Rrëzimi i qeverisë, pika e përbashkët e LV-së dhe LDK-së

27 maj 2019 | 15:28

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, ka thënë se, pavarësisht prej dallimeve, pika e përbashkët e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është rrëzimi i qeverisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai e ka quajtur të natyrshëm bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy subjekteve.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë subjekte parlamentare opozitare dhe bashkëpunimi opozitar është mjaft i natyrshëm. Me gjithë dallimet që i kemi si subjekte të ndara politike, rrëzimi i qeverisë është pikë jonë e përbashkët”, është shprehur Selimi, duke shtuar se ky bashkëpunim po pritet me optimizëm nga qytetarët si mënyra më e lehtë për t’u çliruar nga qeverisja e tanishme.

“Ne nuk jemi të përqendruar në të kaluarën në mes të LV-së dhe LDK-së kur ishim në raporte oponente në Kuvend. Tani jemi dy subjektet më të mëdha opozitare, rrjedhimisht edhe parlamentare, dhe bashkëpunimin nuk e pengon e kaluara oponente në mes të këtyre dy subjekteve. Me gjithë bashkëpunimin e deritanishëm opozitar, jemi subjekte të ndryshme ku dallimet, sado qofshin të mëdha, nuk na ndajnë në qëndrimet tona për qeverisjen aktuale”, ka deklaruar ai.

Selimi ka thënë se vetëm zgjedhjet e parandalojnë kolapsin e vendit, por ai ka treguar se nuk llogarisin në votat e Listës Serbe për ta rrëzuar qeverinë.

“Ka kohë që, përveçse opozita nuk i ka numrat e mjaftueshëm për rrëzimin e qeverisë, as qeveria nuk e ka mazhorancën. Në mes të palëve gjendet Lista Serbe me të cilën ne nuk bashkëpunojmë, nuk ia kërkojmë votat e as nuk llogarisim në votat e saj për rrëzimin e qeverisë, ashtu siç as nuk mund t’ia imponojmë se si do të sillet dhe si do të votojë në Kuvend në rast mocioni për rrëzimin e qeverisë. Kurdo që koordinohemi me deputetët që e duan rrëzimin e qeverisë ne do të shkojmë drejt mocionit”, ka theksuar Selimi.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për qeverisjen e deritanishme duke thënë se është përshkuar me veprime populiste, keqqeverisje, korrupsion, nepotizëm dhe paaftësi. Kurse për negociatat me Serbinë, deputeti Selimi ka thënë se është një proces antishtetëror, antikushtetues dhe antishqiptar.

“Qeveria e koalicionit PAN është një qeveri e dështuar qysh në ditën e parë. Përveç disa veprimeve populiste, shumëçka tjetër ka të bëjë me keqqeverisje, korrupsion, nepotizëm dhe paaftësi në drejtim. Lëvizja Vetëvendosje është konsistente në qëndrime, po ashtu edhe në qëndrimet e saj për negociatat dhe dialogun me Serbinë. Procesi i negociatave me Serbinë është një proces antishtetëror, antikushtetues dhe në thelb edhe antishqiptar”, ka thënë Selimi.

“Epoka e re”: Z. Selimi, tashmë Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë filluar bashkëpunimin për rrëzimin e qeverisë. Si e shihni këtë iniciativë dhe sa mund të ketë sukses?
Selimi: Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë subjekte parlamentare opozitare dhe bashkëpunimi opozitar është mjaft i natyrshëm. Pika e përbashkët për LV-në dhe për LDK-në është që kjo qeveri duhet të dorëhiqet ose të rrëzohet. Me gjithë dallimet që i kemi si subjekte të ndara politike, rrëzimi i qeverisë është pikë jonë e përbashkët. Rrethanat për të pasur zgjedhje të parakohshme në Kosovë janë krijuar qysh në ditën e parë të qeverisë Haradinaj, kur kjo qeveri prej atëherë e deri më sot nuk ia ka arritur ta manifestojë shumicën parlamentare në Kuvend. Prandaj, kur një qeveri nuk e ka shumicën parlamentare, kur në Kuvend tashmë ka ndryshuar raporti politik, kur në Kuvend nuk mund të votohen nga mazhoranca as ligjet me shumicë të thjeshtë, kur skandalet janë përditshmëri serike e qeverisë dhe, në anën tjetër, kur pakënaqësia e qytetarëve vjen duke u rritur përditë, atëherë vetëm zgjedhjet duhet të  ndodhnin para se të shkojë vendi në kolaps. Në këtë situatë Lëvizja Vetëvendosje është e angazhuar që në mundësinë e parë të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme qoftë me mocion mosbesimi, qoftë me dorëheqje të qeverisë. Mbështetur në këtë qëndrim, Lëvizja Vetëvendosje angazhohet që opozita t’i mbledhë votat e mjaftueshme për mocionin për rrëzimin e qeverisë. Ka kohë që, përveç që opozita nuk i ka numrat e mjaftueshëm për rrëzimin e qeverisë, as qeveria nuk e ka mazhorancën. Në mes të palëve gjendet Lista Serbe me të cilën ne nuk bashkëpunojmë, nuk ia kërkojmë votat e as nuk llogarisim në votat e saj për rrëzimin e qeverisë ashtu siç nuk mund t’ia imponojmë se si do të sillet dhe si do të votojë në Kuvend në rast mocioni për rrëzimin e qeverisë. Kurdo që koordinohemi me deputetët që e duan rrëzimin e qeverisë ne do të shkojmë drejt mocionit.

