RrGK-ja dënon portretizimin e grave në vendimmarrje si të paafta

21 maj 2020 | 15:31

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)  ka bërë me dije se ka përcjellë me shqetësim sulmet e bëra së fundi ndaj grave në vendimmarrje në vend, në cilado pozita dhe kapacitete qofshin ato.

Me këtë rast, RrGK-ja ka dënuar portretizimin e grave në vendimmarrje si të paafta.

“Në vend se gratë në pozita vendimmarrëse të vlerësohen për punën dhe performancën e treguar, ne jemi dëshmitarë se vazhdimisht ndaj tyre po shpërfaqet mendësia patriarkale. Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019 kemi qenë dëshmitarë të rritjes së numrit të grave që kanë fituar ulëse në parlament, 26 prej 39 deputeteve janë zgjedhur në këtë post pa kuotën gjinore”.

“Kështu, gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste është krejtësisht e papranueshme”, është thënë në reagimin e RrGK-së.

Nëpërmjet këtij reagimi, RrGK-ja edhe një herë ka shprehur shqetësim për këtë qasje, duke sjell ndër mend se kjo gjuhë dhe qasje seksiste e mizogjeniste, përveç shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, të cilat janë në fundament të Kushtetutës së Kosovës, për më tepër është denigruese për gratë dhe pozitën e tyre në shoqëri.

“Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat demokratike e progresive të Republikës së Kosovës. Andaj, përmes kësaj kumtese, RrGK për të disatën herë përsërit thirrjen për ndërprerje të kësaj qasje të dëmshme, e cila ndër të tjerash rrezikon mirëmbajtjen dhe riprodhimin e raporteve të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave”, është thënë në këtë reagim. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eva Murati së fundmi ka postuar në rrjetin e saj…