Rritja ekonomike prej 6%, e pamjaftueshme

03 janar 2018 | 11:47

Kosova në pesë vitet e fundit ka pasur një rritje ekonomike mesatare prej 3.5 deri 5 për qind, e që për vitin 2018 drejtues të Qeverisë së Kosovës dhe njohës të ekonomisë parashohin një rritje rekorde prej rreth 6 për qind, megjithëse mbetet e pamjaftueshme për ta zbutur varfërinë dhe papunësinë.

Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skenderi ka thënë se Kosova ka një rritje ekonomike më të mirë se vendet tjera të rajonit dhe kjo jep një shpresë për një zhvillim ekonomik, mirëpo, sipas tij, ende mbetet e pa mjaftueshme për zhvillim ekonomik, i cili do të gjeneronte vende të reja të punës.

Ai ka thënë se në këto pesë vitet e fundit ka pësuar një rritje ekonomike që është sjellë një normë mesatare e rritjes prej 3 deri 5 për qind, megjithatë viti i fundit dhe ai paraprak, ka pasur një rrugëtim më të mirë në këtë aspekt.

“Edhe po të ishte rritja ekonomike mbi dy shifrore, megjithatë norma e papunësisë do të jetë shumë vështirë për t’u reduktuar, respektivisht për t’u avancuar në atë kuptimin që pozita sociale të përmirësohet. Në këtë kontekst rritja ekonomike mundet me pasur një dinamizëm më të lartë dhe Kosova ta ketë një shifër më të lartë të rritjes ekonomike që do të mund të sillet deri në 6 për qind, eventualisht nëse do të kishte një dakordim të politikave ekonomike në kuadër të gjithë spektrit ekonomik dhe atij politik në Kosovë”, ka thënë Skënderi për “Kosovapress”.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë për “KP”, se krahasuar me pesë vitet e fundit, viti 2018 do të ketë një rritje rekorde, së paku prej 6 për qind me impakt nga sektori i teknologjisë informative, sektori i bujqësisë dhe ndikimet e projektit ‘Kosova e Re’, që pritet të fillojë së ndërtuari nga fundi I vitit 2018.

“Besoj se do ta kemi një rritje minimum 6 për qind, ka potencial edhe më tepër, por nëse arrijmë që ta kemi 6 për qind, është mjaft e suksesshme, sepse ajo dëshmon që do kemi gjenerim të vendeve të punës për herë të parë më shumë punëtorë që futen në tregun e punës në vit. Sepse i duhet Kosovës rreth 6 për qind të ketë rritje ekonomike në mënyrë që ti plotësoj të gjitha nevojat e punëtorëve që hyjnë në tregun e punës në për një vit. Pastaj, kjo do të përkthehet edhe në shumë e shumë suksese tjera, sepse ideja kryesore është që t’i kemi disa investitorë të mëdhenj dhe të besueshëm”, ka theksuar ministri Lluka.

Ai ka thënë se edhe sektori privat do të jetë një gjenerues i fuqishëm për rritjen ekonomike, sepse edhe bizneset janë duke u zhvilluar mjaft shumë në Kosovë. Ministri i MZHE-së Lluka pret që në vitin 2018 do të ketë edhe investitorë të huaj që do të investojnë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, mbrëmë është kërcënuar për ta ndalur…