“Epoka e re”: Për shkak të së kaluarës dhe kundërshtimeve që kanë pasur këto dy parti po shihet me skepticizëm kjo iniciativë në opinionin publik dhe nga analistët.
Selimi: Ne nuk jemi të përqendruar në të kaluarën në mes të LV-së dhe LDK-së kur ishim në raporte oponente në Kuvend. Tani jemi dy subjektet më të mëdha opozitare, rrjedhimisht edhe parlamentare, dhe bashkëpunimin nuk e pengon e kaluara oponente në mes të këtyre dy subjekteve. Ky bashkëpunim nuk shihet me skepticizëm nga qytetarët, përkundrazi pritet me optimizëm si mënyrë më e lehtë për t’u çliruar nga qeverisja e tanishme. Me gjithë bashkëpunimin e deritanishëm opozitar ne jemi subjekte të ndryshme ku dallimet, sado qofshin të mëdha, nuk na ndajnë në qëndrimet tona për qeverisjen aktuale.

“Epoka e re”: Cila është formula për sigurimin e 61 votave meqë PSD-ja thotë se nuk pranon që t’i japë votat e saj që, bashkë me Listën Serbe, ta largojnë PAN-in nga pushteti? Keni besim se mund të siguroni ndonjë votë brenda koalicionit qeverisës?
Selimi: Bashkëpunim me Listën Serbe ka vetëm koalicioni PAN i cili, përmes votave të këtij subjekti fashist (LS), e kanë krijuar shumicën për formimin e qeverisë Haradinaj. Pra, Lista Serbe e përcaktoi shumicën për formimin e qeverisë duke u bërë determinuese jo vetëm për themelimin e qeverisë, por shpeshherë edhe për funksionimin e institucioneve të Republikës. Në ndërkohë, për mbajtjen në këmbë të kësaj qeverie kontribuoi edhe grupi parlamentar i PSD-së duke ia krijuar shumicën qeverisë, sidomos për ligjin me të rëndësishëm, siç është Ligji i Buxhetit dhe për votimin e ekipit negociator qeveritar. Pra, grupi parlamentar i PSD-së Listën Serbe dëshiron ta përjashtojë nga roli i saj përcaktues dhe atë rol ta marrë duke qëndruar në mes të pushtetit dhe opozitës, gjithnjë në favor të qeverisë të cilën shpeshherë edhe e kushtëzojnë në këmbim të votave të tyre. Sa i përket asaj se a i besoj unë personalisht grupit parlamentar të PSD-së apo jo, tregojnë veprimet e tyre në të kaluarën e afërt.

“Epoka e re”: Z. Selimi, çfarë vlerësimi keni për qeverisjen e deritanishme të koalicionit qeverisës?
Selimi: Qeveria e koalicionit PAN është një qeveri e dështuar qysh në ditën e parë. Përveç disa veprimeve populiste, shumëçka tjetër ka të bëjë me keqqeverisje, korrupsion, nepotizëm dhe paaftësi në drejtim.

“Epoka e re”: Ka ndryshuar qëndrim Lëvizja Vetëvendosje sa i përket procesit të dialogut me Serbinë?
Selimi: Lëvizja Vetëvendosje është konsistente në qëndrime, po ashtu edhe për negociatat dhe dialogun me Serbinë. Procesi i negociatave me Serbinë është një proces antishtetëror, antikushtetues dhe në thelb, antishqiptar. Vetë planet e fshehta të Thaçit dhe të Vuçiqit e tregojnë se ata kanë plane të këqija për Kosovën dhe për shqiptarët në favor të Serbisë. Prandaj, i kemi kundërshtuar në vazhdimësi dhe do t’i kundërshtojmë derisa ta largojmë rrezikun që na kanoset nga këto planë të fshehta e djallëzore të Thaçit e Vuçiqit, apo edhe të kujtdo që është prapa tyre.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë…