Rukiqi: Të fokusohemi te sektori privat dhe zhvillimi i tregut

05 nëntor 2018 | 12:31

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka mbajtur të hënën konferencë për media, në të cilën ka folur për sfidat dhe preokupimet e bizneseve në vend.

Më këtë rast, ai ka thënë se dominimi i agjendës politike ka lënë në hije zhvillimet ekonomike.

Sipas tij, bllokimi i punës së Kuvendit është duke e bllokuar edhe ambientin e biznesit dhe kjo situatë nuk po tërheq investitorët.

Rukiqi ka theksuar se problem tjetër janë edhe ligjet që kanë mbetur në procedurë. “Për neve mbetet shqetësuese se Kuvendi nuk po funksionon. Kjo pastaj ka implikime edhe te investitorët, sepse ata vazhdimisht po theksojnë faktin e një rreziku të lartë politik të mjedisit biznesor”, është shprehur ai.

Kryetari i OEK-ut ka folur edhe për rritjen e buxhetin në Ministrinë e Arsimit, duke pohuar se ky buxhet do duhej të orientohet në përgatitjen e kuadrove për tregun e punës. “Inkurajuese është rritja e buxhetit për arsim dhe shëndetësi, sidomos për buxhetin për arsim. Mirëpo kemi hendek të madh në përgatitjen e kuadrove për atë se çfarë kërkon tregu i punës. Është koha e fundit që akterët e politikave zhvillimore, sektori privat dhe akterët e zhvillimit të politikave arsimore, të ulën dhe të gjejnë atë çfarë kemi nevojë. Rritje e buxhetit për arsim duhet të përcjellët me reformë edhe me rritje të efikasitetit. Ndërkaq problematike mbetet skema sociale. Nëse 100 milionë euro nga skema sociale do të investoheshin në krijimin e vendeve të punës atëherë ato do të arsyetoheshin”, është shprehur Rukiqi.

Ai e ka vlerësuar si të padrejtë për gjeneratat e reja, dhënien e pagesës për mësimdhënësit e viteve të ‘90-ta, pasi sipas tij ato para mund të shkojnë në zhvillimi ekonomik. “Nuk mund të mohohet kontributi i mësimdhënësve, mirëpo gjeneratat e reja pësojnë sepse ato para duhet të shkojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e vendeve të reja të punës”, ka deklaruar  Rukiqi.

Ai ka folur edhe për importin e veturave dhe standardin EURO 4. “Temë tjetër është edhe çështja e vjetërsisë së importit të veturave. Ne duhet t’i plotësojmë standardet ndërkombëtare, kërkesa jonë është për versionin që e plotëson kriterin EURO4 të jetë kriter për importim të veturave”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Oda Ekonomike nuk do të lëshoj pe sa u përket kontratave kolektive derisa të nivelizohen të drejtat e punëtorëve dhe punëdhënësve.

Duke folur për buxhetin për vitin 2019, Rukiqi ka theksuar se mbetet shqetësuese, rritja e skemave sociale.

Sipas tij, prej 400 milionë eurove të cilat janë ndarë për këto skema, vetëm me 100 milionë euro do të mund të krijoheshin mbi 20 mijë vend të reja të punës.

Ai ka folur dhe për ndëshkimet dhe kamatat që po u bëhen bizneseve nga ana e ATK-së. “Ndëshkimet që janë bërë nga ATK-ja kanë qenë dekurajuese, pasi tek ne fillimisht shikohet të dënohet biznesi dhe më pastaj u jepen këshilla. Po ashtu sa u përket rasteve të përmbarueseve ka pasur biznese që s’kanë mundur të kryejnë transfere ndërkombëtare për shkak të mbylljes së xhirollogarive. Për bizneset duhet të gjendën masa stimuluese”, ka thënë ai.

(A.MAVRAJ)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përgjithësisht, efektet anësore më të zakonshme të antibiotikëve janë përzierja…