Rritja e çmimit të tatimit në pronë, Mustafa i PDK-së: Qeveria po jeton jashtë realitetit të zymtë ekonomik
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë në PDK, Arben Mustafa, ka reaguar pas rritjes enorme të çmimit të tatimit në pronë.
Ai ka thënë se një politikë e tillë e qeverisë Kurti në këtë kohë krizë është vështirë e kuptueshme.
“Në kohën kur qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me një goditje shumë të rëndë të standardit të jetesës si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, Qeveria e Kosovës paska vendosur ta dyfishojë tatimin në pronë për shumë qytetarë, duke ua rënduar edhe me tej gjendjen veç se të rënduar ekonomike. Kjo politikë e qeverisë për t’i ngarkuar qytetarët me tatime më të larta në këtë kohë krize është vështirë e kuptueshme dhe flet më së miri për kapacitetet e dobëta qeverisëse dhe shpërfilljen që kjo Qeveri po i bën vështirësive me të cilat po ballafaqohen qytetarët. Me politika si kjo, Qeveria e Kosovës po dëshmon se është duke jetuar e shkëputur nga realiteti i zymtë ekonomik që po mbretëron në Kosovë!”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.



