënjohës për përpjekjet e tij ‘për vendosjen e paqes’ dhe se e konsideronin atë si një forcë konstruktive në rajon, largimi i të cilit mund të shpinte në një destabilizim…” [4]  Kjo ishte pothuajse arsyeja kryesore pse fillimisht shtetet perëndimore (më shumë dhe më pak) mbanin qëndrime negative  ndaj UÇK-së, duke shpresuar se UÇK-ja nuk do të mund të rezistojë (dhe do të vazhdojë statuquoja), por edhe nëse arrin të rezistojë duhej të futej nën kontroll. Njëherësh disa qarqe perëndimore kishin dyshime (bazuar kryesisht në propagandën serbe) se UÇK-ja mund të evoluojë në një kryengritje me konotacion fetar, gjë që u dëshmua se ishte vetëm paragjykim. Në fakt, UÇK-ja vetëm u fuqizua, në krye me dhe e inkurajuar nga dy Ademat, përkatësisht nga patrioti më altruist shqiptar dhe prijësi emblematik ushtarak i UÇK-së, Adem Jashari, me bashkëfamiljarë (dhe bashkëpunëtorë), dhe simboli i rezistencës kombëtare, njëherësh prijësi emblematik politik i UÇK-së, Adem Demaçi etj. Por, gjithashtu, duhet pasur parasysh faktin se politika e Lëvizjes Paqësore në krye me Ibrahim Rugovën (para Konferencës së Dejtonit) si faktor i brendshëm dhe gjenocidi në Bosnjë dhe si faktor i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimore), e kanë pasur  ndikimin e vet të tërthortë dhe të rëndësishëm për imponimin e legjitimimit ndërkombëtar të UÇK-së, në kuptimin se shqiptarët e Kosovës, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, kishin provuar me vite ta zgjidhnin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Millosheviqi dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhte në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale që kishte ndodhur në Bosnjë. Veçanërisht duke e marrë parasysh edhe faktorin gjeopolitik ngaqë një konflikt i armatosur në Kosovë (për dallim të Bosnjës) e kishte potencialin e zgjerimit të luftës përtej kufijve të Jugosllavisë e, gjithashtu, duke e marrë parasysh edhe  aspektin e krizës humanitare gjithnjë në rritje në Kosovë. Në këtë vazhdë, UÇK-ja triumfoi si katalizatore për çlirimin e Kosovës duke e imponuar çështjen e Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, gjë që rezultoi me organizimin e Konferencës së Rambujesë, dhe që njëkohësisht nënkuptonte futjen e UÇK-së nën kontrollin e shteteve perëndimore në krye me ShBA-në.

