Rudari, Bulliqi e Fetahu garojnë kundër njëri-tjetrit për kryetar të Podujevës

18 shkurt 2020 | 11:34

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.

Me këtë rast, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe partitë politike janë duke u bërë gati për këto zgjedhje.

KQZ-ja ka bërë me dije se ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës dhe që i përkasin Komunës së Podujevës. Pra, të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse mund të aplikojnë për t’u regjistruar votues përmes postës, shkruan “Epoka e re”.

Sipas KQZ-së, ky afat përfundon më 23 shkurt 2020. Përpos KQZ-së edhe partitë kryesore politike kanë caktuar kandidatët për kryetar të Podujevës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në këtë zgjedhje do të garojë me NexhmiRudarin. Kjo parti ka shprehur bindjen e plotë se Rudari do të jetë pasues i Agim Veliut, i cili nga pozita e kryetarit të Podujevës është bërë ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në qeverinë Kurti.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, ka nominuar deputetin e vet, Shpejtim Bulliqi për kryetar të Podujevës.
Bulliqi në të kaluarën ka qenë pjesë e LDK-së, dhe në këtë drejtim ai synon të marrë vota edhe tek elektorati i LDK-së.

Edhe PDK-ja i ka marrë seriozisht zgjedhjet për të parinë e Podujevës. Partia që drejtohet nga Kadri Veseli, ka vendosur Naim Fetahun si kandidat për kryetar të Podujevës.

Fetahu është kryetar i Degës së PDK-së në Podujevë dhe në të kaluarën ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Christos Marmarinos dhe basketbollistët Drilon Hajrizi e Erjon Kastrati…