Rritet bindja se Irani qëndron prapa sulmeve në Arabinë Saudite

24 shtator 2019 | 11:11

Udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara në vlerësimin e tyre se Irani është fajtor për sulmet në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite dhe i kanë bërë thirrje Teheranit që të zgjedhë dialogun në vend të “provokimeve”.

“Është e qartë për ne se Irani mban përgjegjësinë për sulmet me dronë dhe raketa në dy objekte të naftës”, kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër të arsyeshëm”, kanë thënë ata në margjina të Asamblesë së Përgjitshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se tre liderët evropianë “po i përsërisin pretendimet absurde të ShBA-së”.

Irani e ka mohuar përfshirjen në sulmet e 14 shtatorit në Arabinë Saudite.

Përgjegjësinë për to e kanë marrë rebelët Huthi në Jemen, të cilët janë të lidhur me Iranin dhe luftojnë një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite në luftën e Jemenit.

Uashingtoni ka thënë se nuk do konflikt të armatosur me Iranin, porse të gjitha opsionet mbeten në tavolinë për t’iu përgjigjur përfshirjes së dyshuar të Teheranit në sulme.

Irani e ka paralajmëruar ShBA-në se çdo sulm mund të çojë në luftë të gjerë.

Trumpi, më 20 shtator, autorizoi një rritje :të moderuar” të pranisë së forcave amerikane në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka…