Rritja e çmimit të tatimit në pronë përplas Muratin dhe Bajramin në komision
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas përplasjes me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajramin, ka lëshuar mbledhjen të martën pa nisur raportimin për të cilin ishte ftuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Ministri Murati, e ka lëshuar mbledhjen duke thënë se tatimi në pronë nuk është tema që është ftuar për të raportuar. “Nëse ka rend të ditës mund ta kaloni. Nëse keni thirr konferencë për media është dashur të na tregoni. Çështja e tatimit në pronë është në ligjin e 2018-ës. Unë si ministër nuk kam marrë asnjë vendim për të rritë çmimin. Vlerësimi, mesa u njoftova sot është se ky vlerësim i është dorëzuar komunave në muajin tetor, në përjashtim të tri komuna, mirëpo tani që po vendoset nga disa komuna, si e Prishtinës dhe nga ju, është tepër e ulët”, ka thënë Murati.
Ndërsa kryesuesja e komisionit, Hykmete Bajrami nga LDK-ja, ka thënë se ka pyetur ministrin për çështjen e tatimit në pronë, pasi sipas saj “është bërë temë e nxehtë”. “Sipas çmimeve të tregut vlera e patundshmërive është rritë qind për qind, Komuna e Prishtinës nuk i ka lëviz tarifat, por kur është rritë baza tatimore, normalisht që është dyfishuar, ajo çka kërkohet është që Ministria e Financave, ta pezulloj rivlerësimin. Komunat në momentin e tanishëm nuk mund të bëjnë asgjë. Komuna e Pejës e ka ulë tatimin, por prapë faturat shkojnë të rritura si rezultat i rritjes se çmimit bazuar në rivlerësim”, ka thënë Bajrami.
Pas Muratit, janë larguar edhe deputetët e Vetëvendosjes, përveç Eman Rrahmanit që fillimisht qëndroi brenda, por që e ka kritikuar Bajramin për qasje të gabuar.
Por, më pas është larguar nga mbledhja edhe Rrahmani pasi deputetja Bajrami i ka thënë se ai “vjen nga një parti që fjala e lirë nuk respektohet”. Derisa Rrahmani i është drejtuar Bajramit duke i thënë se deri në vitin 2013 ka qenë në LDK.



