Rutte u bën thirrje aleatëve të NATO-s: Mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë, Putini nuk duhet të fitojë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka bërë thirrje aleatëve të Aleancës që të vijojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke theksuar se pajisjet dhe ndihma ushtarake që dërgohen në vend janë të domosdoshme, veçanërisht përpara afrimit të sezonit të dimrit.
Gjatë një deklarate në Berlin, Rutte ka paralajmëruar se Rusia po vazhdon të forcojë ekonominë e saj të luftës dhe se kërcënimi nuk do të zhduket edhe nëse një ditë përfundon lufta në Ukrainë.
“Ne duhet t’i tregojmë Putinit se përpjekjet e tij për të dobësuar mbështetjen tonë do të dështojnë. Ndihmoni të ruani atë mbështetje për aq kohë sa të duhet”, ka deklaruar Rutte.
Ai ka theksuar se aleatët duhet të jenë të përgatitur përballë rreziqeve të sigurisë dhe të mos lejojnë që Rusia të minojë unitetin e NATO-s.
“Ekonomia e luftës e Rusisë vazhdon të rritet dhe nuk do të qëndrojë në vend kur lufta kundër Ukrainës, shpresojmë, të përfundojë një ditë”, është shprehur kreu i NATO-s.
Rutte ka kërkuar gjithashtu rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, duke u bërë thirrje vendeve anëtare të krijojnë plane konkrete dhe të besueshme për investimet ushtarake.
“Duhet ta bëjmë të qartë se ata do të dështojnë”, ka përfunduar ai, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së mbështetjes politike dhe publike për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës.



