Rusia sërish sulmon Ukrainën me dronë

14 korrik 2023 | 08:40

Disa rajone të Ukrainës lëshuan alarmet për sulme ajror në orët e para të mëngjesit të 14 korrikut, pasi Rusia lëshoi një rund të ri sulmesh me dronë të prodhuar nga Irani. Zyrtarët rajonalë raportuan se këto sulme shkaktuan dëme dhe lëndime.

Gjashtë dronë u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës mbi qytetin Kriviy Rih në rajonin Dnipropetrovsk në jug të Ukrainës, tha guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, në Telegram.

“Megjithatë, nuk ishte e mundur të shkatërroheshin të gjithë dronët dhe një kompani e shërbimeve u dëmtua në Kriviy Rih”, shkroi Lysak.

Ai shtoi se një kompani lokale e transportit dhe disa ndërtesa u dëmtuan gjithashtu, ndërsa u shkatërruan pajisje speciale industriale. Një burrë 56-vjeçar pësoi lëndime të lehta, tha Lysak.

Kreu i Këshillit të Mbrojtjes së Kryviy Rih, Oleksandr Vilkul, tha në Telegram se, pavarësisht dëmeve, shërbimet komunale në qytet po punojnë.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se ka rrëzuar 16 nga 17 dronët e prodhuar nga Irani të përdorura nga Rusia në rundin e fundit të sulmit.

Dita e katërt radhazi e sulmeve ruse më dronë erdhi një ditë pasi të paktën dy persona u vranë, disa u plagosën dhe u shkaktuan dëme materiale në Kiev dhe në rajone të tjera të Ukrainës.

Në fushëbetejë, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se trupat e saj zhvilluan 30 beteja luftarake gjatë 24 orëve të fundit në rajonin lindor të Donjeckut, ku luftimet e ashpra kanë vazhduar pandërprerë.

“Armiku vazhdon t’i përqendrojë përpjekjet e veta kryesore sulmuese drejt Kupyanskut, Lymanit, Bahmutit, Avdivkas dhe Maryinkas. Betejat e ashpra po vazhdojnë”, tha Shtabi i Përgjithshëm në raportin ditor.

Ndërkohë, Pentagoni tha më 13 korrik se grupi mercenar Eagner, anëtarët e të cilit kanë luftuar në disa nga betejat më të ashpra dhe më të përgjakshme në zonën e Bahmutit, nuk po merr pjesë në operacionet ushtarake në Ukrainë në mënyrë domethënëse pas rebelimit të armatosur para më shumë se dy jave.

“Në këtë fazë, ne nuk shohim që forcat Eagner po marrin pjesë në ndonjë kapacitet të rëndësishëm në mbështetje të operacioneve luftarake në Ukrainë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder.

Pas rebelimit të 23 dhe 24 qershorit, luftëtarëve të Eagnerit thuhet se iu ofrua opsionet për të shkuar në mërgim, për t’u bashkuar me forcat e rregullta të Rusisë ose për t’u shpërbërë.

E ndërkohë që Ukraina po kryen operacione kundërsulmuese në disa zona të frontit, ushtria ukrainase tha se ka marrë municionet thërrmuese të premtuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sapo i kemi marrë, nuk i kemi përdorur ende”, tha gjenerali Oleksandr Tarnavskiy, kreu i komandës jugore të Ukrainës, në një intervistë për CNN, duke iu referuar municioneve thërrmuese kontroverse.

Ai shtoi se forcat ruse e kuptojnë se kjo do t’ia japë Ukrainës një avantazh dhe do “ta ndryshojë rrënjësisht” situatën në fushën e betejës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e kaluar thanë se do të dërgonin bomba thërrmuese në Ukrainë, pavarësisht shqetësimeve për rrezikun afatgjatë për civilët. Forcat ukrainase nuk do t’i vendosin ato në zona shumë të populluara, tha Tarnavskiy.

Gjermania, më 13 korrik, tha se ndihma shtesë ushtarake, përfshirë municione dhe armë vetëlëvizëse kundërajrore Gepard, do t’i jepen Ukrainës. Në një deklaratë të qeverisë u tha se “iniciativa e Gjermanisë për ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë” tani arrin në 5.4 miliardë euro./rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mediet më të njohura botërore dje e kanë vendosur Kosovën…