II

Nga ana tjetër është i habitshëm ngurrimi (edhe/deri në janar 1998), në kuptimin se mungonte  informacioni i mjaftueshëm që të thuhet se UÇK-ja ekziston, ngaqë gjatë  vitit 1997 ka pasur disa ndodhi që kanë bërë edhe bujë publike më shumë dhe më pak (në medie kombëtare dhe ndërkombëtare) për ekzistimin e UÇK-së. Përveç të tjerash, në vitin 1997 bien heroikisht Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi, e paraprakisht ishte plagosur në një aksion një ndër prijësit kryesorë të celulave të para të UÇK-së, Qerim Kelmendi.  Gjithashtu, paraprakisht ishte burgosur koordinatori i UÇK-së, Nait Hasani, i cili u dënua me dënim maksimal sipas kodit penal jugosllav të asaj kohe me 20 vjet burg, dhe i cili, gjatë procesit gjyqësor, përveç të tjerash, kishte deklaruar: “Unë s’jam terrorist – terrorist është shteti serb”….[5]  Të njëjtin vit, më 9 nëntor 1997, u organizua  një konferencë me bashkatdhetarë në mbështetje të UÇK-së, në Köln të Gjermanisë. Folës në këtë konferencë ishin tre drejtuesit e LPK-së në Gjermani[6] , përkatësisht Fehmi Lladrovci (idealist i spikatur, i cili më pastaj ra heroikisht në luftën në Kosovë), Ibrahim Kelmendi (bashkëthemeluesi dhe bashkëdrejtuesi veteran  i LPK-së, gjithashtu anëtar i kryesisë së LPK-së gjatë luftës në Kosovë), dhe Sabri Kiçmari  (përfaqësues politik i UÇK-së për marrëdhënie me jashtë, gjatë luftës në Kosovë, respektivisht pjesë e ekipit të UÇK-së për marrëdhënie me jashtë, në përbërje nga Jashar Salihu, Ramadan Avdiu, Agush Buja, Bilall Sherifi, Rexhë Ibërdemaj, Xhevat Bislimi, Dino Asanaj, Mujë Rugova, Pleurat Sejdiu etj., në krye me Bardhyl Mahmutin). Ndërsa në fund të muajit nëntor dhe fillim të muajit dhjetor të vitit 1997 ndodhen dy deklarata publike në mbështetje të UÇK-së brenda vendit dhe jashtë vendit në pajtim me Xhavit Halitin (i cili ka qenë bashkëpërgjegjës për ngritjen e strukturave të rezistencës së armatosur në Kosovë, nga mesi i viteve ’80, së bashku me Xhavit Hazirin, Ahmet Haxhiun etj., dhe më pastaj  bashkëdrejtues së bashku  me Ali Ahmetin, Azem Sylën, i Sektorit të Veçantë të LPK-së/Shtabit Qendror të UÇK-së) [7], përkatësisht deklarata e Rexhep Selimit i shoqëruar nga Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj (gjatë varrimit të Halit Gecajt më 28.11.1997), më pastaj të njohur edhe si komandantë të UÇK-së, madje njëri nga ta, Mujë Krasniqi, i rënë heroikisht gjatë luftës në Kosovë [8] dhe deklarata publike dhënë radiotelevizionit norvegjez më 09.12.1997, e emituar në mediet skandinave dhe më gjerë, e Nufri Lekës (një ndër drejtuesit e LPK-së në emigracion, bashkëpunëtor i Sektorit të Rëndësisë së Veçantë të LPK-së dhe përfaqësues politik i UÇK-së në Skandinavi gjatë luftës në Kosovë)[9].  Qëllimi me këto dy deklarata publike, brenda dhe jashtë vendit, ishte për ta bindur opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se UÇK-ja ekziston. Gjithashtu, vlen të potencohet se Xhavit Haliti, rishtazi gjatë një interviste, duke folur për një bisedë që ka pasur për çështje të luftës me Ibrahim Rugovën para vitit 1998 (në shtëpinë e Hajdin Sejdisë në Lugano), thotë se Ibrahim Rugova i është përgjigjur:  “Shiqo, nuk është mirë me thënë që ke folë për çështje lufte, por unë s’ju pengoj. Unë s’dal kundër publikisht, por s’dua ta lë rrugën time” [10].   Po ashtu, para vitit 1998, sipas gazetës së mirënjohur zvicerane “Le Temps”,  Xhafer Shatri që nga vjeshta e vitit 1997, (në cilësinë e ministrit të Informatave të Qeverisë së Kosovës në Egzil, me seli në Gjenevë, i cili kishte kontakte të drejtpërdrejta në OKB), mbështeti publikisht UÇK-në. Përveç të tjerash, në një fragment të kësaj gazete thuhet: “… E konfirmoj gjithashtu dhe qartas, se lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është rezultat logjik i terrorit serb që po zgjat që 17 vjet dhe i një indiference të padurueshme të bashkësisë ndërkombëtare për fatin tonë. Po përpiqem t’i bind të gjithë se anëtarët e kësaj organizate (UÇK-së) nuk janë terroristë, por njerëz që po sakrifikohen për popullin e tyre. Është e njohur botërisht se në një mënyrë apo në një tjetër ministri që nga vjeshta e vitit 1997 mbron publikisht idenë se pas kaq vitesh të përpjekjeve pacifiste që nuk dhanë fryte, lufta e armatosur është bërë e domosdoshme për çështjen e Kosovës…”[11] . Kjo mbështetje publike për UÇK-në nga Xhafer Shatri nuk ishte e rastësishme, sidomos duke e marrë parasysh se në fillimvitet ’70  ka qenë një ndër drejtuesit më të shkathtë të veprimtarisë revolucionare në Kosovë dhe, në këtë vazhdë, gjatë fillimviteve ’80, një ndër bashkëdrejtuesit e LPK-së (LRShJ-së) në emigracion etj. Njëherësh, në kuadër të këtyre ndodhive të vitit 1997, vlen të theksohet  roli i rëndësishëm i demonstratës së fuqishme për të drejtat në arsim, më 1 tetor 1997, e organizuar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, së bashku me përfaqësuesit e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Albin Kurti etj.), që nënkuptoi një lloj mbështetje, inkurajimi dhe sinkronizimi me UÇK-në.

