Rusët paralajmërojnë Turqinë: Mos gabo të hysh në Siri

03 qershor 2022 | 11:47

Rusët dhe amerikanët kanë qenë në të njëjtën frekuencë përballë mundësisë që Turqia të ndërhyjë ushtarakisht në Sirinë veriore.

Si për amerikanët, po ashtu edhe për rusët, kjo ndërhyrje do të sillte një situatë “shpërthyese” në rajonin tashmë tejet të trazuar të Lindjes së Mesme.

Presidenti turk Erdogan ka folur për një fushatë ushtarake në veri të Sirisë, për ata që turqit i cilësojnë “terroristët” kurdë.

“Shpresojmë që Ankaraja të përmbahet nga veprimet që mund të çojnë në një përkeqësim të rrezikshëm të situatës tashmë të vështirë në Siri”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Rusia është e pozicionuar fort në Siri dhe madje ka ngritur bazat e saj ushtarake. Aleatja më e fortë e Damaskut deklaroi se shkelja e sovranitetit të Sirisë do të përkeqësonte situatën në Siri dhe rajon, ndërsa propozoi se problemi mund të zgjidhet vetëm nëse trupat siriane vendosen në zonë.

Edhe amerikanët kanë reaguar për deklaratat e Erdoganit, për krijimin e një zone sigurie 30 km përgjatë kufirit jugor turk. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi gjithashtu aleatin e NATO-s, Turqinë, kundër një sulmi ushtarak në Siri, duke thënë se kjo do të rrezikonte rajonin.

“Është diçka që ne do ta kundërshtonim,” tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Turqia ka ndërmarrë tre operacione ushtarake në veri të Sirisë që nga viti 2016, duke pushtuar zona përgjatë kufirit, në atë që ajo thotë se janë përpjekje për të siguruar kufirin e saj nga kërcënimet terroriste të ISIS-it dhe të YPG-së, raporton Al Jazeera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat ukrainase kanë arritur që të rezistojnë ndaj ofensivës ruse…