
Rritja e rasteve me Covid, Zemaj: Kryeministër mendon se ministri ‘mindil’ është i duhuri për ta fituar këtë betejë?
Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti Armend Zemaj, ka reaguar pas rritjeve të rasteve me Covid.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të merret me menaxhimin e pandemisë.
“Nëse kthjellesh dhe e sheh situatën reale, fillon e beson që virusi është në mesin tonë”, ka shkruar Zemaj.
Ai e ka quajtur Arben Vitinë ministër ‘mindil’, që sipas tij nuk është personi i duhur për ta menaxhuar këtë betejë me Covidin.
Postimi i plotë i Zemajt:
Kryeministër, krejt bota demokratike është në luftë për shëndet, ndërsa ju veç për pushtet!
Sot, 888 raste me Covid -19.
Kryeministër, iu kisha paralajmëruar se pandemia nuk është lojë. E thashë nga përvoja e jo nga dëshira se virusi ishte dhe është akoma në mesin tonë. Iu luta dhe po iu lutem sërish që të tentoni të punoni. Fillimisht thatë që e mundët pandeminë, pastaj thatë se do ta mundni! Cila është e vërteta juaj kryeministër? A besoni ende që e keni mundur pandeminë? Nëse po, atëherë nuk jeni n’tokë t’bukës. Nëse kthjellesh dhe e sheh situatën reale, fillon e beson që virusi është në mesin tonë. E rrjedhimisht, a mendon ende si dikur që ministri “mindil” është i duhuri për ta fituar këtë betejë? Nëse po, si është e mundur që i njëjti është duke u marrë me fushatë për zgjedhjet lokale dhe jo me pandeminë?
Kryeministër, mjaft i mashtruat qytetarët, mjaft!
Definohu kryeministër, pasi që “i duhuri”, veçse i ka braktisur qytetarët! Apo ke mashtruar se është i duhuri! Definohu kryeministër, sepse të duhurit nuk ikin nga beteja.
Qytetarët më nuk mund t’i mashtroni!