Për më tepër, shikuar nga një këndvështrim më ideal, deklarata diplomatike e Ibrahim Rugovës për UÇK-në do të mund të ishte formuluar pa konotacion dekurajues dhe, në këtë kuptim, mund të shtrohet edhe pyetja pse Ibrahim Rugova nuk e përdori fillimin e kryengritjes nga “grupet radikale” (UÇK), për ta paraqitur para Bashkësisë Ndërkombëtare si domosdoshmëri për një mbështetje më të fortë të opsionit të tij paqësor. Në fakt kështu do ta faktorizonte LDK-në dhe vetveten për t’u imponuar më fuqishëm politikisht, njëkohësisht do t’i faktorizonte “grupet radikale” (UÇK-në) po sikur të deklaronte se kërkon nga Bashkësia Ndërkombëtare të nxitohet dhe të ndërhyjë, sepse ekzistojnë “grupet radikale” (UÇK-ja) të cilat e shohin rezistencën e armatosur si mjet të fundit për mbrojtje dhe zgjidhje të krizës politike në Kosovë, meqë regjimi gjithnjë e më shumë shtypës i Millosheviqit me vite ka refuzuar për të gjetur një zgjidhje për Kosovën dhe, rrjedhimisht, është rritur shqetësimi se mund të ndodhë një kasaphane në Kosovë, edhe më e keqe se në Bosnjë. Kjo do t’i jepte edhe më shpejt legjitimitet luftës së UÇK-së si mjet i fundit dhe si katalizatore për çlirimin e Kosovës nga regjimi neofashist i Millosheviqit,  sidomos do ta përshpejtonte mobilizimin më të duhur, sepse heshtja dhe ngurrimi e kanë penguar një mobilizim më të duhur. Gjithashtu, heshtja dhe ngurrimi në lidhje me ekzistimin e UÇK-së kanë ndikuar edhe për tendencat e formimit të “grupeve radikale  paralele” (FARK-ut) etj.,  të cilat, për fat të mirë, u shkrinë në UÇK, sepse në ballë të luftës ishin burrat dhe gratë më të mirë të kombit të cilët e donin, para së gjithash, lirinë e vendit. Madje heshtja dhe ngurrimi  e rritnin rrezikun që shërbimi sekret serb të ndërmarrë ndonjë veprim kundër Ibrahim Rugovës dhe faji t’u vihej “grupeve radikale” (UÇK-së), por edhe rreziku që ndonjë individ brenda “grupeve radikale ” (UÇK-së), i infiltruar ose në afeksion, të ndërmarrë ndonjë veprim si individ dhe jo si UÇK.  Por, fatmirësisht, “grupet radikale” (UÇK) nuk ishin grupe krejtësisht të shkapërderdhura pa kokë mbi trup, sidomos nga viti 1994 këto grupe gjithnjë e më shumë u mbështetën, koordinuan dhe u unifikuan nën siglën e UÇK-së, nga LPK-ja si organizatë me përvojë të gjatë politike dhe të konspiracionit, që dinte t’u shmangej qëllimeve përçarëse të Serbisë. Si një ndër shembujt për këtë, po sjell një fragment nga një shkrim i  Bedri Islamit, ku thuhet: “….Në maj të vitit 1998, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, është diskutuar me forcë mundësia e bashkëpunimit me Rugovën, duke i afruar njohjen e tij si president i Kosovës edhe nga lëvizjet çlirimtare. Nga ana tjetër, është bërë kujdes se mos forcat serbe të sigurisë ndërmarrin diçka kundër tij dhe faji do t’i vihej UÇK-së, dhe kjo do  ta bënte luftën më të vështirë, sepse do të kishte përplasje brendashqiptare”. [12]

