Rukiqi: Ora policore fillon shumë herët, shkakton dëm ekonomik që tani nuk na duhet fare

22 janar 00:05

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duke folur për masat e reja anti-COVID ka thënë se ora policore po kufizon edhe punën e bizneseve dhe rrjedhimisht do të shkaktojë dëm ekonomik.

Rukiqi ka deklaruar se derisa e gjithë bota ka marrë tjetër qasje në raport me pandeminë e coronavirusit, Kosovë është kthyer me masa drastike.

“I kemi parë vendet e botës ku kanë krejt tjetër qasje në raport me pandeminë. Shumica prej tyre po e trajtojnë si endemi, ndërsa ne kthehemi me masa drastike të cilat kanë qenë në vitin 2020. Kemi një orë policore që fillon shumë herët, e kufizon lirinë e qytetarëve, e kufizon lëvizjen e bizneseve, për më tepër shkakton ekstra dëm ekonomik që tani nuk na duhet fare”, u shpreh Rukiqi.

Po ashtu, Rukiqi u shpreh se edhe pse kishte orë policore, rastet me variantin Omicron janë rritur dhe zgjidhja nuk është kufizimi i orarit të lëvizjes.

“Po ne orë policore patëm edhe deri sonte, e rastet u rritën pasi Omicroni është variant shumë infektues dhe pothuajse asnjë shtet nuk e gjen orën policore apo kufizimet e orarit si zgjidhje të problemit që lidhet me parandalimin apo ngadalësimin e përhapjes së këtij varianti”, tha Rukiqi në RTV Dukagjini.

Tutje, ai shtoi se këto masa kanë qenë të nevojshme para dy ditësh, por jo edhe në vitin 2022.

“Detyrimisht po duhet të japim mendime të natyrës si ato të epidemiologëve por seriozisht kjo përsëritje ose vazhdim i masave që janë, ndoshta kanë qenë faktikisht të nevojshme në 2020, por tash në vitin 2022, janë jo vetëm të papranueshme, por realisht edhe janë pa asnjë efekt në situatën që e kemi.  Për më shumë, vet ministri sot e konfirmoi që gjendja në pjesën e hospitalizimeve është shumë stabile dhe nuk ka ndonjë fluks të infektuarve që kërkojnë ndihmë. Sidomos jo ata që i kishim në fillim të pandemisë, në kujdes intensiv. Sidoqoftë, ne kemi kërkuar gjithmonë që masat të jenë proporcionale në raport me gjendjen që e kemi”, u shpreh ai, transmeton Telegrafi.

Rukiqi tha se sa më shumë që po zgjatë pandemia, konsultimet me akterët e rëndësishëm janë duke u zvogëluar.

“Jo, sa më shumë që po zgjat pandemia, në të njëjtën kohë janë duke u zvogëlu konsultat me akterë të rëndësishëm. Ne e kemi autorizu Shoqatën e Gastronomëve me negociu me Ministrinë, pasi është brenda Odës Ekonomike të Kosovës. Por, deri tani nuk po shohim asnjë konsultë që po reflekton me ndryshim të qëndrimit, se konsulta sa për sy e faqe mund të mbahen, por nëse nuk vërejmë rezultat si rezultat i konsultave, atëherë është problem”, theksoi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq pohoi se zëvendëskryeministri…