“Rritet paga minimale, s’rritet pensioni i veteranit të UÇK”, LDK-ja kundërshton projektligjin e mazhorancës

13 maj 2022 | 12:45

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë kundër Projektligjit për pagën minimale që është prezantuar nga pushteti të premten në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë se ky projektligj rregullon përfitimet për vetëm një kategori të shoqërisë.

Ai ka thënë se nuk duhet të vazhdohet me këtë ligj pa u konsumuar diskutimet me Këshillin Ekonomik Social.

“Mënyrën se si e keni shkruar këtë ligj, ju targetoni vetëm një pjesë të vogël të shoqërisë. Nuk arrihet qëllimi përmes këtij ligji, qëllimi i barazisë sociale. Ky ligj nuk siguron që hiqet diskrecioni politik në pagën minimale. Duhet të arrihet një dakordim, të zhvillohen negociatat për pagën minimale në Këshillin Ekonomik Social. Ne nuk mund të themi që i kemi konsumuar diskutimet e tilla dhe po lëvizim përpara pa Këshillin Ekonomik Social. Nuk mund të lëviz përpara qeveria pa një dakordim me bizneset”, ka thënë ai.

Më tutje, Hoti ka thënë se pushteti e ka shkëputur pensionin e veteranit të UÇK-së me pagën minimale.

Hoti ka sqaruar se pensioni që merr një veteran i UÇK-së është burim i të ardhurave dhe jo shpërblim, andaj nuk mund të ndahen këto dy kategori.

“Po ashtu hiqet lidhja e pagës minimale me përfitimet që marrin veteranët e luftës. Një veteran i luftës, nëse merr pensionin e veteranit të luftës nuk mund të punojë. Përfitimet që marrin veteranët e luftës është burim i të ardhurave dhe jo shpërblim, dhe nuk mund të shkëputet kjo çështje. Nuk mund të thuash ne rrisim pagën minimale, e ju rrini aty ku jeni. Është burim i të ardhurave për veteranët e luftës. E njëjta logjikë është edhe me kompensimin e personave të verbër. Besoni që nuk ka asnjë kuptim”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sabian Medini dhe Ilir Shaqiri krijuan një miqësi mjaft të…