Vlen të theksohet se pas vitit 1982, përkatësisht konsolidimit të veprimtarisë së LPK-së brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht organizimit të katër mbledhjeve të përgjithshme (1987, 1989, 1991, 1993), u fuqizua veprimtaria e LPK-së, duke përfshirë vendimmarrjet e ndryshme që me zhvillimin e ngjarjeve (transformimin gradual të Këshillave Popullorë të LPK-së në Kosovë, në grupe të armatosura) rezultoi edhe vendimi i themelimit formal/emërimi i UÇK-së, më 17 nëntor të vitit 1994, jo se grupe të armatosura nuk kishte edhe më herët para vitit 1994. Për shembull, grupi i armatosur i quajtur Fronti për Rezistencë dhe Bashkim Kombëtar (FRBK) ishte themeluar në Gjakovë në vitin 1990, por u dekonspirua pas disa muajsh, dhe pas vitit 1994 disa pjesëtarë të këtij grupi iu bashkëngjitën UÇK-së. Pastaj grupi i Prekazit në krye me Adem Jasharin dhe grupi në krye me Zahir Pajazitin në Llap kanë vepruar që nga fillimvitet ’90.  Krahas këtyre grupeve vepronin edhe Këshillat Popullorë të LPK-së, që disa prej tyre ishin shndërruar në grupe të armatosura. Madje edhe më herët, gjatë viteve ’80, ka pasur veprimtari të grupeve të armatosura (në kuadër të LPK-së) që kanë shërbyer si pikënisje konkrete për përgatitjen, inkurajimin dhe organizimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë, siç janë shembujt e grupeve të armatosura “Partia e luftës” (1983), “Çeta e Llapit” (1989) etj. Por data e themelimit formal/emërimit  të UÇK-së konsiderohet data e komunikatës së parë ushtarake të UÇK-së (më 17.11.1994) pas mbledhjes së kryesisë së LPK-së. Për më tepër, duhet të kihet parasysh se LPK-ja si organizatë e fuqishme, në vazhdimësi që nga fillimvitet ’80 (e deri te themelimi formal/emërimi i UÇK-së më 17.11.1994), përveçse kishte krijuar traditë/përvojë të konspiracionit dhe riorganizimit (pas goditjeve) të radhëve të saj, njëkohësisht kishte krijuar traditë/përvojë të rezistencës aktive (përfshirë edhe shembujt e rezistencës së armatosur) kundër regjimit serbo-jugosllav. Në fakt, disa nga pjesëtarët e saj më të devotshëm (disa prej tyre edhe udhëheqës emblematikë) kishin rënë në vazhdimësi heroikisht  (që nga fillimvitet ’80) si pasojë e atentateve, si pasojë e përballjeve të armatosura – të pabarabarta, dhe si pasojë e torturës, përveç të tjerëve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Zijah Shemsiu, Xhemajli Berisha, Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Tahir Lush Berisha, Arif Seferi, Ahmet Haxhiu, Hasan Ramadani, Xhavit Haziri, Bejadin Hallaqi etj. Kështu që kjo traditë/përvojë e LPK-së ndikoi që Këshillat Popullorë të LPK-së, Dega brenda vendit, që shtriheshin pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës me vise, të fillojnë gradualisht gjatë fillimviteve ’90 të jenë edhe krahu ushtarak i kësaj organizate (që me ngulmim kërkonin nga organizata që të krijohet një strukturë ushtarake), dhe tashmë pjesë shumë e rëndësishme e këtij krahu ushtarak (para dhe pas themelimit formal/emërimit të UÇK-së), ishin edhe Adem Jashari,  Zahir Pajaziti etj. Në këtë vazhdë, pas shfaqjes publike të UÇK-së, pjesë e rëndësishme e UÇK-së u bë edhe Sali Çekaj (dhe të tjerë, pavarësisht prej bindjeve politike), i cili kishte treguar gatishmëri dhe guxim brenda LDK-së edhe gjatë fillimviteve ’90, (me iniciativën për ushtrime të militantëve nga Kosova në Shqipëri), por iniciativa e tij, përveçse u dekonspirua, u ndërpre dhe u demotivua si rezultat i mosmbështetjes së duhur. Në fakt, vazhdimësia e iniciativës së Sali Çekajt nuk ka mundur të mbështetet nga Ibrahim Rugova, duke e marrë parasysh përgjegjësinë që kishte Ibrahim Rugova në rrethanat politike që vepronte si president në Kosovë, por Qeveria e Kosovës në Egzil e ka pasur mundësinë e duhur (duke përfshirë mjetet financiare) që të mbështesë dhe ta zgjerojë si duhet iniciativën e Sali Çekajt. Po ashtu, një iniciativë tjetër në fillimvitet ’90 (e ashtuquajtura iniciativa e grupit nga Kroacia) për formimin e njësive të armatosura, nuk u mbështet nga Qeveria e Kosovës në Egzil. Pas kësaj iniciative qëndronte një grup kryesisht i ish-oficerëve të APJ-së të cilët më herët kishin qenë të burgosur politikë gjatë viteve ’80 (Ton Marku, Naim Maloku, Fadil Demiri, Xhafer Jashari etj.), të koordinuar nga Fehmi Lladrovci. Pjesëtarët e këtij grupi më vonë u rreshtuan në faza të ndryshme kohore në strukturat komanduese të UÇK-së. Rrjedhimisht, për dallim të LPK-së, LDK-ja dhe qeveria Bukoshi, përveçse nuk e kishin traditën/përvojën e rezistencës aktive (përfshirë shembujt e rezistencës së armatosur) kundër regjimit serbo-jugosllav, nuk e kishin as traditën/përvojën e konspiracionit dhe riorganizimit (pas goditjeve) dhe, me gjithë meritat e mëdha që kanë deri në konferencën e Dejtonit, pas kësaj konference në masë të madhe u konsumuan politikisht (sidomos Qeveria e Kosovës në Egzil), sepse nuk e kishin shqyrtuar seriozisht asnjë përgatitje për një plan B, edhe pse kishte pasur iniciativa (të sipërcekura) madje edhe brenda vetë qeverisë. Për shembull, Xhafer Shatri, në cilësinë e ministrit të Informatave i Qeverisë së Kosovës në Egzil, me seli në Gjenevë, u kishte paraqitur në vitin 1993 një projekt propozim kryeministrit të Kosovës në Egzil dhe presidentit të Kosovës për përgatitjen e një force të armatosur. Në kuptimin e përgatitjes (jashtë kufirit të Kosovës), të disa formacioneve ushtarake që do të ishin të gatshme t’i dilnin në mbrojtje popullit të Kosovës. Por, ky projektpropozim s’ishte përkrahur[13].

Në kuadër të këtyre ngjarjeve velen të potencohet se pas burgosjeve të vitit 1993 në Kosovë ku, përveç të tjerëve, u arrestuan edhe  udhëheqësit emblematikë të LPK-së, Degës brenda vendit, Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu dhe Bejadin Hallaqi (si pasardhës të udhëheqësve pararendës emblematikë të LPK-së në Kosovë gjatë viteve ’80, Rexhep Malajt, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut etj.), në këtë vazhdë, kryesia e LPK-së, Dega jashtë vendit, nga viti 1993, mori kompetencat e udhëheqjes së përgjithshme të organizatës dhe e udhëhoqi organizatën me sukses, në krye me Fazli Veliun, Muhamet Kelmendin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Xhavit Halitin, Gafurr Elshanin etj.  Ndërsa në fillimvitin 1998 u zgjodh kryesia e re në krye me Bedri Islamin, të cilit i ra një barrë e rëndë dhe përgjegjësi e madhe që ta udhëheqë LPK-në gjatë luftës në Kosovë, por arriti ta menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme drejtimin e kësaj  organizate (përkundër mospajtimeve në kuadër të kësaj organizate, të trashëguara nga e kaluara dhe gjatë luftës në Kosovë), dhe për këtë Bedri Islami është shumë meritor. Veçanërisht sfidues ka qenë procesi i “pavarësimit të UÇK-së” nga LPK-ja gjatë vitit 1998 (procesi i transformimit të Sektorit të Rëndësisë së Veçantë/Shtabit Qendror të UÇK-së, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së), që shkaktoi një tendosje në kuadër të LPK-së si organizatë që kishte ngritur dhe udhëhequr UÇK-në para dhe pas formalizmit/emërimit të UÇK-së, në nëntor të vitit 1994. Rrjedhimisht, në kuadër të këtij procesi rezultoi kryesia e re e LPK-së, në krye me Bedri Islamin, dhe arriti ta menaxhojë këtë proces dhe, gjithashtu, evitoi përçarjen në kuadër të organizatës gjatë luftës në Kosovë.

III

Organizimi i konferencës së Rambujesë ishte një arritje e madhe në kuptimin e arritjes/imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare (pas vitit 1912-1913),  edhe pse dokumenti i propozuar për negociata në Konferencën e Rambujesë ishte shumë sfidues për delegacionin shqiptar të Kosovës, ngaqë në pikënisje garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative Jugosllave (RFJ-së) de facto të Serbisë mbi Kosovën dhe parashihte një autonomi për Kosovën që nuk ishte në nivel as me autonominë që kishte Kosova në bazë të Kushtetutës të vitit 1974. Njëherësh organizimi i Konferencës së Rambujesë ishte shpresë edhe për unifikimin e faktorit politik shqiptar të Kosovës. Në këtë kuadër, Ibrahim Rugova e dëshmoi konstruktivitetin e liderit të përgjegjshëm ngaqë arriti ta tejkalojë veten duke pranuar propozimin që drejtori politik pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, të jetë kryesues i delegacionit të Kosovës në Rambuje që, në fakt, ishte një veprim i duhur sepse në këtë mënyrë legjitimohej edhe më shumë lufta çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja) në arenën ndërkombëtare. Kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçi, sa e kishte privilegjin, po aq e kishte të vështirë pozitën e kryesuesit të delegacionit (duke marrë parasysh moshën e tij të re etj.). Për më tepër, ishte nën hijen, në kuptimin e presionit psikologjik, të dy personaliteteve më me ndikim politik në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Kjo gjendje, në fakt, e ndihmoi ta gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Brenda kështjellës e kishte simbolin e rezistencës paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili, me personalitetin e tij si misionar i paqes, e rriste presionin psikologjik pro nënshkrimit gjithsesi të një marrëveshjeje si rrugë drejt paqes. Jashtë kështjellës e kishte simbolin e rezistencës kombëtare, njëherësh përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së, Adem Demaçin, i cili (edhe pse e kishte refuzuar që në fillim dokumentin e propozuar për negociata), me personalitetin e tij si simbol i rezistencës, e rriste presionin psikologjik në kuptimin që të mos pranohet ndonjë zgjidhje pa asnjë perspektivë politike për Kosovën, dhe kështu tërthorazi ndikonte për forcimin e pozicionit negociues të delegacionit shqiptar të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Madje edhe Madeline Albright në librin e saj “Madam Secretary: a memoir”, i botuar për herë të parë në vitin 2003, përveç të tjerash, shkruan se Demaçi ishte: “….Një prej atyre që i bënin presion Thaçit ta ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm…”[14] Kështu tutje, pasi që u premtua se zgjidhja finale për Kosovën do të bazohet në vullnetin e popullit, (edhe pse shprehja “vullneti i popullit” nuk ishte e konkretizuar) [15], delegacioni i shqiptarëve të Kosovës, i kryesuar nga Hashim Thaçi,  Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi, e pranoi propozimin për Marrëveshjen e Rambujesë dhe e nënshkroi më 18 mars 1999 në Paris të Francës, e gjithë kjo në kombinim me refuzimin e Millosheviqit të kësaj marrëveshje, rezultoi me intervenimin ajror të NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës. Sipas ballkanologut norvegjez Svein Mønnesland, Millosheviqi e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë sepse nuk pranoi, siç parashihte kjo marrëveshje, stacionimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe se kjo marrëveshje pas tre vjetësh parashihte një lloj referendumi për Kosovën[16].

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë forcat serbe vranë rreth 12 mijë shqiptarë të Kosovës, dhunuan mijëra femra, shkatërruan dhjetëra mijëra shtëpi dhe deportuan rreth një milion shqiptarë nga Kosova. NATO, vetëm me intervenimet ushtarake ajrore që zgjatën 78 ditë, pa futjen e trupave tokësore, nuk mundi ta mbrojë popullatën civile në Kosovë. Me fjalë të tjera, intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk ndodhi sikurse intervenimi për çlirimin e Kuvajtit në vitet 1990-’91 nga aleatët perëndimorë të cilët i përdorën trupat tokësore. Madje vetë gjenerali Wesley K. Clark e pranon në njëfarë mënyre se sikur të kishin filluar që në fillim përgatitjet për intervenim tokësor do të shpëtoheshin shumë njerëz të pafajshëm. Në librin e tij Waging Modern War (2001), përveç të tjerash, shkruan: “…Planifikimi dhe përgatitjet për ndërhyrje tokësore ishin në proces aty nga fundi i fushatës ajrore dhe unë jam i bindur se kjo, në veçanti, e shtyu Millosheviqin të dorëzohet…”[17]  Në fakt, përgjegjësinë kryesore për mungesën e, së paku, një strategjie të armatosjes për vetëmbrojtje të popullatës civile shqiptare në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit (gjatë intervenimit ajror të NATO-s), e kishte elita politike shqiptare e Kosovës, sepse mungoi një koordinim i duhur paraprak për përgatitjen për luftë (sidomos pas konferencës së Dejtonit), në mes të LDK-së, qeverisë Bukoshi dhe LPK-së, njëherësh mungoi një koordinim më i duhur edhe brenda tyre veç e veç. Madje mungoi së paku ndonjë plan/strategji e duhur për të ndihmuar/orientuar ikjen/strehimin e civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në mënyrë që të shmangen/shkurtohen krimet ndaj civilëve (sidomos ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve), nga forcat e regjimit neofashist të Millosheviqit.

Përfundim

Me ndryshimet gjeopolitike (shembjen e murit të Berlinit etj.), nga njëra anë, politika paqësore, dhe nga ana tjetër, UÇK-ja, si dy procese komplementare (pavarësisht prej disa divergjencave në mes të protagonistëve të këtyre dy proceseve), duke përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe sidomos sakrificat e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës në Kosovë, e imponuan çështjen e Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, që rezultoi edhe me intervenimin ajror të NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës në krye me ShBA-në dhe Britaninë e Madhe (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s), të cilëve shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës. Me fjalë të tjera, sakrificat dhe përpjekjet e shqiptarëve si komb (dhe mbështetja ndërkombëtare) për çlirimin dhe nismën e shtetndërtimit të Kosovës janë storie e suksesit, por divergjencat në mes të liderëve protagonistë (me gjithë meritat e tyre të mëdha), të cilët i vazhduan divergjencat në mes vete edhe pas çlirimit të Kosovës, kanë shkaktuar edhe pasoja. Për shembull, në përfundim të Konferencës së Rambujesë, kur u themelua Qeveria e Përkohshme e Kosovës në krye me Hashim Thaçin, çuditërisht nuk u propozua/insistua që kjo qeveri ta njohë Ibrahim Rugovën president i Kosovës në kuadër të unifikimit të faktorit politik të shqiptarëve të Kosovës. Rrjedhimisht, vazhduan divergjencat edhe pas çlirimit të Kosovës dhe, në këtë vazhdë, LDK-ja, partia e cila doli e para në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 (dhe, përveç të tjerash, e kishte siguruar pozitën e presidentit), megjithëkëtë nuk e kishte fituar shumicën e duhur për ta formuar vetë qeverinë, kishte nevojë për koalicion, por s’e pranonte Hashim Thaçin për kryeministër. Dhe pas shumë peripecive dhe ndikimit të bashkësisë ndërkombëtare, u arrit një kompromis që një kandidat tjetër nga radhët e PDK-së (Bajram Rexhepi) të bëhet kryeministër i koalicionit qeverisës në mes të LDK-së dhe PDK-së. Të gjitha këto divergjenca para dhe pas çlirimit të Kosovës e pamundësuan unifikimin e duhur të faktorit politik të shqiptarëve të Kosovës  dhe, rrjedhimisht, përveç të tjerash, e pamundësuan parandalimin e nismës së ndarjes së Mitrovicës (pas çlirimit të Kosovës); e pamundësuan parandalimin e protestave të marsit në vitin 2004 (që shkaktuan decentralizimin rixhid mbi baza etnike në Kosovë); e pamundësuan mundësinë  e shpalljes së mëhershme të  pavarësisë së Kosovës; e pamundësuan mundësinë që Kosova ta tregojë seriozitetin dhe suksesin në dialogun me Serbinë pas vitit 2011 (veçanërisht duke e marrë parasysh se në korrik të vitit 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare); gjithashtu pamundësuan mundësinë për luftimin e duhur të korrupsionit dhe për forcimin e shtetit ligjor. Këto pasoja po e mbajnë ende peng Kosovën në vazhdën drejt finalizimit të procesit të shtetndërtimit. Rrjedhimisht udhëheqja e re politike e Kosovës (pozitë dhe opozitë) e ka një obligim moral, historik  dhe politik që në një mënyrë ose tjetër të përbashkohen në kuadër të një  platforme të përbashkët sidomos sa i përket dialogut me Serbinë, që ta gjejnë rrugëdaljen e duhur (të reflektojnë dhe të korrigjojnë bashkërisht aq sa mund maksimalisht të korrigjohet në lidhje me papërgjegjësinë dhe lëshimet që janë bërë në të kaluarën në kuadër të procesit të dialogut nga viti 2011, dhe ta marrin bashkërisht përgjegjësinë për finalizimin e procesit të shtetndërtimit të Kosovës.

Në fakt që nga vendimi i korrikut 2010 (kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare), liderët politikë shqiptarë në hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë (duke e përfshirë Ali Ahmetin etj.), do të duhej njëzëri t’i parashtronin dy alternativa/kërkesa sa i përket zgjidhjes së qëndrueshme të çështjes së minoriteteve kombëtare në hapësirat e ish-Jugosllavisë, që nënkupton:  ose 1), standard të njëfishtë dhe reciprocitet të ndërsjellë në lidhje me të drejtat e minoriteteve kombëtare në kuadër të shtatë shteteve që rezultuan nga shkatërrimi i Federatës Jugosllave, ose 2) bashkimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi në një Republikë të vetme të Kosovës drejt federalizimit me Shqipërinë. Përndryshe, nuk mund të sigurohet paqja e qëndrueshme afatgjatë me standarde të dyfishta ngaqë, pavarësisht prej qasjes agresive dhe destruktive të Serbisë, megjithëkëtë në Konferencën e Dejtonit (1994) u vendos që rreth 30 % e serbëve në Bosnjë-Hercegovinë ta kenë republikën e tyre, e njohur me emrin Srpska Republika. Por ky kriter nuk vlen ende për rreth 30 % të shqiptarëve në Maqedoni, për themelimin e Republikës Shqiptare në Maqedoni sikurse Srpska Republika në Bosnjë. Dhe përkundër se me planin e Ahtisaarit u vendos që rreth vetëm 5 % të serbëve të Kosovës t’i kenë të garantuara të drejtat për minoritetet me standardet më të larta si në nivel qendror, po ashtu edhe në nivelin lokal, vazhdon ende një trysni për themelimin e një asociacioni ekstra për komunat serbe në Kosovë (që Serbia mund ta përdorë për defunksionalizim të shtetit të Kosovës, sikurse në Bosnjë), ndërsa për minoritetin shqiptar në serbi nuk vlen as niveli i të drejtave siç e ka minoriteti serb në Kosovë bazuar në planin e Ahtisaarit.

Krejt në fund vlen të theksohet se në periudhën e pas shembjes së murit të Berlinit, Kosova ishte më e pafuqishme, por pati një mbështetje gradualisht në rritje të shteteve perëndimore, njëherësh Rusia në krye me Jelsinin ishte në një pozicion më defansivë në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe sikur të ishte një bashkëpunim më i duhur në kuadër të elitës politike shqiptare të Kosovës, do të arrinim suksese edhe më shumë (edhe pse u arritën shumë suksese për Kosovën). E tanimë, në periudhën (e pas luftës në Ukrainë), Kosova është më e fuqishme, por politika ofensive e Rusisë së Putinit në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, e ka sfiduar edhe mbështetjen e shteteve perëndimore ndaj Kosovës. Rrjedhimisht duhet mësuar nga e kaluara (por edhe duhet inkurajuar nga lavdia dhe sukseset e përbashkëta të së kaluarës), sepse kërkohet maturi dhe përgjegjësi e madhe politiko-diplomatike, para së gjithash kërkohet bashkëpunimi i duhur në kuadër të elitës politike shqiptare të Kosovës dhe elitës politike shqiptare në përgjithësi. Sidomos në lidhje me politikën e jashtme duhet nisur nga pikat pajtuese, duke e zgjeruar konsensusin rreth pikave pajtuese, dhe jo duke filluar nga pikat mospajtuese, duke përfshirë fyerjet, linçimet etj. Përndryshe rrezikojmë të humbim edhe ndonjë sukses të arritur deri më tash.

Referencat:

[1] Shkëlzen Gashi (2010): “Adem Demaçi, biografi e paautorizuar”, shtëpia botuese “Rrokullia”, f. 132

[2] Shkrim i Enver Malokut në  gazetën “Bota sot” (20.10.1998): “Kush janë ‘ekstremistët shqiptarë’ në Kosovë?”:  “….“Anatemimi i veprimit dhe i luftës për liri do të thotë mbështetje për agresionin serb, pra edhe për masakrat e krimet e tij. Natyrisht, ndëshkimin e bën Beogradi, por me lejen e Perëndimit…”.

[3] Noel Malcolm (2001): “Kosova, një histori e shkurtër”, “Koha”, Prishtinë, f. 368

[4] Po aty:  f. 369.

[5] Shkrim informativ në gazetën “Koha ditore” (04.11.1997), i titulluar:  “Seanca gjyqësore kundër të ashtuquajturve ‘pjesëtarëve të UÇK-së’”;  Hasani: “Unë s’jam terrorist – terrorist është shteti serb”…

[6] Videoincizim në youtube  https://youtu.be/2HjxmeBvONE i Fehmi LLadrovcit, Ibrahim Kelmendit dhe Sabri Kiçmarit gjatë konferencës me bashkatdhetarë në mbështetje të UÇK-së, në Köln, Gjermani, më 09.11.1997.

[7] Shkrim i Bedri Islamit në Pashtriku.org (29.01.2011), i titulluar: “Pak fjalë për Xhavit Halitin”: https://pashtriku.beepworld.de/files/Kosova_2011/23_29.11/bedri_isalmi_xhavit_haliti_29.1.11.htm

[8] Videoincizim në youtube https://www.youtube.com/ i daljes publike të  UÇK-së në skenë, më 28.11.1997. Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj.

[9] Shkrim informativ në gazetën “Bujku” (10.12.1997), i titulluar:  “Mjetet skandinave të informimit rreth ekzistimit dhe aksioneve të UÇK-së”: “…Në këtë informatë, të cilën e konfirmuan edhe mjetet suedeze të informimit, thuhet se Nufri Leka… për këtë gazetë thekson se UÇK-ja synim kryesor dhe të vetmin ka çlirimin e Kosovës nga Serbia”.

[10] Shkrim informativ në portalin “Insajderi” (16 gusht 2021), i titulluar: Haliti tregon se çfarë bisedoi me Ibrahim Rugovën në fillimvitet ’90; Në Lugano, Haliti tregon se çfarë bisedoi me Ibrahim Rugovën – Insajderi

[11] Intervistë e Xhafer Shatrit në gazetën zvicerane “Le temps”: Gjenevë (02.07.1998)  “…E konfirmoj gjithashtu dhe qartas, se lindja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është rezultat logjik i terrorit serb që po zgjat që 17 vjet dhe i një indiference të padurueshme të bashkësisë ndërkombëtare… Është e njohur botërisht se në një mënyrë apo në një tjetër ministri që nga vjeshta e vitit 1997 mbron publikisht idenë se pas kaq vitesh të përpjekjeve pacifiste që nuk dhanë fryte, lufta e armatosur është bërë e domosdoshme për çështjen e Kosovës”.

[12] Fragment nga shkrimi i Bedri Islamit në “Facebok” (2016).

[13] Intervistë televizive e Xhafer Shatrit më 08.09.2020: Telashet e Kosovës – Xhafer Shatri, Desku, 08.09.2020, YouTube.

[14] Madeleine Albright (2005): “Min lange reise: memoarer”, “N-W-Damm&Søn AS”, f. 501.

[15] Rambouillet Accords: “Interim agreement for peace and selv-government in Kosovo”, 1999, f. 85: https://peacemaker.un.org/sites/peacemaker.un.org/ files/990123_RambouilletAccord.pdf

[16] Svein Mønnesland: “Før Jugoslavia og etter”, “Syspress Forlag”, Oslo, 2006, f. 359.

[17] Wesley Clark: “Waging modern war”, “Public Affairs Ltd.”, 2001, f. 429.

E përktheu nga norvegjishtja dhe e komentoi, Fatmir Lekaj, politolog

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rilind Gërvalla ka reaguar pas zgjedhjes drejtor i televizionit publik…